Bill Gates

Bill Gates shikon me shpresë të ardhmen, por ngre tri pikëpyetje kyçe

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Bill Gates thotë se mbetet optimist për të ardhmen e botës , pavarësisht faktit se po jetojmë në “një epokë me kaq shumë sfida dhe polarizim”. Këtë qëndrim miliarderi filantrop dhe bashkëthemeluesi i Microsoft e shprehu në një postim në blog.

Sipas Gates, bota përballet me shqetësime serioze, nga ndryshimet klimatike dhe shëndeti global, te varfëria dhe tronditjet që sjell inteligjenca artificiale. Megjithatë, ai thekson se “jemi shumë më mirë sesa kur linda unë 70 vite më parë”, kryesisht falë inovacionit teknologjik dhe përparimeve në shëndetin global.

Gates beson gjithashtu se kushtet do të vazhdojnë të përmirësohen gjatë dy dekadave të ardhshme, veçanërisht për shkak të zhvillimeve që do të sjellë inteligjenca artificiale. “Unë jam ende optimist sepse shoh çfarë do të sjellë inovacioni i përshpejtuar nga IA,” shkruan ai.

Por ky optimizëm nuk është pa kushte. “Sot, optimizmi im vjen me disa kushte” paralajmëron Gates.

Ai ngre tre pyetje kyçe, të cilat, sipas tij, do të përcaktojnë drejtimin e përparimit global.

1. A do të tregojë më shumë bujari një botë gjithnjë e më e pasur?

Një raport i Fondacionit Gates, i publikuar në dhjetor, parashikon që numri i vdekjeve të fëmijëve nën 5 vjeç në botë është rrit me rreth 200 mijë gjatë vitit 2025 për herë të parë në 25 vite.

Ky është zhvillimi që, sipas Gates, e shqetëson më shumë. Ai e lidh këtë prirje me shkurtime të ndjeshme të fondeve për ndihmën ndërkombëtare nga qeveritë e vendeve të zhvilluara.

“Për 25 vjet me radhë, vdekjet e fëmijëve ranë më shpejt se në çdo periudhë tjetër të historisë. Por në vitin 2025, ato u rritën për herë të parë këtë shekull,” shkruan Gates. “Ky trend do të vazhdojë nëse nuk rikthejmë buxhetet për ndihmën globale.”

Sipas tij, përmirësimi i standardit të jetesës në botë varet edhe nga gatishmëria e vendeve të pasura dhe individëve të pasur, përfshirë edhe veten  për të ndarë më shumë nga burimet e tyre me ata që kanë më shumë nevojë.

Në maj të vitit 2025, Gates njoftoi se do të rrisë ndjeshëm donacionet e tij, si pjesë e zotimit për të dhuruar “pothuajse të gjithë” pasurinë e tij deri në vitin 2045. Pasuria e tij aktualisht vlerësohet në rreth 118 miliardë dollarë.

“Kjo ide e trajtimit të të tjerëve ashtu siç do të donim të trajtoheshim vetë nuk vlen vetëm për vendet e pasura që japin ndihmë. Ajo duhet të përfshijë edhe filantropinë e individëve të pasur, brenda dhe jashtë vendeve të tyre,” shkruan Gates.

2. A do të arrijë bota të përhapë inovacionet që ulin pabarazinë?

Optimizmi i Gates ushqehet edhe nga besimi i tij te fuqia e teknologjisë, veçanërisht e inteligjencës artificiale për të sjellë përparime të reja në mjekësi.

Ai përmend zhvillimet e mbështetura nga IA në kërkimet për Alzheimerin, kancerin, si edhe në luftën kundër sëmundjeve që prekin vendet në zhvillim, si malaria dhe kequshqyerja.

Gates ka qenë prej kohësh edhe një mbështetës i përdorimit të IA në arsim. Sipas tij, tutorët e bazuar në inteligjencë artificiale mund të shndërrohen në “mësues të shkëlqyer të shkollës së mesme”, duke ofruar mësim të personalizuar për nxënësit, pavarësisht të ardhurave apo vendndodhjes.

Në postimin e tij, ai lidh gjithashtu çështjet mjedisore me pabarazinë globale, duke paralajmëruar se ndryshimet klimatike mund t’i shtohen varfërisë dhe sëmundjeve infektive si burime të vuajtjeve masive, veçanërisht për njerëzit më të varfër të botës.

Megjithëse më herët kishte sugjeruar ridrejtimin e një pjese të fondeve për klimën drejt shëndetit dhe varfërisë, Gates thekson se do të vazhdojë të investojë dhe të dhurojë më shumë se kurrë për çështjet klimatike.

Në bujqësi, IA mund t’u ofrojë fermerëve në vendet në zhvillim këshilla më të mira dhe kultura më rezistente, për t’u përshtatur me kushtet e një klime gjithnjë e më të ngrohtë.

3. A do të arrijmë të kufizojmë pasojat negative të inteligjencës artificiale?

Edhe pse një optimist i deklaruar i IA-le, Gates pranon se teknologjia mbart rreziqe serioze. Ai veçon dy sfida kryesore për 20 vitet e ardhshme, përdorimin e IA nga aktorë keqdashës dhe ndikimin e saj në tregun e punës.

“Të dyja janë rreziqe reale që kërkojnë menaxhim më të mirë,” shkruan ai. Sipas Gates, qeveritë dhe industria e teknologjisë duhet të jenë shumë të kujdesshme në mënyrën se si kjo teknologji zhvillohet, rregullohet dhe përdoret.

Megjithatë, ai kundërshton idenë se IA do të shkatërrojë në mënyrë dramatike perspektivat e punëtorëve njerëzorë. Përkundrazi, ai beson se këto aftësi të reja mund të shpërndahen në mënyrë që të përfitojnë të gjithë, përfshirë edhe mundësinë e javëve më të shkurtra të punës.

Ky optimizëm, sipas Gates, mbështetet në dy cilësi themelore njerëzore, aftësinë për të parashikuar problemet dhe për t’u përgatitur për to, si edhe aftësinë për t’u kujdesur për njëri-tjetrin.

“Këto dy cilësi , parashikimi dhe kujdesi, janë arsyeja pse unë kam shpresë,” përfundon Gates. “Për sa kohë që i ushtrojmë ato, besoj se vitet që vijnë mund të jenë vite të përparimit real.”

cnbc.com

Citimi i Ditës
Albanian Edition

“Durimi është fuqia.”

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top