zhvillimi i trurit

Sipas një studimi, truri juaj nuk është plotësisht i zhvilluar deri në moshën 32 vjeç, ja 5 fazat kryesore nga lindja deri në pleqëri

Një studim i ri ka identifikuar pesë faza të qarta në arkitekturën e trurit të njeriut. Një udhëtim që nis në lindje dhe zgjat deri në fund të jetës, duke hedhur dritë mbi periudhat kur truri është më i ndjeshëm ndaj zhvillimit apo rrezikut për sëmundje.

Sipas hulumtimit të publikuar në Nature Communications, struktura e trurit kalon në katër pika kyçe ndryshimi në moshën 9, 32, 66 dhe 83 vjeç. Këto përcaktojnë pesë “epoka” të veçanta të mënyrës si lidhen dhe funksionojnë neuronet.

“Shumë prej nesh e ndjejnë jetën të ndarë në etapa të ndryshme. Na rezulton se edhe truri ynë i kalon ato,” tha profesori Duncan Astle, autor i lartë i studimit dhe ekspert i neuroinformatikës në Universitetin e Kembrixhit.

Studimi analizoi skanimet e trurit të rreth 3,800 personave të moshave nga 0 deri në 90 vjeç. Skanimet gjurmonin lëvizjen e molekulave të ujit në tru, duke u mundësuar shkencëtarëve të hartonin rrjetet nervore dhe të identifikonin momentet kyçe të zhvillimit.

 Nga lindja në 9 vjeç: Super-zhvillimi i trurit

Në këtë fazë krijohen miliarda lidhje të reja nervore, ndërsa ato joaktive eliminohen. Si lënda gri ashtu edhe ajo e bardhë rriten me ritme të shpejta.
Gjatë kësaj periudhe truri arrin trashësinë maksimale dhe formon palosjet e tij karakteristike, elemente kritike për funksionimin dhe qëndrueshmërinë e tij.

9 deri në 32 vjeç: Epoka e adoleshencës së zgjatur

Rritja e lëndës së bardhë dhe forcimi i lidhjeve nervore e bëjnë trurin më efikas.
Studimi thekson se ky proces zgjat shumë më gjatë se mendohej, duke u mbyllur mesatarisht rreth moshës 32 vjeç,moment që shënon pikën më të fortë të transformimit të strukturës së trurit.

 32 deri në 66 vjeç: Pjekuria e trurit

Në këtë periudhë truri stabilizohet. Rrjetet nervore janë në formën e tyre më të qëndrueshme dhe truri shijon rreth tre dekada pa ndryshime të mëdha strukturore.

 Rreth 66 vjeç :Fillimi i plakjes së hershme

Pas moshës 66 vjeç, lënda e bardhë nis të degradojë gradualisht, duke dobësuar lidhjet midis rajoneve të trurit.
“Kjo është një moshë kur rritet rreziku për probleme shëndetësore që ndikojnë në tru, si hipertensioni,” tha autorja kryesore, Alexa Mousley.

 Pas 83 vjeç: Faza e plakjes së avancuar

Në këtë etapë vërehet një rënie e vazhdueshme e lidhjeve nervore, ndërsa truri mbështetet më shumë tek disa zona specifike për të kryer funksionet e përditshme. Të dhënat për këtë fazë mbeten ende të kufizuara.

Sipas studiuesve, zbulimet mund të ndihmojnë në kuptimin e bazës neurologjike të problemeve të vëmendjes, gjuhës, kujtesës dhe sjelljes.

“Këto të dhëna mund të ndihmojnë të kuptojmë pse truri i disa njerëzve ndjek rrugë të ndryshme zhvillimi në momentet kyçe të jetës duke nisur nga vështirësitë në të mësuar gjatë fëmijërisë, deri te çrregullimet që shfaqen në moshën e tretë,” tha Mousley.

euronews.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top