media sociale

Australia, shteti i parë në botë që ndalon mediat sociale për fëmijët

Fëmijët në të gjithë Australinë do të mbeten pa qasje në mediat sociale, pas hyrjes në fuqi të një ndalimi të paprecedentë global që synon mbrojtjen e të miturve nën moshën 16 vjeç nga rreziqet online.

Ligji i ri, i pari i këtij lloji në botë, ka për qëllim të frenojë ndikimin e algoritmeve që krijojnë varësi, të parandalojë kontaktet me grabitqarë online dhe të reduktojë ngacmimet dixhitale. Zbatimi i tij po ndiqet nga afër nga qeveri dhe ligjvënës në mbarë botën.

Dhjetë platforma kryesore të rrjeteve sociale, përfshirë Instagram, Facebook, Threads, Snapchat, YouTube, TikTok, Reddit, Twitch dhe X – kanë konfirmuar se do ta zbatojnë ndalimin, përmes teknologjive të verifikimit të moshës. Megjithatë, shumica e kompanive shprehen skeptike se masa do të garantojë siguri më të madhe për fëmijët.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, e ka cilësuar ndalimin si një hap pozitiv, duke theksuar se ai ka nxitur diskutime më të gjera brenda familjeve për përdorimin e mediave sociale. Sipas tij, ndonëse ligji nuk do të jetë i përsosur dhe disa prindër apo fëmijë mund ta shkelin atë, shoqëria po dërgon një mesazh të qartë për kufijtë e pranueshëm.

Ligji u kërkon platformave të ndërmarrin “hapa të arsyeshëm” për të çaktivizuar llogaritë e përdoruesve nën 16 vjeç dhe për të parandaluar krijimin e llogarive të reja. Në rast shkeljeje, kompanitë rrezikojnë gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë.

Platformat kanë njoftuar masa të ndryshme zbatimi. TikTok dhe YouTube do të çaktivizojnë automatikisht llogaritë e përdoruesve nën moshën ligjore, ndërsa Meta ka nisur heqjen e llogarive në Instagram, Facebook dhe Threads. Twitch ka paralajmëruar një periudhë kalimtare, ndërsa platforma X ka kundërshtuar ashpër ligjin, duke e cilësuar shkelje të lirisë së shprehjes.

Disa shërbime dixhitale, si WhatsApp, Discord, Roblox dhe YouTube Kids, nuk përfshihen aktualisht në ndalim, çka ka shkaktuar debate publike, veçanërisht për Roblox. Autoritetet australiane thonë se lista e platformave do të përditësohet në vijimësi.

Verifikimi i moshës do të kryhet përmes metodave të ndryshme, përfshirë selfie me video, email-e apo dokumente zyrtare. Qeveria pohon se procesi nuk cenon privatësinë e përdoruesve.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se ndalimi mund t’i shtyjë të rinjtë drejt platformave alternative më pak të rregulluara, duke rritur rreziqet online. Për këtë arsye, autoritetet do të monitorojnë nga afër pasojat e ligjit, përfshirë ndikimin në shëndetin mendor, aktivitetin social dhe mirëqenien e fëmijëve.

Studimi i efekteve të ndalimit do të realizohet në bashkëpunim me Universitetin e Stanfordit dhe një grup ekspertësh ndërkombëtarë, ndërsa rezultatet pritet të shërbejnë si referencë për vendet e tjera që po shqyrtojnë masa të ngjashme.

cnn

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top