Arben Malaj

Pa norma morale, as tregjet nuk mbijetojnë

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

PROF. DR. ARBEN MALAJ

Në një klimë publike të dominuar nga shifra rritjeje, projeksione optimiste dhe debate teknike mbi borxhin, investimet apo normat e interesit, një element thelbësor i qeverisjes ekonomike mbetet sistematikisht i nënvlerësuar. Ajo është etika ose një tërësi normash morale. Etika përmendet shpesh si parim moral, por rrallë trajtohet si kusht funksional për stabilitetin ekonomik dhe financiar. Për lexuesin është e domosdoshme të qartësohen dy çështje bazë. Së pari, çfarë përfshin etika në ekonomi dhe tregjet financiare.

Së dyti, pse mungesa e saj nuk prodhon thjesht padrejtësi morale, por edhe kriza reale ekonomike, financa euforike dhe dështime institucionale. Etika në qeverisjen ekonomike, dhe veçanërisht në tregjet financiare, nuk është dekor. Ajo është infrastrukturë funksionale, po aq e rëndësishme sa ligji, kapitali apo rregullimi teknik. Pa të, tregjet mund të rriten përkohësisht, por nuk mund të mbijetojnë. Çfarë përfshin etika në ekonomi? Në thelb, etika ekonomike ndërtohet mbi disa shtylla morale të pandashme. Integriteti dhe ndershmëria janë kushtet e panegociueshme për mirëqeverisje. Ato kërkojnë: (i) vendimmarrje pa konflikte interesi, (ii) refuzim të korrupsionit, ryshfetit dhe përfitimeve të paligjshme, si dhe (iii) sjellje të drejtë edhe kur mungon presioni ligjor. Në tregjet financiare, integriteti është kapital i padukshëm, por vendimtar. Pa të, besimi zhduket dhe tregu shndërrohet në lojë spekulative. Transparenca është kushti i dytë që përfshin: (i) informacion i saktë, i plotë dhe në kohë për publikun dhe investitorët, (ii) standarde të qarta raportimi financiar dhe fiskal, si (iii) dhe shmangie e asimetrive informative që favorizojnë pakicën. Pa transparencë, tregjet nuk janë të lira. Ato janë të manipuluara. Llogaridhënie do të thotë që çdo vendimmarrës ekonomik mban përgjegjësi për pasojat e vendimeve të tij. Kjo kërkon institucione kontrolli të pavarura – audit, rregullatorë, parlament dhe gjykata, si dhe sanksione reale për shkeljet etike dhe ligjore. Pa llogaridhënie, gabimet përsëriten dhe rreziku akumulohet.

Drejtësia dhe barazia e trajtimit – (i) kërkojnë rregulla të njëjta për të gjithë aktorët e tregut, (ii) mbrojtje të investitorëve të vegjël dhe konsumatorëve financiarë, si dhe (iii) luftë kundër privilegjeve, monopolizimit dhe “kapjes së shtetit”. Tregjet nuk dështojnë vetëm nga mungesa e kapitalit, por edhe nga perceptimi i padrejtësisë. Menaxhimi etik i rrezikut është një tjetër shtyllë thelbësore. Ai nënkupton: (a) mostransferimin e rrezikut privat te publiku (moral hazard), (b) kujdes në kreditim, borxh publik dhe instrumente komplekse, si dhe (c) vëmendje të veçantë ndaj stabilitetit sistemik. Shumë kriza financiare nuk janë thjesht dështime teknike. Ato janë dështime etike.

Përgjegjësia afatgjatë kërkon që vendimet ekonomike të marrin parasysh brezat e ardhshëm, të ruajnë qëndrueshmërinë fiskale dhe financiare dhe të mos sakrifikojnë stabilitetin afatgjatë për përfitime politike afatshkurtra. Pavarësia institucionale është kusht kritik. Bankat qendrore dhe rregullatorët financiarë duhet të jenë të mbrojtur nga presioni politik dhe të udhëhiqen nga analiza profesionale, jo interesa elektorale. Respektimi real i ligjit dhe standardeve ndërkombëtare kërkon zbatim substancial, jo formal.

Harmonizimi me standardet e BE-së, OECD, IMF dhe BIS, si dhe luftë aktive kundër pastrimit të parave dhe evazionit fiskal, janë pjesë integrale e etikës ekonomike. Etika e komunikimit publik është shpesh e neglizhuar. Manipulimi i tregjeve përmes deklaratave politike, sinjaleve të paqarta apo premtimeve të pambështetura është formë e drejtpërdrejtë e sjelljes joetike. Së fundi, kultura etike dhe edukimi janë vendimtare. Kodet etike duhet të jenë funksionale, jo deklarative. Shembulli personal i lidershipit ka më shumë peshë se çdo rregullore. Qeverisja ekonomike pa etikë prodhon rritje të brishtë; tregjet financiare pa etikë prodhojnë kriza. Etika pa institucione mbetet moralizim.

