Shqipëria po përgatitet të hyjë në një fazë të re të monitorimit mjedisor, teksa Plani Kombëtar i Monitorimit të Mjedisit për vitin 2026 vë theksin tek menaxhimi dhe reduktimi i zhurmave në zonat urbane.
Në mjediset urbane të vendit, zhurma është identifikuar prej vitesh si një nga faktorët më shqetësues të cilësisë së jetës, sidomos për shkak të trafikut, aktiviteteve ekonomike dhe zhvillimit të shpejtë urban. Raportimet e viteve të fundit tregojnë se disa zona të qyteteve kryesore regjistrojnë nivele të zhurmës mbi kufijtë e lejuar, duke e bërë monitorimin dhe ndërhyrjen të domosdoshme.
Autoritetet përgjegjëse kanë prezantuar dokumentin e përditësuar të Planit Kombëtar të Veprimit për Menaxhimin e Zhurmës Mjedisore, një instrument strategjik që synon forcimin e kontrollit akustik në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe legjislacionin vendas.
Plani parashikon ndërmarrjen e masave ligjore, administrative dhe organizative për të siguruar respektimin e niveleve të lejuara të zhurmës dhe mbrojtjen e shëndetit të popullatës.
Ai bazohet në Ligjin nr. 9774, datë 12.7.2007, i ndryshuar me Ligjin nr. 50/2023, duke përcaktuar mënyrat e parandalimit, reduktimit dhe minimizimit të efekteve të dëmshme nga ekspozimi ndaj zhurmës.
Në programin e monitorimit për vitin 2026 përfshihet matja e treguesve akustikë LaeqT për ditën dhe natën, me një frekuencë matjesh çdo 14 ditë në mënyrë 24-orëshe, të realizuara sipas kushteve të përcaktuara meteorologjike dhe standardeve teknike CEI 29-10 dhe EN 60804/1994.
Aktualisht, rrjeti kombëtar i monitorimit përbëhet nga 67 stacione të planifikuara, prej të cilave 43 janë aktive në 11 qendra urbane, duke siguruar të dhëna të detajuara për vlerësimin e situatës së zhurmës në vend.
Vendosja e këtij plani në agjendën e vitit 2026 konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt harmonizimit me praktikat europiane dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.
