Shqipëria vazhdon të avancojë me ritme të qëndrueshme drejt statusit të vendit me të ardhura të mesme të larta dhe një ekonomie tregu funksionale, duke ecur paralelisht me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Për të përshpejtuar rritjen ekonomike, krijuar vende pune cilësore dhe investuar në sektorë jetikë si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura, një raport i ri i Bankës Botërore thekson se përmirësimi i financave publike mbetet prioritet.
“Perspektivat e rritjes ekonomike të Shqipërisë varen nga fuqizimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i infrastrukturës dhe avancimi i politikave klimatike, për të përshpejtuar konvergjencën me BE-në, sidomos në kushtet e ndryshimeve demografike,” tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë. “Shqipëria mund të rrisë investimet tek njerëzit dhe të forcojë ekonominë duke rritur të ardhurat dhe duke shpenzuar më me efikasitet.”
Raporti thekson se, megjithëse sistemit tatimor i janë dhënë reforma, të ardhurat mbeten nën potencial për shkak të mosdeklarimit të pagave, informalitetit dhe përjashtimeve. Masat prioritare përfshijnë formalizimin e qirave afatshkurtra, përfshirjen e taksës mbi pronën sipas vlerës së tregut, zbatimin e taksës së karbonit për qymyrin dhe përafrimin e taksave mbi duhanin me standardet e BE-së. Këto masa mund të gjenerojnë të ardhura vjetore deri në 0.9% të PBB-së.
Buxheti aktual është i përqendruar kryesisht tek pensionet, pagat dhe investimet kapitale, ndërsa shpenzimet për shëndetësi, arsim dhe politika sociale mbeten të kufizuara. Raporti rekomandon përmirësimin e efikasitetit në sektorët kyç për të siguruar përfitime më të mira për qytetarët.
Presionet demografike rriten ndjeshëm: deri në vitin 2060, rreth 29–34% e popullsisë pritet të jetë mbi moshën e pensionit, ndërkohë që pensioni mesatar zë vetëm 32% të pagës ,niveli më i ulët në rajon. Raporti sugjeron zgjerimin e bazës së kontribuesve, rritjen e përfitimeve dhe thjeshtimin e formulave për llogaritjen e pensionit.
Reformat duhet të përqëndrohen gjithashtu në fuqinë punëtore të së ardhmes, duke zgjeruar shërbimet për fëmijërinë e hershme, ku aktualisht vetëm 10% e fëmijëve nën tre vjeç janë të regjistruar në çerdhe publike, ndërsa 18 bashki nuk ofrojnë këto shërbime. Zgjerimi i aksesit dhe cilësia e këtyre shërbimeve janë thelbësore për të mbështetur pjesëmarrjen në tregun e punës dhe për të reduktuar pabarazitë gjinore.
Zbatimi i këtyre reformave, mbajtja e disiplinës fiskale dhe krijimi i hapësirave financiare janë vendimtarë për zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë dhe për përshpejtimin e konvergjencës me nivelin e të ardhurave të BE-së.
