Pamela Medha

Kompania e drejtuar në Kuvajt, nga Pamela Medha, finaliste në Women Startup Competition!

 

Në kohën e pandemisë Covid-19, ndërsa bota përballej me sfida të mëdha, disa individë shfrytëzuan momentin për të nisur diçka të re dhe inovative. Një ndër ta është edhe themeluesja e startup-it VALA, finalistja e Women Startup Competition, i cili pa një mundësi të veçantë në tregun e kozmetikës dhe kujdesit personal.

Me një mision të qartë për të vlerësuar bukurinë dhe shëndetin e klientëve të saj, VALA synon të përmirësojë shkëlqimin natyral nëpërmjet produkteve kozmetike të cilësisë së lartë dhe kujdesit personal. Kjo intervistë eksploron motivimin pas themelimit të startup-it, misionin dhe vizionin e kompanisë, sfidat e hasura dhe zgjidhjet e ofruara për klientët, si dhe ndikimin e teknologjisë dhe planet për të ardhmen.

Kur vendosët të themeloni startupin tuaj, çfarë ju motivon në këtë sipërmarrje?

Idea për startup-in nisi gjatë pandemisë Covid-19, në mars 2021. Duke qenë se jetoj në zonë mjaft të nxehtë dhe alarmante për shëndetin, vura re se nuk kishte vëmendje tek mbrojtja kundër diellit dhe hidratimi i lëkurës. Nga kontaktet që kisha, aktivizova ato që kisha në Korenë e Jugut, duke qenë se janë të vetmit që u besoj tek cilësia dhe çmimet. Ndaj, vendosa me mundësitë e mia t’i sillja tregut diçka cilësore dhe çmime të arsyeshme.

Cili është misioni dhe vizioni i kompanisë tuaj?

Misioni ynë në VALA është i thjeshtë: të vlerësojmë bukurinë dhe shëndetin. Nëpërmjet kozmetikës me cilësi të lartë dhe produkteve të kujdesit personal, ne synojmë të përmirësojmë shkëlqimin tuaj natyral. Tek VALA, vizioni ynë është furnizimi i klientelës sonë me kozmetikë të cilësisë së lartë. Ne jemi të përkushtuar ndaj inovacionit dhe përsosmërisë. VALA mbështet produktet vegane, të cilat janë miqësore ndaj mjedisit dhe oqeanit.

Cilat janë sfidat kryesore që keni hasur në fillimet tuaja dhe si po i përballoni?

Sfidat janë pjesë e biznesit dhe në fillimet tona kanë qenë të shumta. Duke qenë se tek VALA çdo sfidë shihet si mundësi zhvillimi, ne nuk na bëjnë përshtypje, përkundrazi i kalojmë me shumë sportivitet. Një ndër gjërat sfiduese ishte proçedura e hapjes së biznesit dhe ana ligjore e firmës, gjithashtu proçedurat e importimit të mallrave.

 

Pamela Medha

 

Cila është faza e startup-it tuaj, çfarë po bëni aktualisht? Cilat kanë qenë hapat kyçe në këtë rrugëtim?

Jemi në fazën e zgjerimit dhe kemi rreth 3.5 vite që operojmë. Kemi mbushur 2 vite nga shitja e parë dhe kemi shumëfishuar brandet e shitjet tona vjetore. Gjithashtu, kemi shumëfishuar  klientët dhe kanalet e shitjeve, duke bashkëpunuar me shitës nga më të njohurit në lindjen e mesme dhe Europë. Kemi filluar të eksportojmë dhe duam të zgjerohemi jashtë Kuvajtit. Ende nuk e kemi të saktë se në cilin shtet do të zgjerohemi, por jemi shumë entuziastë për këtë hap.

Cilat janë vlerat dhe besimet që ju udhëheqin në sipërmarrje?

Gjatë rrugëtimit tim kam kuptuar që vendosmëria, vullneti dhe dëshira për të ecur përpara janë themelore për suksesin dhe prosperitetin personal dhe profesional. Tek VALA jam munduar të çoj të njëjtat vlera dhe mendoj se ia kam dalë. Ne besojmë në profesionalizëm, integritet dhe etikë biznesi. Mendojmë se këto veti janë themelore për VALA dhe punonjësit e saj. Jemi të lumtur që këto veti dhe shumë të tjera janë themeli i kompanisë tonë.

