Meta

Meta ndryshon sistemin e vlerësimit, shpërblime për punonjësit më të mirë

Meta po riformaton mënyrën se si vlerëson punonjësit e saj, duke vendosur theks të fortë te shpërblimi i performancës së lartë. Sipas pamjeve të brendshme të një memorandumi të shpërndarë te punonjësit, të siguruara nga Business Insider, kompania do të ofrojë shpërblime që arrijnë deri në 300% të bonusit bazë për një numër të kufizuar punonjësish me performancë të jashtëzakonshme.

Gjiganti i rrjeteve sociale po prezanton një program të ri vlerësimi të quajtur “Checkpoint”, i cili riorganizon sistemin  në katër kategori kryesore. Zbatimi i tij pritet të nisë në mes të vitit 2026, me synimin për ta bërë procesin e vlerësimit më pak burokratik dhe më të fokusuar te rezultatet konkrete.

“Shkalla e re pasqyron një realitet që e dimë mirë, shumica e punonjësve në Meta janë performues të nivelit të lartë, që krijojnë vazhdimisht ndikim domethënës,” thuhet në memo.

Si do të shpërndahen vlerësimet dhe bonuset

Sistemi i ri parashikon këto kategori dhe shumëfishues bonusesh:

  • Outstanding (~20%) – 200% shumëfishues individual, për punonjësit me ndikim të jashtëzakonshëm, përtej pritshmërive

  • Excellent (~70%) – 115% shumëfishues individual, që konsiderohet “standardi bazë i kulturës së performancës së lartë”

  • Needs Improvement (~7%) – 50% shumëfishues individual, për punonjës me mangësi në performancë, nga të cilët pritet përmirësim

  • Not Meeting Expectations (~3%) – 0% shumëfishues individual, për ata që nuk përmbushin standardet e Metës

Përveç kësaj, Meta po prezanton edhe një çmim të ri , “Meta Award”, që ofron një shumëfishues 300% për një grup shumë të vogël punonjësish që sjellin “ndikim vërtet të jashtëzakonshëm”.

Një zëdhënës i kompanisë tha për Business Insider se Meta po e evoluon programin e performancës për ta thjeshtuar dhe për të vënë më shumë theks te shpërblimi i arritjeve të spikatura, duke mundësuar gjithashtu feedback më të shpeshtë dhe njohje më efikase.

Sipas memorandumit, shumica e punonjësve do të klasifikohen te kategoria “Excellent”, pasi Meta vlerëson se “shumica e stafit janë performues të fortë që krijojnë vazhdimisht vlerë”.

Dy cikle vlerësimi dhe pagesa dy herë në vit

Meta do të organizojë një takim të përgjithshëm me punonjësit më 22 janar, për të shpjeguar ndryshimet dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve. Sistemi i ri do të zbatohet për vitin e performancës 2026 dhe nuk ndikon në ciklin aktual.

Në kuadër të “Checkpoint”, kompania do të kalojë në dy cikle vlerësimi në vit, në mes të vitit dhe në fund të tij, duke përdorur të njëjtën shkallë notimi në të dyja periudhat. Bonuset do të paguhen dy herë në vit, ndërsa grantet vjetore të aksioneve do të bazohen në mesataren e dy vlerësimeve, jo më në një të vetme. Rritjet e pagës do të vazhdojnë të ndodhin një herë në vit, pas ciklit të dytë.

Meta e prezanton këtë riorganizim edhe si një mënyrë për të kursyer kohë. Sipas kompanisë, menaxherët shpenzojnë rreth 80 orë në vit për procese vlerësimi, ndërsa punonjësit në total rreth 330 mijë orë për feedback nga kolegët. Megjithatë, më pak se 25% e menaxherëve thonë se ky feedback është vërtet i dobishëm.

“Checkpoint” vjen pas deklaratave të Mark Zuckerberg, i cili e cilësoi vitin 2025 si një vit “intens”, duke paralajmëruar forcim të menaxhimit të performancës, përfshirë largimin e rreth 5% të punonjësve me rezultate të dobëta.

Në vitet e fundit, Meta ka ashpërsuar kriteret e vlerësimit, përfshirë edhe zgjerimin e numrit të punonjësve që menaxherët duhet të rendisin në kategoritë më të ulëta. Gjithashtu, kompania planifikon të vlerësojë gjithnjë e më shumë performancën bazuar në ndikimin e matur nga inteligjenca artificiale.

Ndryshime të ngjashme po ndodhin edhe te gjigantë të tjerë të teknologjisë si Google dhe Amazon, të cilët po rishikojnë sistemet e tyre të vlerësimit dhe shpërblimit për të nxitur performancën e lartë.

Citimi i Ditës
Albanian Edition

“Mos u ndal kurrë së bëri më të mirën tënde.”

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top