Një nga sfidat më të vështira për të ardhmen është se, pa ndryshuar sistemin arsimor, të gjithë mbeten mbrapa sfidave publike dhe personale. Ky fjalim në TED përqendrohet tek mënyra si mund të ripërtërihet arsimi për t’iu përshtatur botës moderne. Tregohet shembulli i “Brooklyn Steam Center”, një shkollë publike që funksionon më shumë si studio inxhinierike sesa klasë tradicionale, ku nxënësit mësojnë përmes projekteve reale, ndjekin pasionet e tyre dhe fitojnë aftësi profesionale dhe akademike.
Autori shpjegon se sistemi shkollor aktual nuk është “i prishur”, por i projektuar për epokën e fabrikave, për të standardizuar dhe përgatitur punëtorë për punë të parashikueshme. Sot, nxënësit hyjnë në një botë të ndryshuar nga teknologjia dhe IA, ku suksesi përcakton aftësitë për të mësuar vazhdimisht, bashkëpunuar, krijuar dhe kuptuar veten.
Zgjidhja që propozohet është dizajni bazuar në komunitet, që kombinon përvojën e jetës reale me praktikat dhe hulumtimet e provuara. Ky model është aplikuar me sukses jo vetëm në Brooklyn, por edhe në shkolla të tjera si Van Ness Elementary në DC dhe shkolla rurale në North Dakota. Nxënësit përfitojnë mjedise të sigurta dhe mbështetëse, ku emocioni, trupi dhe marrëdhëniet trajtohen njësoj si rezultatet akademike.
Rezultatet tregojnë se nxënësit që përjetojnë mësim të angazhuar dhe të fokusuar tek zgjidhja e problemeve kanë nota më të larta, pjesëmarrje më të mirë dhe probleme më pak disiplinore. Por, thelbi është ndjenja e përkatësisë dhe mundësia për të krijuar diçka që ka vlerë.
Fjalimi përfundon me thirrjen që “shkolla të evoluojë vazhdimisht në bashkëpunim me komunitetin’, duke e bërë të qartë se arsimi nuk duhet të dizajnohet një herë në shekull, por të jetë një proces i vazhdueshëm që ndihmon nxënësit të angazhohen dhe të transformojnë botën.
Prof. Dr. Arben Malaj
