Puna në më shumë se një shtet rrit ndjeshëm aftësinë e përshtatjes, vetëbesimin dhe inteligjencën kulturore të punonjësve. Në tregun unik europian, 17% e kërkuesve të punës kanë përvojë pune ndërkombëtare, duke provuar jetën dhe karrierën përtej kufijve të vendit të tyre.
Mundësia për të punuar jashtë vendit ka një ndikim të fortë në ndërtimin e karrierës, pasi punonjësit zhvillojnë aftësi që shpesh nuk do t’i kishin përvetësuar në vendin e origjinës. Falë statusit të Europës si treg i vetëm, numri i personave që kanë punuar jashtë vendit është relativisht i lartë, por cilat vende europiane kanë nivelin më të madh të kësaj eksperience?
Platforma e punësimit Indeed i përkufizon “punonjësit ndërkombëtarisht të lëvizshëm” si individë që kanë të paktën një përvojë pune në një vend tjetër nga ai ku jetojnë aktualisht.
Sipas të dhënave të Indeed, në fund të vitit 2025, 16.7% e kërkuesve të punës në tregun unik europian kishin përvojë pune jashtë vendit. Për krahasim, në Shtetet e Bashkuara vetëm 5.1% e punonjësve konsiderohen ndërkombëtarisht të lëvizshëm.
“Pesha e lartë e punonjësve me eksperiencë ndërkombëtare në Europë pasqyron si politikat që mbështesin lëvizshmërinë, ashtu edhe vlerën që i jepet përvojës profesionale ndërkufitare”, shprehet Sneha Puri, analiste e politikave të emigracionit pranë Indeed.
Të dhënat e Indeed përfshijnë tetë vende europiane, një prej të cilave nuk është më pjesë e tregut unik, dhe tregojnë se niveli i përvojës ndërkombëtare të punës ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.
Zvicra kryeson renditjen, me më shumë se gjysmën e kërkuesve të punës (51%) që raportojnë përvojë pune jashtë vendit. Pas saj renditet Irlanda, me 42%. Këto dy vende konsiderohen raste të veçanta.
“Ekonomitë relativisht më të vogla, si Zvicra dhe Irlanda, mund të shfaqin përqindje më të larta të punonjësve ndërkombëtarisht të lëvizshëm, sepse edhe flukset modeste përfaqësojnë një peshë më të madhe në raport me forcën e tyre punëtore totale”, shpjegon Puri për Euronews Business.
Gjermania renditet e treta, me rreth një të katërtën e kërkuesve të punës që kanë përvojë pune jashtë vendit. Ky nivel është gjithashtu më i lartë se në Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku mbi një në pesë kërkues pune ka punuar jashtë vendit.
Ndërkohë, Holanda dhe Franca rezultojnë mbi mesataren e tregut unik për sa i përket përvojës ndërkombëtare të punës.
Sipas Sneha Puri, disa faktorë ndikojnë në ndryshimet e nivelit të lëvizshmërisë ndërkombëtare të punonjësve në Europë.
“Afërsia gjeografike luan një rol kyç në lëvizjen brenda tregut unik. Vendet që ndodhen pranë disa tregjeve të mëdha të punës përjetojnë më shumë mobilitet ndërkufitar”, thekson ajo.
Në rastin e Zvicrës, punonjësit me përvojë ndërkombëtare mund të vijnë lehtësisht nga vendet fqinje si Austria, Franca, Gjermania, Italia dhe Lihtenshtajni.
Gjithashtu, disa vende europiane tërheqin më shumë emigrantë ndërkontinentalë, për shkak të pranisë së korporatave shumëkombëshe ose numrit të lartë të studentëve ndërkombëtarë.
“Një nga faktorët më të rëndësishëm mbetet numri real i punonjësve në ekonomi”, shton Puri, duke iu referuar sërish Zvicrës dhe Irlandës.
Të dhënat e Indeed tregojnë se kërkuesit e punës në tregun unik europian po shfaqin gjithnjë e më shumë interes për punë jashtë vendit, si brenda BE-së, ashtu edhe përtej saj.
