Një në tre shqiptarë planifikon emigrimin, arsyet kryesore janë puna dhe jetesa

Shqipëria vazhdon të qëndrojë ndër vendet me presionin demografik më të lartë në rajonin e Europës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Sipas raportit të vitit 2024 të OeNB Euro Survey, të raportuara nga Monitor, 33% e shqiptarëve kanë synime për t’u larguar nga vendi, një nga nivelet më të larta në CESEE.

Ky tregues përfshin ata që planifikojnë të emigrojnë brenda një viti, ata që e konsiderojnë mundësinë e largimit në dhjetë vitet e ardhshme, si dhe një pjesë të konsiderueshme që nuk e përjashtojnë këtë mundësi. Për krahasim, në Hungari dhe Çeki vetëm 7% e popullsisë shprehin të njëjtin qëllim.

S

Në vitin 2024, 10% e shqiptarëve dhe 11% e maqedonasve deklaruan se do të largohen brenda një viti, nivelet më të larta në rajon. Ndërkohë, vendet e tjera si Serbia, Rumania, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria dhe Polonia regjistruan shifra më të ulëta, nga 2% deri në 5%, ndërsa Hungaria dhe Çekia ishin nën 2%.

Faktorët që nxisin emigrimin janë të qartë: 46% e të anketuarve synojnë largimin për arsye punësimi, ndërsa 26% për kërkimin e kushteve më të mira të jetesës jashtë vendit. Kjo tregon se investimet në tregun e punës dhe përmirësimi i shërbimeve publike, si arsimi dhe kujdesi shëndetësor, mund të ndikojnë në uljen e dëshirës për emigrim.

 

Eksperienca e jetesës jashtë vendit është gjithashtu domethënëse. 28% e shqiptarëve kanë jetuar më parë jashtë vendit, një nivel më i lartë se mesatarja rajonale, ndërsa rreth 40% e tyre kanë qëndruar më shumë se tre vjet jashtë. Kjo nuk është thjesht statistikë: ajo tregon një lidhje të fortë me mundësitë ekonomike dhe shoqërore që shqiptarët kërkojnë jashtë kufijve të vendit të tyre.

Edhe pse dëshira për emigrim në afat të shkurtër ka rënë në shumicën e vendeve pas pandemisë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbeten përjashtime të dukshme, duke treguar sfidat e vazhdueshme demografike dhe ekonomike që kanë këto vende.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top