Një bindje e përhapur, por e gabuar, është se rruga drejt rezultateve më të mira kalon përmes lodhjes së tepërt. Më shumë orë. Më shumë angazhim. Më shumë ritëm i çmendur. Por e vërteta që pak njerëz e pranojnë është se disa nga njerëzit më produktivë punojnë më pak se kolegët e tyre të djegur nga lodhja.
Kur drejtoja startup-in tim të parë në të njëzetat, mendoja se suksesi nënkuptonte të isha i zënë çdo minutë. Kontrolloja email-et pa pushim, pranoja çdo kërkesë dhe krenohehesha se nuk pushoja kurrë. Teknikisht bëja shumë gjëra, por pak prej tyre kishin vlerë reale.
Gjatë një periudhe veçanërisht kaotike, libri “Essentialism” i Greg McKeown më ndihmoi të kuptoj se kisha ngatërruar lëvizjen me progresin. Ai më dha leje të thoja “jo”, të fokusohem dhe të pranoj se të bësh më pak mund të sjellë rezultate më të mëdha.
Ky është thelbi i dembelizmit strategjik: të punosh më zgjuar duke hequr dorë nga gjërat që nuk kanë rëndësi, për t’u shkëlqyer në ato që vërtet kanë.
Më poshtë janë gjashtë mënyrat praktike për ta vënë në jetë këtë filozofi.
1) Hiq pa mëshirë çdo gjë jo thelbësore
Shumë njerëz e trajtojnë listën e detyrave si një listë koleksionesh, duke shtuar pafund gjëra të reja për të bërë.
Dembelizmi strategjik nis me heqje, jo me shtim.
Edhe unë dikur kisha prirjen të hidhesha mbi çdo detyrë të re, duke menduar se shpejtësia dhe volumi ishin shenjë produktiviteti. Në fakt, po krijoja më shumë punë pa shtuar rezultatet. Pyetja e vërtetë nuk është: “Si mund ta fus këtë në orar?” Por: “A ka vërtet nevojë të bëhet kjo?”
Si ta ktheni në zakon:
-
Listoni gjithçka që keni bërë javën e fundit. Cilat aktivitete kontribuan realisht në objektivat tuaja më të rëndësishme?
-
Filloni të eliminoni nga një detyrë jo thelbësore çdo javë.
-
Ajo mbledhje që mund të zëvendësohet me një email, hiqeni.
-
Ajo detyrë që zvarritet prej muajsh pa arsye të qartë, lëreni.
Paksa shpesh do të ndiheni në faj pse po bëni më pak. Kjo ndjesi është shenjë e mirë. Do të thotë që po çliroheni nga varësia ndaj zënies me gjëra të kota.
2) Grumbullojini detyrat e ngjashme
Ndërrimi i vazhdueshëm i fokusit është armiku i produktivitetit.
Çdo herë që kaloni nga shkrimi, te email-et, te thirrjet, truri juaj ka nevojë për kohë për t’u përshtatur. Këto minuta humbje grumbullohen pa e kuptuar.
Edhe unë dikur kontrolloja email-et pas çdo njoftimi. Mendoja se isha efikas në fakt po shkatërroja vëmendjen time të thellë.
Tani i trajtoj të gjitha komunikimet në një bllok të vetëm pasdite, kur energjia kreative më ka rënë.
Një studim i Universitetit të Kalifornisë tregon se duhen rreth 23 minuta për t’u rikthyer në fokus pas një shpërqendrimi.
Si ta ktheni në zakon:
-
Ndajini detyrat në kategori: email-e, telefonata, administrim, punë krijuese, takime.
-
Caktoni blloqe të posaçme për secilën kategori. p.sh., email-et vetëm nga ora 14:00–15:00.
-
Fikni njoftimet gjatë periudhave të punës së thellë.
Qëllimi nuk është të bëni më shumë në më pak kohë por të bëni më pak gjëra, me më shumë përqendrim.