Çfarë zgjidhje ofroni në treg për klientët tuaj?

Ofrojmë akses të cilësisë për të gjitha shtresat dhe stilet e jetesës. Kujdesi ndaj vetes nuk duhet të jetë një privilegj i vetëm atyre me mundësi të larta ekonomike. Me Korean Beauty, ne kujdesemi të ndërgjegjësojmë personat me pak mundësi të jenë të kujdesshëm dhe të ndihen mirë me lëkurën e tyre. Lëkura përbën pjesën kryesore, e cila ka nevojë për kujdes të veçantë, sepse vetëvlerësimi është bazë për shëndetin mendor dhe të ndierit mirë me veten. Ne jemi krenarë që kemi shansin të japim cilësi, inovacion dhe teknologji të lartë për një cmim mjaft të arsyeshëm nga të gjithë shtresat shoqërore.

Si po ndikon ndryshimi i teknologjisë dhe i tregut në sipërmarrjen tuaj?

Teknologjia është një aleat mjaft i fortë në biznesin tonë. Pothuajse të gjitha hallkat e biznesit tonë, mundohemi t’i kryejmë me anë të teknologjisë, si tek blerja online, shpërndarja vendore apo globale e produkteve me DHL/FEDEX dhe 3PL Fulfilment Technology për inventarin dhe shpërndarjen, komunikimi dhe takimet online, përdorimi i AI dhe aplikacioneve të ndryshme për media etj. Jemi shumë të lumtur që ekzistojmë në një epokë të tillë dhe urojmë të zhvillohemi më tej me teknologjinë.

Cilat janë planet tuaja për rritje të ardhshme dhe strategjitë për t’i arritur ato?

Planifikojmë zgjerim në një shtet të dytë, përveç Kuvajtit. Akoma nuk jemi të sigurt se ku dhe si. Për momentin nuk kemi barriera në hapësirën internacionale për sa i përket shitjes ndërkombëtare nëpërmjet dyqanit tonë online www.vala.shop. Gjithësesi, si distributorë do të donim një zgjerim. Kjo duke marrë shkas nga kërkesat e shumta që kemi pasur. Një ndër strategjitë që ne përdorim është partneriteti dhe krijimi i një infrastrukture në shtetin ku duam të zgjerohemi. Kjo vjen si pasojë e networkut, faciliteteve të vendit përkatës, etj. Çdo gjë është në varësi të rrethanave dhe mundësive të momentit. Si VALA ne mundohemi të kapim mundësinë më të mirë për kohën dhe besojmë në bashkëpunim dhe jo konkurencë.

Çfarë ju bën më të lumtur në sipërmarrjen që keni nisur?

Një ndër gjërat primare është kërkesa e vazhdueshme e klientëve dhe partnerëve tanë për të konsumuar produktet tona. Kjo është një ndër arsyet kryesore përse ne jemi në treg. Tregu është ai që na zgjedh dhe drejton në fund të fundit. Jemi shumë të lumtur që shitjet tona janë shumëfishuar çdo vit dhe urojmë të vazhdojmë me këtë ritëm. Një tjetër arsye për t’u lumturuar janë edhe bashkëpunimet e shumta me joint venture apo ekskluzivitete të brandeve si dhe me shitës të fuqishëm në treg të cilët na besojnë dhe po zgjerohen ditë pas dite. Kemi shumë arsye të tjera pse lumturohemi në punën tonë, por këto do mund të veçoja.

Çfarë synoni të realizoni në 3 vitet e ardhshme?

Synojmë të zgjerohemi në shtete të reja, të aktivizojmë më tepër shitjet online, të përmirësojmë infrastrukturën dhe logjistikën si dhe të kemi sa më shumë firma të reja nën distribucionin tonë ekskluziv. Do të donim gjithashtu të kishim linja të reja biznesi, kjo pasi unë jam shumë e apasionuar me “Business Development” dhe e profilizuar për këtë aspekt të punës. Do donim të arrijmë objektivin tonë të shitjeve sipas planit të kryer çdo fillim viti, urojmë që projektimi për 3 vitet e ardhshme të jetë sipas pritshmërive apo dhe më tej.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top