Valët ekstreme të të nxehtit, përmbytjet e rënda dhe zjarret e fuqishme të nxitura nga ndryshimet klimatike po vijnë me një faturë marramendëse. Një studim i fundit tregon se të ardhurat globale mund të bien me rreth 19% brenda 26 viteve të ardhshme, një goditje e fortë ekonomike që do të prekë jo vetëm qeveritë dhe korporatat, por edhe individët.
Sipas Kombeve të Bashkuara, bota po shkon drejt një rritjeje gati 3°C të temperaturës globale këtë shekull, pavarësisht politikave aktuale klimatike. Kjo do të thotë se kostoja ekonomike do të bjerë në shpinën e njerëzve të zakonshëm.
Studiuesit Maximilian Kotz dhe Leonie Wenz nga Instituti i Potsdamit për Kërkime mbi Ndikimin Klimatik shpjegojnë se dëmet ekonomike deri në vitin 2049 janë “të paevitueshme” dhe shfaqen njësoj në të gjitha skenarët e mundshëm të emetimeve. Megjithatë, veprimet urgjente për uljen e ngrohjes globale mund të zbusin pasojat pas kësaj periudhe.
Ndërsa debati shpesh fokusohet tek shpenzimet e reduktimit të përdorimit të karburanteve fosile apo teknologjitë për kapjen e karbonit, studimi thekson se dëmet ekonomike të shkaktuara nga klima janë shumëfish më të larta se kostot e zbutjes.
Kërkuesit llogarisin se zbatimi i Marrëveshjes së Parisit do t’i kushtonte ekonomisë globale rreth 6 trilionë dollarë deri në vitin 2050, ndërsa dëmet nga ndryshimet klimatike deri në mesin e shekullit arrijnë në 38 trilionë dollarë gjashtë herë më shumë.
Sipas ekspertëve, strategjitë e përshtatjes mund të shmangin një pjesë të këtyre humbjeve. Shembull për këtë është Kalifornia, ku kompanitë energjetike mbyllin rrjetin elektrik për të parandaluar zjarret një masë e kushtueshme, por e domosdoshme.
Ndarje e pabarabartë e dëmeve ekonomike
Studimi thekson gjithashtu se goditja financiare nuk do të ndahet njësoj. Rajonet më të varfra do të përballen me barrën më të rëndë.
Sipas projeksioneve, Lindja e Mesme, Afrika Veriore dhe Azia Jugore pritet të pësojnë rënien më të madhe të të ardhurave, deri në 22% deri në vitin 2050. Ndërkohë, Amerika e Veriut dhe Evropa do të preken më pak, me një rënie të parashikuar prej rreth 11%.
Edhe pse SHBA-ja, një nga ndotësit më të mëdhenj historikë, pritet të pësojë dëme më të lehta se disa fqinjë, ajo nuk do të shpëtojë nga kostot e rritura për brezat e rinj.
Një analizë tjetër nga ICF, e publikuar në Consumer Reports, vlerëson se një foshnjë e lindur në SHBA në vitin 2024 mund të paguajë deri në 500,000 dollarë gjatë jetës për shkak të kostove të rritura të jetesës nga ndryshimet klimatike.
Rritja e çmimeve të sigurimeve dhe mirëmbajtjes së banesave mund të shtojë rreth 125,000 dollarë në shpenzimet e strehimit. Ndërprerjet në bujqësi dhe zinxhirët e furnizimit mund të rrisin kostot e ushqimit me 33,000 dollarë përgjatë jetës. Shpenzimet e energjisë, transportit dhe kujdesit shëndetësor pritet gjithashtu të rriten ndjeshëm.
