manipulim psikologjik

Si të përballeni me manipulimin psikologjik në vendin e punës

Mes tregjeve të paqëndrueshme, kërkesave gjithnjë në rritje të klientëve dhe dinamikave të brendshme, nuk është çudi që 66% e punonjësve ndihen të djegur në punë. Kur në këtë përditshmëri shtohet edhe manipulimi psikologjik, sfidat bëhen edhe më të vështira. Ja si ta identifikoni këtë sjellje në vendin e punës dhe çfarë mund të bëni për ta përballuar.

Manipulim psikologjik apo thjesht keqkomunikim?

Jo çdo mospërputhje mes pritshmërive dhe rezultateve vjen për shkak të manipulimit psikologjik. Shpesh mund të ndodhë për shkak të mesazheve të paqarta, stileve të ndryshme të komunikimit ose udhëzimeve të paqarta.

Përpara se të mendoni për manipulim, bëni disa pyetje sqaruese:

“A mund të më shpjegosh çfarë ishte qëllimi sipas asaj që kujton?”

“Mos ndoshta e kemi interpretuar të njëjtin udhëzim në mënyra të ndryshme?”

“Ndihmomë të kuptoj a ka diçka që po më shpëton nga këndvështrimi yt?”

Reagimi i palës tjetër është tregues i rëndësishëm:

Një manipulator do të shtrembërojë faktet, do të zhvendosë fajin dhe do të këmbëngulë se versioni i tij është i vetmi i saktë.

Një kolegj i arsyeshëm do të fokusohet te zgjidhja dhe verifikimi i fakteve.

Sipas studimit 2025 US Employee Communication Impact Study nga Staffbase, 58% e punonjësve që mendojnë të largohen nga puna e tyre, e lidhin këtë me komunikimin e dobët të brendshëm.

Prandaj, kur lindin keqkuptime, analizoni thellë situatën përpara se ta lidhni me manipulim.

Si Ndikojnë Dinamikat e Pushtetit në Manipulimin Psikologjik

Nëse dyshoni fort se po përjetoni manipulim psikologjik, hapi tjetër varet nga raporti i pushtetit mes jush dhe personit në fjalë.

Kur Manipulimi Vjen nga Vartësit

Mund të ndiheni të pasigurt si drejtues kur jepni udhëzime të qarta disa herë, por një vartës vazhdon të thotë se “nuk e kuptoi” ose “nuk ishte i sigurt ç’duhej bërë”. Drejtuesit e mirë marrin përgjegjësi për boshllëqet e komunikimit dhe manipulatorët e shfrytëzojnë këtë përmes inkompetencës së qëllimshme.

Para se ta cilësoni si manipulim zbërtheni arsyen pse detyra nuk u realizua,kuptoni nëse janë të mbingarkuar, të paorientuar apo kanë prioritete të tjera.

Këto shpesh zgjidhen me dialog të hapur dhe rishpërndarje të përgjegjësive. Vendosni kufij të qartë për mënyrën se si udhëhiqni dhe si duhet dorëzuar puna.

Manipulim Psikologjik nga Menaxherët: Sfida Më Serioze

Manipulimi psikologjik nga një epror është veçanërisht i vështirë. Menaxherët ndikojnë në mjedisin tuaj të punës,ngarkesën e përditshme,

ecurinë e karrierës dhe të ardhurat.

Sjellje të zakonshme përfshijnë:fajësim të punonjësit për rezultate që burojnë nga udhëzimet e vetë menaxherit,udhëzime të paqarta dhe më pas kritikim për “rezultatin e gabuar”,premtime karriere që më pas mohohen sikur nuk janë thënë kurrë.

Këto nuk lidhen me aftësitë tuaja. Shpesh burojnë nga kulturë e dobët e kompanisë, mungesë trajnimi ose promovime të bazuara te serioziteti e jo kompetenca.

Në këto raste:

Dokumentoni çdo gjë me shkrim.

Konfirmoni udhëzimet verbale me email.

Ruani qetësi profesionale.

Mbroni shëndetin tuaj mendor.

Fatkeqësisht, udhëheqësit që përdorin manipulimin psikologjik rrallë ndryshojnë. Menaxhoni situatën, por mbani mendjen te mundësi më të mira pune.

Manipulim nga Kolegët: Sabotim i Heshtur

Manipulatorët në të njëjtin nivel kolegësh mund të dëmtojnë punën tuaj përmes mënyrave të fshehta.

Një taktikë e zakonshme është “ndihma e rreme”, ofrohen të marrin përsipër detyra, pastaj nuk i realizojnë ose mohojnë se janë angazhuar.

Për ta menaxhuar këtë bëni më shumë ndjekje sesa normalisht,dokumentoni çdo marrëveshje (pa qenë mikromenaxhim është mbrojtje nga manipulimi).

Disa kolegë do të minimizojnë arritjet tuaja. Në vend të vetëdyshimit, ktheni bisedën me pyetje si:

“Interesante, mund të ma shpjegosh më shumë?”

“Unë e kam bërë kështu për XYZ arsye, cili është mendimi yt?”

Manipulatorët shpesh nuk dinë të japin detaje përtej skriptit të tyre të brendshëm.

Si të Qëndroni te Faktet dhe jo te Manipulimi

Kur keni të bëni me një manipulues kronik, synoni të ndahen faktet nga versionet e shtrembëruara të realitetit.

Përpara se të filloni një detyrë, bëni përsëritjen e udhëzimeve që keni kuptuar,marrjen e një konfirmimi verbal,dërgimin e një emaili përmbledhës.

Përdorni shprehje si:

“Ajo që po kuptoj është…”

“Për të konfirmuar hapat…”

“Të sigurohemi që jemi në të njëjtën faqe…”

Mjetet e menaxhimit të projekteve ndihmojnë, por shmangni mbështetjen vetëm te ato sepse disa manipulatorë përdorin “konfuzionin teknologjik” për të shmangur përgjegjësinë.

Në momentin kur manipulimi ndodh, shmangni debatin mbi perceptimet. Pyetni:

“Kur ndodhi kjo? Mund të më tregosh saktësisht?”

“Ku / kur u komunikua kjo?”

Manipulimi psikologjik është rraskapitës dhe shpesh i fshehtë, sidomos kur ju thjesht po përpiqeni të bëni punën tuaj. Identifikimi i tij dhe krijimi i një strukture të qartë komunikimi zbut ndikimin e kësaj sjelljeje. Vendosja e kufijve në mënyrën e bashkëpunimit jo vetëm që mbron punën tuaj, por edhe forcën tuaj si komunikues e profesionist.

Forbes

 

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top