Kjo mungesë e një strategjie të integruar krijoi një “hinkë”, ku mijëra dosje hyjnë çdo muaj, por vetëm pak prej tyre dalin me një vendim. Eksperienca si ish-ministër i Financave gjatë shpërbërjes së kompanive piramidale më 1997 më ka mësuar një leksion mbi negociatat me partnerët ndërkombëtarë: donatorët shpesh orientohen nga suksesi i tyre, por ne duhet ta lehtësojmë suksesin e tyre pa krijuar kostot që padrejtësisht paguajnë rëndë qytetarët tanë. Kur zgjodhëm kompaninë “Deloitte & Touche” për auditimin e piramidave kërkova si të panegociueshme që edhe kjo periudhë të auditohej. Fillimisht donatorët e konsideronin këtë auditim të panevojshëm dhe të pafinancuar prej tyre. Këmbëngula se mosauditimi i asaj periudhe do të ishte mungesë transparence ndaj një popullate që humbi gjithçka. Negociuam gjatë, kërkesa u respektua, donatorët financuan për këtë auditim ligjërisht dhe moralisht të detyrueshëm. Parlamenti dhe qeveria duhet të kishin këmbëngulur te partnerët tanë strategjikë që Reforma në Drejtësi të mos ishte vetëm një proces spastrimi (Vetting). Nuk mund të ketë sukses të reformës të plotë dhe integrale, nëse ajo kthehet në një makth pritjeje dhe kosto të rënda për palët në procese gjyqësore.
Të dhënat zyrtare të monitoruara nga CEPEJ dhe Raport-Progresi i Komisionit Evropian 2025 vizatojnë një tablo, që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Nëse shohim treguesin e “Disposition Time” (kohën e parashikuar për zgjidhjen e një çështjeje), Shqipëria ka mbërritur e kaluar në kufij kritikë. Nga rreth 8 vite që ishte mesatarja në Gjykatën e Lartë para reformës, sot koha për një vendim ka kaluar mbi 15 vite pritjeje. Estonia e zgjidh një çështje civile mesatarisht për 105 ditë. Polonia kërkon 310 ditë, ndërsa Serbia 520 ditë. Shqipëria mbetet në fund të listës me mbi 1,100 ditë vetëm për shkallën e parë, me një shkallë efikasiteti (Clearance Rate) prej rreth 75%, që tregon se çdo vit stoku i dosjeve vetëm sa rritet. Ky stok dosjesh është një pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik, i cili pa drejtësi të shpejtë është si një ndërtesë pa themele; herët a vonë do të rrezikohet nga pesha e konflikteve të pazgjidhura. Asnjë investitor serioz nuk guxon të investojë kapital në një vend ku titulli i pronësisë mbetet peng i gjykatave për një dekadë e gjysmë. Ky kapital i “ngrirë” nuk qarkullon.
Vonesat në drejtësi janë një kosto e rëndë edhe mbi shtresën më të pambrojtur, duke thelluar varfërinë. Për një familje me të ardhura minimale, një konflikt pronësie që zgjat 10 vite do të thotë pamundësi për të shfrytëzuar pasuritë e patundshme për ta lënë si kolateral. Pasuritë e paangazhuara në qarkullimin ekonomik pengojnë uljen e papunësisë dhe varfërisë. Një çështje punësimi që zgjat 4 vite e lë të shkarkuarin padrejtësisht nga puna dhe familjen e tij deri në mbijetesë. Ky është momenti kur drejtësia e vonuar kthehet në një dënim ekonomik. “Shteti i së drejtës është ajo që e dallon një vend të lirë nga një vend nën qeverisje arbitrare. Shteti ligjor është premisa kryesore e paqes sociale dhe e përparimit” do të theksonte Friedrich Hayek, Laureat i Çmimit Nobel në Ekonomi. Përveç kostos sociale, Shqipëria rrezikon të përballet edhe me “Faturën e kripur të Strasburgut”.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJDNJ) po administron paditë për shkeljen e Nenit 6 të Konventës (gjykimi brenda një afati të arsyeshëm). Me afate 15-vjeçare, Shqipëria është në shkelje. Ky është një borxh i fshehur publik, që do të shpërthejë në formë gjobash dhe dëmshpërblimesh të rënda, të cilat do të paguhen nga taksapaguesit. Po kështu, shumë prej të shkarkuarve nga Vetting-u i janë drejtuar GJDNJ-së dhe disa kanë fituar, duke krijuar një kosto shtesë mbi buxhetin e shtetit. Por, ka edhe dritë shprese. Suksesi i SPAK-ut ka rritur besimin publik se kultura e të pandëshkueshmëve, qoftë edhe përkohësisht do mbetet një kujtim nga e shkuara jo shumë e largët.
Investimet në sistemin e digjitalizuar CISM dhe rritja e produktivitetit në Gjykatën e Lartë gjatë vitit 2025 tregojnë se makineria po fillon të lëvizë. Donatorët dhe qeveria duhet të pranojnë se faza e “pastrimit” ka përfunduar; tani jemi në fazën e emergjencës për “shërbim”. Estonia për pretendime deri në 7,500 euro e ka kaluar gjykimin te robotët e IA, duke liruar gjyqtarët për dosjet komplekse. Reforma nuk duhet të jetë një proces i mbyllur dhe i ngurtë; ajo duhet të reduktojë drejtësinë e vonuar si drejtësi të mohuar. Qëndrueshmëria financiare e Shqipërisë dhe integrimi ynë në BE varen nga shpejtësia me të cilën do të zgjidhim këtë “infarkt” juridik. Rrezikohemi që pa një drejtësi të paanshme dhe profesionale, do të mbetemi peng i një tranzicioni të pafund. Aktualisht ka një diskutim midis dy opsioneve: BE kërkon plotësimin e shpejtë të vakancave në sistemin gjyqësor, ndërsa qeveria ofron lehtësimin e mbingarkesës përmes ekspertëve ndërmjetës. Nuk duhet të vonohemi për t’i ndërthurur të dyja opsionet.
panorama.com.al