3) Automatizoni gjithçka që mund të përsëritet
Asgjë nuk është më jo-strategjike sesa të kryeni manualisht detyra që mund t’i automatizoni. Çdo minutë e shpenzuar në punë rutinë është një minutë më pak për punë me vlerë të lartë. Sipas McKinsey, rreth 45% e aktiviteteve të punës mund të automatizohen me teknologjinë aktuale.
Dembelizmi strategjik nënkupton të investosh pak kohë tani për të kursyer shumë kohë më vonë.
Si ta ktheni në zakon:
-
Gjatë një jave, shënoni çdo detyrë që përsëritet.
-
Përdorni filtra email-i, plane automatike planifikimi, template, sisteme menaxhimi.
-
Për detyra jashtë ekranit, krijoni mini-procedura dhe lista kontrolli.
Nuk do të duket produktive ditën që e vendosni sistemin, por më pas do t’ju shpëtojë orë të tëra.
4) Krijoni kohë për… asgjë
Ky është momenti ku dembelizmi strategjik e justifikon plotësisht emrin. Truri ka nevojë për periudha bosh për të krijuar ide të reja dhe për të zgjidhur probleme. Disa nga idetë më të mira lindin në momente pa presion duke ecur, duke parë nga dritarja, duke mos bërë “gjë”.
Shkencëtarët e “Scientific American” kanë theksuar se periudhat e qeta janë thelbësore për kreativitetin dhe produktivitetin. Por shumica i mbushin këto momente me rrjete sociale, podcaste apo punë të kota.
Si ta ktheni në zakon:
-
Vendosni në kalendar blloqe prej 10–20 minutash “kohë bosh”.
-
Dilni për të ecur pa telefon.
-
Lejoni veten të mërzitet , truri funksionon më mirë kur ndaloni së shtyeri punë me forcë.
5) Bëhuni të aftë të thoni “jo”
Çdo “po” për gjëra të parëndësishme është një “jo” për ato që kanë vlerë. Shumë njerëz kanë vështirësi të refuzojnë, sepse u duket sikur po zhgënjejnë dikë. Por njerëzit më efektivë janë mjeshtër në mbrojtjen e kohës së tyre. Edhe unë dikur pranoja çdo bashkëpunim, çdo kërkesë, çdo “telefonatë e shpejtë”. Rezultati? Shpërhapje totale.
Si ta ktheni në zakon:
-
Filtroni çdo kërkesë: A lidhet me 3 prioritetet tuaja kryesore?
-
Përdorni fraza të thjeshta:
“Faleminderit që më menduat, por aktualisht nuk mund të angazhohem.” -
Sa më shumë të praktikoni “jo”-në, aq më shumë do të fitoni qartësi dhe hapësirë.
6) Fokusohuni te levat e mëdha, jo te volumi
Nuk ka rëndësi sa shumë punoni, por sa ndikim sjell puna juaj. Një aktivitet me ndikim të lartë vlen më shumë sesa dhjetëra detyra të vogla.
Tim Ferriss e quan këtë zbatimin ekstrem të parimit 80/20: 20% e aktiviteteve sjellin 80% të rezultateve. Studime nga Universiteti i Stanfordit tregojnë se produktiviteti bie ndjeshëm pas 50 orëve pune në javë punon më shumë, por arrin më pak.
Si ta ktheni në zakon:
-
Renditni projektet tuaja sipas ndikimit, jo urgjencës.
-
Zgjidhni tre më të rëndësishmet , ato janë prioriteti juaj absolut.
-
Para çdo detyre pyesni:
“Kjo më çon drejt rezultateve apo thjesht më mban të zënë?”
Punoni për rezultate, jo për numër detyrash. Dembelizmi strategjik nuk është dembelizëm i vërtetë. Është disiplinë. Është qartësi. Është zgjedhje e vetëdijshme për të mos u mbytur në punë të kota. Bota idealizon ngutin dhe zënien me punë, por produktiviteti i vërtetë vjen nga fokusimi. Filloni me një nga këto strategji: grumbulloni detyrat, hiqni diçka që ju merr energji kot, ose thjesht bëni një shëtitje pa telefon. Fillimisht do të ndiheni sikur po “punoni më pak”. Kjo është pikërisht shenja se po shkoni drejt drejtimit të duhur.
