Përdorimi i inteligjencës artificiale në vendin e punës nuk është më një risi, por po kthehet në një strukturë bazë të mënyrës se si funksionojnë organizatat moderne. Ndërsa sistemet e quajtura “agentë IA” marrin gjithnjë e më shumë përgjegjësi operative, roli i menaxherit po ndryshon rrënjësisht.
Një raport i fundit nga kompania e këshillimit në lidership BetterUp, i cituar nga Digiday, tregon se 88% e organizatave tashmë përdorin inteligjencën artificiale të paktën në një funksion të biznesit, krahasuar me vetëm 55% në vitin 2023. Kjo rritje e shpejtë po transformon jo vetëm mënyrën se si punohet, por edhe mënyrën se si duhet të drejtohet puna.
Fillimisht, IA u përdor si mjet ndihmës, chatbot-ë që ofrojnë sugjerime, informacione ose asistencë teknike. Por tani po ndodh një zhvendosje më e thellë: organizatat po eksperimentojnë gjithnjë e më shumë me “agentë” IA që veprojnë në mënyrë autonome, marrin vendime dhe kryejnë detyra pa ndërhyrje të vazhdueshme njerëzore. Sipas McKinsey, 62% e kompanive janë në fazë testimi të këtyre agjentëve dhe rreth 23% i kanë integruar tashmë në disa procese konkrete.
Kjo ndryshon vetë natyrën e punës. Në vend që punonjësit të jenë ekzekutues të drejtpërdrejtë të detyrave, ata po shndërrohen në mbikëqyrës të sistemeve digjitale, duke u përfshirë kryesisht vetëm kur diçka nuk shkon sipas planit.
Roli i menaxherit po ndryshon, ai po lë pas kontrollin e detajeve të përditshme dhe po përqendrohet më shumë tek trajtimi i situatave të pazakonta, vendimmarrja etike, cilësia e punës dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore.
Kjo ngrit disa pyetje themelore për organizatat:
-
Si maten performancat kur një pjesë e madhe e punës kryhet nga algoritme?
-
Sa menaxherë duhen realisht në një kompani të mbështetur fort në IA?
-
Si ndryshon marrëdhënia mes punonjësve kur vendimet nuk merren më vetëm nga njerëz?
-
Çfarë aftësish të reja duhet të zhvillojnë drejtuesit për të qenë efektivë në këtë realitet?
Një nga sfidat më të mëdha janë trajnimet, edhe pse shumica e menaxherëve e kuptojnë rëndësinë e zhvillimit të vazhdueshëm profesional. Raportet tregojnë se shpesh ata nuk gjejnë kohë ose motivim për të ndjekur programe trajnimi. Kjo krijon një hendek mes teknologjisë që avancon shpejt dhe aftësive drejtuese që mbeten pas.
Në këtë kontekst, disa kompani po eksperimentojnë me struktura më të sheshta organizative, duke reduktuar nivelet e menaxhimit dhe duke i dhënë më shumë autonomi ekipeve me mbështetjen e inteligjencës artificiale. Madje, disa studime tregojnë se punonjësit e rinj janë relativisht të hapur ndaj idesë që algoritmet të ndihmojnë ose të marrin pjesë në vendimmarrje.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se teknologjia nuk mund të zëvendësojë plotësisht gjykimin njerëzor, empatinë, etikën dhe aftësinë për të ndërtuar besim elemente kyçe të lidershipit efektiv. Prandaj sfida nuk është thjesht të përdoret inteligjenca artificiale, por të integrohet në mënyrë të mençur në organizatë, duke ruajtur balancën mes efikasitetit teknologjik dhe vlerave njerëzore.
Në fund, transformimi nuk është vetëm teknologjik është kulturor, organizativ dhe njerëzor dhe ata që do të përshtaten më shpejt, do të jenë edhe ata që do të udhëheqin më mirë në epokën e inteligjencës artificiale.
