Izraeli u lejua të marrë pjesë në Konkursin e Këngës Eurovision 2026 nga organizatori, vendim që çoi në tërheqjen e Spanjës, Holandës, Irlandës dhe Sllovenisë për shkak të luftës në Gaza, duke e futur konkursin në njërin prej debateve më të mëdha në historinë e tij
Vendet pjesëmarrëse që kishin kërcënuar me bojkot e justifikuan vendimin e tyre duke iu referuar numrit të viktimave në Gaza dhe akuzuan Izraelin për shkelje të rregullave të neutralitetit të konkursit.
Pas një takimi në Gjenevë, Unioni Europian i Transmetuesve (EBU) vendosi të mos e hedhë në votim pjesëmarrjen e Izraelit, duke thënë se ishte miratuar një set rregullash të reja që synojnë të dekurajojnë qeveritë nga ndikimi në konkurs.
Menjëherë pas këtij njoftimi nga organizatori, transmetuesit holandezë, spanjollë, irlandezë dhe sllovenë deklaruan se do të tërhiqeshin, që do të thotë se këngëtarët e këtyre vendeve nuk do të konkurrojnë në konkursin që ndjekin miliona shikues në mbarë botën.
Ben Robertson, ekspert i Eurovizionit nga faqja e fansave ESC Insight, tha se integriteti i konkursit është në nivelin më të ulët të tij.
“Kurrë në historinë e konkursit nuk kemi pasur një votim të tillë dhe një ndarje kaq të madhe midis transmetuesve anëtarë të Unionit Europian të Transmetuesve,” tha ai.
Si qeveria izraelite, ashtu edhe liderët e opozitës, e festuan përfshirjen e vendit në konkurs.
Golan Yochpaz, CEO i transmetuesit izraelit KAN, krahasoi përpjekjet për të përjashtuar Izraelin me një formë të “bojkotit kulturor.” Duke iu drejtuar vendeve që u tërhoqën, Ministri i Jashtëm Gideon Saar shkroi në X: “Turpi është mbi ta.”
IRLANDA: Pjesëmarrja është “e pajustifikueshme”
Konkursi i Këngës Eurovision daton që nga viti 1956 dhe ndiqet nga rreth 160 milionë shikues, sipas EBU-së më shumë se rreth 128 milionët e regjistruar për Super Bowl-in e këtij viti në SHBA, sipas shifrave të Nielsen.
Pjesëmarrja e Izraelit ka ndarë opinionin në këtë konkurs, i cili ka një histori përfshirjeje në rivalitete kombëtare, çështje ndërkombëtare dhe votim politik.
