Çmimet e larta të energjisë elektrike po kërcënojnë të ngadalësojnë përpjekjet e Europës për dekarbonizim, ndërsa industritë përballen me një krizë gjithnjë e më të thellë konkurrueshmërie, sipas ekspertëve.
Kalimi i kontinentit drejt një ekonomie me pak karbon po humbet terren, pasi kostot ende të larta të energjisë elektrike vazhdojnë të frenojnë adoptimin e teknologjive të pastra nga familjet dhe bizneset. Sipas raportit më të fundit “Electrification Observer” të Morningstar, pavarësisht subvencioneve dhe objektivave ambicioze, BE-ja është në rrugë për të elektrifikuar vetëm 25% të konsumit të saj total të energjisë deri në vitin 2030,shumë poshtë nivelit 32% të nevojshëm për të përmbushur angazhimet klimatike.
“Europa ndodhet në një situatë të vështirë,” thotë Tancrede Fulop, analist i lartë i Morningstar. “Ajo mban një barrë të madhe në përpjekjet globale për dekarbonizim, por çmimet e larta e pengojnë progresin. Teknologjitë si pompat e nxehtësisë mbeten të papërballueshme për shumë familje, ndërsa sektorët me konsum të lartë energjie, si ai kimik dhe çeliku, po humbasin terren përballë SHBA-së dhe Kinës.”
Çmimet e energjisë në Europë vijojnë të mbeten dukshëm më të larta sesa në SHBA dhe Kinë ,një diferencë që u thellua që nga kriza energjetike pas vitit 2021.
Morningstar parashikon që konsumi i energjisë në BE të rritet me vetëm 1.1% në vit deri në 2030, ndërsa barrierat strukturore si taksat dhe tarifat e rrjetit pritet të mbajnë kostot e larta. Kjo situatë po godet industrinë tradicionale dhe po ngadalëson elektrifikimin e sektorit familjar, edhe pse BE ka vendosur të zgjerojë skemën e çmimit të karbonit në ngrohje banimi nga viti 2027.
Shembull tipik janë pompat e nxehtësisë: deri në vitin 2030, në BE pritet të instalohen vetëm 39 milionë të tilla, larg objektivit prej 60 milionësh. Si rezultat, elektrifikimi i sektorit familjar pritet të rritet vetëm nga 26% në 28% deri në fund të dekadës një ritëm që sjell ulje të emetimeve me vetëm 1.7% në vit.
Qendrat e të dhënave po shndërrohen në një burim të rëndësishëm të konsumit të ri të energjisë. Konsumi i tyre pritet të rritet me 15% çdo vit, duke arritur në 182 TWh deri në vitin 2030. Kjo favorizon kompani si EDP dhe Schneider Electric.
Megjithatë, pjesa më e madhe e trajnimit të modeleve të IA dhe investimeve të qendrave të mëdha të përpunimit të të dhënave
pritet të zhvendoset drejt SHBA-së, ku energjia është më e lirë dhe kapaciteti kompjuterik më i lartë.
Edhe sektori i transportit mbetet pas pritshmërive. Edhe pse 45% e shitjeve të makinave në Europë pritet të jenë elektrike deri në 2030, niveli i përgjithshëm i elektrifikimit të transportit do të arrijë vetëm 5%. Si rezultat, emetimet nga transporti rrugor do të bien me vetëm 5% deri në fund të dekadës.
Industria kimike tkurret, hidrogjeni i gjelbër dobësohet
Sektori kimik europian ,një nga sektorët që konsumon më shumë energji ,pritet të tkurret me 10% në pesë vitet e ardhshme. Ndërkohë, Morningstar ka ulur ndjeshëm parashikimet për prodhimin e hidrogjenit të gjelbër, duke projektuar vetëm 0.6 megatonë deri në 2030, larg objektivit prej 10 megatonësh të BE-së. Çmimet e larta e bëjnë hidrogjenin e gjelbër jo konkurrues në shumicën e vendeve.
Megjithatë, brenda kësaj tabloje ka ende sektorë fitues. Kompanitë e fokusuara te efikasiteti energjetik, si Atlas Copco, përfitojnë nga çmimet e larta, ndërsa gjigantët me ekspozim në SHBA, si Dow, përfitojnë nga reduktimi i prodhimit kimik në Europë. Air Liquide mbetet një tjetër aktor i fortë në dekabonizimin industrial.
Me ritmet e elektrifikimit shumë poshtë objektivave, pritet rritje e presionit politik për të shtyrë ose zbutur politikat klimatike të BE-së. Dy momentet më të ndjeshme janë:
-
heqja e lejeve falas të karbonit për industri në 2026
-
zgjerimi i çmimit të karbonit për ngrohjen e banesave në 2027
Objektivi kryesor i BE-së, ulja e emetimeve me 55% deri në 2030 po shihet gjithnjë e më e paarritshëme. Sipas Morningstar, me ritmet aktuale rënia do të jetë vetëm 43%.
Një panoramë e pabarabartë nëpër kontinent
Europa Veriore, Franca dhe Gadishulli Iberik janë rajonet që po e përballojnë më mirë tranzicionin, falë çmimeve më të ulëta të energjisë, kapaciteteve të fuqishme të rrjetit dhe burimeve të bollshme të energjisë së pastër.
Por edhe këtu ka shenja mbivlerësimi.Aksionet e kompanive energjetike spanjolle kanë performuar fuqishëm në 2025 dhe rrezikojnë të teprojnë në pritshmëri.
Në tërësi, Europa përballet me një realitet të vështirë sepse po paguan koston e tranzicionit të gjelbër pa arritur përfitimet e plota. Me çmimet e energjisë që pritet të mbeten të larta për një kohë të gjatë, rreziku i një tranzicioni të shtrenjtë dhe politikisht të brishtë është i madh, shumë i kushtueshëm për t’u braktisur, por tepër i ngadalshëm për të dhënë rezultatet e premtuara.
