Shumë prej nesh e lëmë mënjanë masën kur vjen dreka e Krishtlindjes apo një vakt festiv. Por çfarë ndikimi kanë këto teprime ushqimore në trupin dhe trurin tonë?
Ushqimi është thelbësor për funksionimin e trurit, ndihmon kujtesën, përqëndrimin dhe shëndetin mendor. Një dietë e balancuar është një aleate e fortë për mirëqënien psikologjike. Por çfarë ndodh menjëherë pasi konsumojmë një vakt shumë të madh?
Gjatë ngrënies, trupi aktivizon një sërë sinjalesh që i tregojnë trurit se jemi ngopur. Këto sinjale vijnë nga hormonet e çliruara nga zorra, nga metabolitët (molekula që shpërbëjnë ushqimin për energji) dhe nga insulina që prodhohet nga pankreasi për të rregulluar nivelin e sheqerit në gjak. Ky proces quhet “kaskada e ngopjes”.
“Sinjalet vijnë nga pjesë të ndryshme të zorrëve dhe veprojnë në kohë të ndryshme,” shpjegon Tony Goldstone, profesor klinik në Imperial College London dhe endokrinolog.
Kjo kaskadë hormonale mund të lidhet edhe me përgjumjen që ndiejmë pas një vakti të rëndë , e njohur “food coma”. Megjithatë, mekanizmat e saktë ende nuk janë plotësisht të qartë, thotë Aaron Hengist, studiues postdoktoral në Institutin Kombëtar të Shëndetit në SHBA.
Për një kohë të gjatë është besuar se përgjumja vjen nga fakti që gjaku “shkon” drejt stomakut dhe largohet nga truri. Por studimet tregojnë se fluksi i gjakut drejt trurit nuk ulet pas një vakti të madh.
“Reagimi hormonal i zorrëve është si një koktej, ende nuk e dimë saktësisht se cili hormon shkakton përgjumje dhe në cilat zona të trurit,” shton Hengist.
A është e dëmshme të hamë shumë, herë pas here?
Sipas Hengist, një episod i vetëm i ngrënies së tepërt ka ndikim minimal dhe afatshkurtër në funksionimin metabolik.
Në vitin 2020, ai publikoi një studim ku u analizua çfarë ndodh kur njerëzit hanë më shumë se sa ndihen rehat, madje deri në “limit”. Katërmbëdhjetë burra të shëndetshëm morën pjesë në një eksperiment ku u kërkua të hanin pica, një herë deri në ngopje normale dhe një herë sa më shumë që mundnin.
Në rastin e dytë, ata konsumuan dyfishin e kalorive. Për katër orë u monitoruan nivelet e sheqerit në gjak, yndyrat, hormonet, oreksi dhe gjendja shpirtërore.
Rezultati? Niveli i sheqerit dhe i yndyrave në gjak nuk ishte më i lartë sesa pas një vakti normal.
“Na habiti fakti që, pavarësisht marrjes së dyfishtë të energjisë, trupi e rregulloi shumë mirë sheqerin në gjak,” thotë Hengist. Kjo ndodhi falë prodhimit më të madh të insulinës dhe hormoneve të ngopjes.
Studimi sugjeron se një teprim i vetëm nuk është aq i dëmshëm sa mendohet. Megjithatë, ai u krye vetëm te burra të rinj dhe të shëndetshëm, ndaj rezultatet nuk mund të përgjithësohen për gratë apo personat mbipeshë.
Në vitin 2021, një studim i njohur si “The Tailgate Study” analizoi efektet e të ngrënit dhe të pirët për disa orë rresht. Tetëmbëdhjetë burra mbipeshë, por të shëndetshëm, konsumuan ushqime të pasura me yndyrë e sheqer (burgerë, patate të skuqura, ëmbëlsira) dhe alkool për rreth pesë orë, duke marrë mesatarisht 5,087 kalori.
Analizat e gjakut dhe skanimi i mëlçisë treguan se shumica kishin rritje të yndyrës në mëlçi.
Studimet tregojnë se sëmundja e mëlçisë yndyrore jo-alkoolike mund të çojë në më pak oksigjen në tru dhe inflamacion të indeve cerebrale, duke rritur rrezikun për sëmundje neurologjike.
“Konsumimi i ushqimit dhe alkoolit për orë të tëra është një ngarkesë e madhe për trupin,” thotë Hengist.
Pse trupi e përballon vetëm një vakt të madh?
Përgjigjja lidhet me evolucionin.
Sipas Goldstone, njerëzit janë evoluar për të përballuar urinë, sepse mungesa e ushqimit ishte kërcënuese për jetën. Ndjenja e urisë është stresuese dhe shpesh shoqërohet me nervozizëm, fenomen i njohur si nervozizëm nga uria.
Studimet në kafshë të ndryshme tregojnë se edhe shikimi dhe aroma e ushqimit mund të qetësojnë qendrat e urisë në tru, madje para se të fillojë ngrënia.
“Njerëzit hanë për të hequr një gjendje të pakëndshme,” thotë Goldstone. Ndërsa teprica, historikisht, ka qenë më e rrallë dhe efektet e saj shfaqen më vonë.
Një studim i kryer në Gjermani analizoi efektin e një diete të pasur me yndyrë dhe sheqer për vetëm pesë ditë. Tetëmbëdhjetë burra të shëndetshëm konsumuan ushqime ultra-të përpunuara, duke shtuar rreth 1,200 kalori në ditë mbi dietën e zakonshme.
Rezultatet treguan se truri i tyre reagonte më dobët ndaj insulinës, veçanërisht në zonat që lidhen me kontrollin e oreksit dhe kujtesën.
“Gjetja kryesore ishte se truri ndryshon para trupit,” thotë Stephanie Kullmann, drejtuese e studimit. Pavarësisht se pesha nuk ndryshoi, truri i pjesëmarrësve i ngjante atij të personave mbipeshë prej vitesh.
Kjo rezistencë ndaj insulinës në tru pengon sinjalet që na thonë të ndalojmë së ngrëni kur jemi të ngopur.
