Princesha e Uellsit

Princesha e Uellsit: Thirrje liderëve të bizneseve të investojnë më shumë në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve

Në paraqitjen e saj të parë pas dy vitesh, që prej diagnostikimit me kancer pas një ndërhyrjeje të vështirë abdominale, Princesha e Uellsit, Catherine, e veshur me një kostum elegant gri të hapur dhe një bluzë të bardhë me pala, u bëri thirrje drejtuesve të bizneseve që të vendosin “kohën dhe kujdesin” krahas fitimit dhe suksesit.

Ajo argumentoi se produktiviteti nuk është “i papajtueshëm” me të pasurit një ndikim pozitiv në jetën e të rinjve. Trashëgimtarja e fronit foli për një samit të rëndësishëm në City of London, organizuar nga Qendra për Fëmijërinë e Hershme e Royal Foundation, me synimin që bizneset e mëdha të investojnë më shumë në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve.

Ajo foli për rëndësinë e dashurisë, të cilën e përshkroi si “fillin e padukshëm” që thuret përgjatë fëmijërisë dhe “bëhet themeli, vetë indi i qëndrueshmërisë dhe i përkatësisë.”

Princesha tha:
“Një shtëpi plot dashuri na mëson përfundimisht si të duam dhe si të kujdesemi, por çdo mjedis ka potencialin të formësojë zemrat tona.

Secili prej jush ndërvepron me mjedisin e vet: shtëpi, familje, biznes, fuqi punëtore, komunitet. Këto janë ekosistemet që ju vetë ndihmoni t’i thurni. Imagjinoni një botë ku secili prej këtyre mjediseve ndërtohet duke vlerësuar kohën dhe butësinë po aq sa produktivitetin dhe suksesin.

Si drejtues biznesesh ju përballeni çdo ditë me sfidën e gjetjes së ekuilibrit mes fitimit dhe ndikimit pozitiv. Por të dyja nuk janë dhe nuk duhet të jenë të papajtueshme.”

Vendimi i saj për t’u drejtuar rreth 80 drejtuesve të rëndësishëm britanikë thekson rëndësinë që ajo i jep fëmijërisë së hershme.

“Pasioni im dhe puna e Qendrës për Fëmijërinë e Hershme buron nga një e vërtetë thelbësore: dashuria që ne ndiejmë në vitet tona të para formëson në mënyrë themelore se kush bëhemi dhe si lulëzojmë si të rritur.

Dashuria është lidhja e parë dhe më e rëndësishmja. Por është edhe filli i padukshëm, i endur me kohë, vëmendje dhe butësi përmes marrëdhënieve të qëndrueshme e kujdesëse, i cili krijon mjediset e qëndrueshme dhe me kuptim rreth një fëmije.

Është ky ind, kjo thurje e dashurisë, që formon botën emocionale të fëmijës dhe bëhet themeli, struktura e qëndrueshmërisë dhe përkatësisë,” shtoi ajo.

Gjithashtu theksoi se shtëpia duhet të jetë hapësira ku dashuria, siguria dhe ritmi i qëndrueshëm i jetës i mundësojnë një fëmije të rritet dhe të lulëzojë.

Samiti “Future Workforce” solli nisjen e pesë iniciativave të reja nga kompani të mëdha britanike për të ndihmuar familjet me fëmijë të vegjël, me synimin për të arritur tek një milion fëmijë deri në vitin 2026.

Psikoterapistja Philippa Perry, autore e librit “Libri që do të doje ta kishin lexuar prindërit e tu”, i tha Princeshës: “Është e mrekullueshme që ju jeni një kampione e fëmijërisë së hershme.” Princesha zbuloi se e kishte lexuar librin e saj.

Sipas saj shkenca e ka treguar se sa të rëndësishme janë vitet e para të fëmijërisë, por kjo njohuri nuk është kthyer ende në veprim të mjaftueshëm në shoqëri.

Ajo pranoi se prindërit e sotëm përballen me shumë ngarkesa, por theksoi rëndësinë e zgjedhjes me vetëdije se si e përdorin kohën. Princesha falënderoi të pranishmit për angazhimin dhe tha se beson që do të takohen sërish. Më pas, ajo u takua me drejtuesit e Taskforcës së biznesit, duke i falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe duke pyetur për progresin në ndërtimin e marrëdhënieve.

“Nuk ka të bëjë vetëm me fëmijërinë e hershme; ka të bëjë me një ndryshim kulturor, dhe të gjithë ne kemi një rol për të luajtur në këtë,” shtoi ajo. Disa kompani njoftuan iniciativa të reja në partneritet me Royal Foundation.