II. Financat janë njerëz, jo vetëm modele. Financat nuk janë thjesht numra. Ato janë njerëz, emocione, frikë, lakmi dhe iluzion i pasurisë së shpejtë. Modelet klasike ekonomike e trajtojnë investitorin si aktor racional. Realiteti tregon të kundërtën. Këtë e kishte kuptuar qartë edhe Adam Smith, shpesh i reduktuar padrejtësisht vetëm te “dora e padukshme”.

Në librin e tij “The Theory of Moral Sentiments”, Smith argumenton se tregjet funksionojnë mbi (i) vetëpërmbajtjen morale, (ii) ndjenjën e drejtësisë dhe (iii) besimin reciprok. Pa norma morale, as kontratat dhe as tregjet nuk mbijetojnë. Për Smith, ekonomia ishte pjesë e rendit moral të shoqërisë, jo zëvendësim i tij. Qysh në vitin 1912, G. C. Selden në librin e tij “Psikologjia e bursave” paralajmëronte se tregu është reflektim i psikologjisë kolektive. Çmimet nuk pasqyrojnë vetëm të dhënat ekonomike, por shpresat, frikën dhe mendësinë e masës.

Një shekull më vonë, në librin e tij “Behavioral Finance” e konfirmoi këtë shkencërisht. Në shumë tregje shfaqet fenomeni i “financave euforike”. Kjo ndodh kur pritshmëritë shkëputen nga fundamentet, rreziku duket i zhdukur dhe vendimmarrja dominohet nga emocionet. Çmimet rriten vetëm sepse të gjithë mendojnë se do të vazhdojnë të rriten. Selden e përshkruante këtë si cikël emocional: qetësi, shpresë, entuziazëm, eufori, panik dhe depresion. Gabimi më i madh është të fajësohen individët. Financat euforike janë “sistemike”.

Në fazat e euforisë, sjellja e rrezikshme shpërblehet dhe skeptikët penalizohen. Siç theksonte Selden: “Tregu nuk është i gabuar, sepse njerëzit janë budallenj. Tregu është i gabuar sepse njerëzit janë njerëz”. Euforia financiare nuk është vetëm problem teknik. Ajo në thelb është problem etik. Kur kufijtë etikë mungojnë, kur përgjegjësia zëvendësohet nga justifikimi teknik dhe fitimi afatshkurtër bëhet qëllim suprem, tregjet dështojnë funksionalisht. Shqipëria e viteve ’90 mbetet shembull i qartë. Skemat piramidale nuk u ndërtuan vetëm mbi mashtrim. Ato u ushqyen nga mungesa e përvojës financiare, besimi i verbër në rritje të vazhdueshme dhe imitimi masiv. Kostoja ishte financiare, por edhe institucionale, sociale dhe morale. Pa etikë, rregullimi financiar nuk mjafton.

Ligji pa vetëpërmbajtje institucionale nuk e mbron shoqërinë. Transparenca duhet të jetë funksionale, jo formale. Edukimi financiar është politikë publike etike, jo thjesht përgjegjësi individuale. Etika është “infrastruktura e qëndrueshmërisë financiare”. Pa të, as kapitali, as likuiditeti dhe as rregullimi teknik nuk mjaftojnë. Rreziku aktual nuk është nostalgjia e skemave piramidale. Ai shfaqet politika dhe në projekte publike të mbivlerësuara, PPP optimiste pa analizë kritike dhe borxh publik me risqe potenciale në rritje. Kjo situatë përputhet me risqet e vlerësuar nga Institucionet Financiare Ndërkombëtare dhe që injorohen nga politikëbërësit. Një ekonomi e shëndetshme nuk supozon njerëz perfektë. Ajo ndërton institucione përballë papërsosmërisë njerëzore. Zgjedhja nuk është midis fitimit dhe etikës. Zgjedhja është midis fitimit afatshkurtër pa përgjegjësi dhe prosperitetit afatgjatë me integritet. Historia tregon se vetëm opsioni i dytë është i qëndrueshëm. Etika financiare nuk është dekor. Ajo është garancia për një të ardhme të sigurt.

panorama.com

Citimi i Ditës
Albanian Edition

"Mos lejo që frika të vendosë për të ardhmen tënde."

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top