Si pjesë e angazhimit të Taskforcës së Biznesit, disa kompani të mëdha kanë njoftuar iniciativa të reja për të mbështetur familjet me fëmijë të vegjël. Amazon do të shpërndajë 1,000 “Cwtch Kits” me materiale lidhëse për prindërit dhe fëmijët, Co-op do të nisë një fushatë kombëtare në vitin 2026 për të nxitur momentet e afërsisë me fëmijët, ndërsa Kellogg’s ka zgjeruar programin e Klubeve të Mëngjesit në qendrat e edukimit parashkollor.

Në mbyllje të samitit, kryetari Ron Khalifa theksoi se investimi në fëmijërinë e hershme është një detyrim i çdo drejtuesi biznesi, duke vënë në dukje se organizatat pjesëmarrëse punësojnë mbi gjashtë milionë njerëz dhe gjenerojnë më shumë se një trilion paund në vit.

E krijuar nga Princesha Catherine në vitin 2023, Taskforca ka bashkuar kompani të rëndësishme si Aviva, Deloitte, IKEA, LEGO, NatWest dhe Unilever, të cilat deri tani kanë arritur të mbështesin më shumë se gjysmë milioni foshnja dhe fëmijë të vegjël përmes projekteve të tyre të përbashkëta.

Disa kompani kanë marrë pjesë në iniciativa si pjesë e taskforcës.

IKEA ka bashkëpunuar me bankat e foshnjave për të siguruar që familjet të kenë gjërat bazë që u nevojiten dhe ka lançuar një linjë produktesh nga e cila u dhuruan të ardhura për Aleancën e Bankës së Foshnjave.

Ndërkohë, Grupi LEGO ka dhuruar sete LEGO® Education “Build Me ‘Emotions’” për qendrat e edukimit të hershëm në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Këto sete janë krijuar për të ndihmuar fëmijët të eksplorojnë emocionet e tyre përmes lojës.

Gjithashtu, Co-op ka krijuar një fond të dedikuar për fëmijërinë e hershme përmes shërbimit të tyre unik të ndarjes së tatimit për praktikantët, “Co-op Levy Share”. Me financimin e Taskforcës, ai ka mbështetur mbi 130 praktikantë të edukimit të hershëm dhe synon të mbledhë 5 milionë paund gjatë pesë viteve të ardhshme për të krijuar më shumë se 600 vende të reja praktike.

Deloitte ka financuar mbi 1300 mësues të edukimit të hershëm për të ndjekur kualifikimet e udhëheqjes të Teach First.

Ngjarja e sotme shënoi gjithashtu publikimin e një raporti të ri nga Royal Foundation Centre for Early Childhood, të titulluar The Human Advantage.

Përgatitur nga Deloitte, raporti eksploron se si, ndërsa inteligjenca artificiale merr përsipër detyra teknike, përparësia konkurruese do të mbështetet edhe më shumë tek aftësitë njerëzore që teknologjia nuk mund t’i zëvendësojë. Raporti thekson gjetjet e sondazheve ku rezulton se 81 për qind e drejtuesve të bizneseve besojnë se do të ketë nevojë në rritje për aftësi njerëzore në 5–10 vitet e ardhshme.

Gjetjet do të përdoren nga organizata për të angazhuar komunitetin e biznesit dhe për të nxitur veprim e investim në vitet e hershme të jetës së fëmijëve.

Më herët gjatë javës, Kate foli hapur për luftërat “e padukshme” të shëndetit mendor gjatë shtatzënisë në një letër prekëse drejtuar një charity-je.

Trashëgimtarja e fronit është patrone e Aleancës së Shëndetit Mendor të Nënës (MMHA) që nga viti 2022 dhe shkroi personalisht këtë letër për të shoqëruar ekspozitën e tyre të re fotografike This Is Also Motherhood, e hapur këtë javë në Phillips në Londër.

Duke e nënshkruar letrën si “Catherine” dhe duke përdorur monogramin e saj mbretëror, Kate foli për rëndësinë e mbështetjes së atyre që përballen me probleme të shëndetit mendor gjatë periudhës së shtatzënisë dhe pas lindjes, me “dashuri, shpresë dhe dhembshuri.”

Ekspozita, e krijuar nga artistja Carolyn Mendelsohn, paraqet 10 gra me përvoja reale, të shpalosura përmes fotografive portret, objekteve të natyrës së qetë dhe audios.

Duke ndarë letrën e Kate-s në Instagram, charity-ja tha se ishte “e nderuar” dhe shpresonte se letra do të ndihmonte në “normalizimin” e bisedave rreth shëndetit mendor gjatë prindërimit të hershëm.

Daily

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top