Në Qytetin Bridal Huqiu në Suzhou, një nga tregjet më të mëdha të fustaneve të dasmave në Kinë, shitësit shprehin optimizëm se tendenca pozitive e martesave do të vazhdojë këtë vit. Rritja e martesave gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025 shihet si një shenjë e ndritshme në një panoramë të popullsisë që përndryshe duket e zymtë.
Të dhënat zyrtare, tregojnë se norma e lindjeve arriti nivelin më të ulët historik vitin e kaluar, ndërsa popullsia totale ra për herë të katërt radhazi. Megjithatë, norma e martesave u rrit me 8.5% gjatë nëntë muajve të parë të 2025, sipas Ministrisë së Çështjeve Civile, duke u mbështetur nga ndryshimet në politika dhe faktorë kulturorë favorizues. Kjo rritje rrit mundësinë që numri i përgjithshëm i martesave këtë vit të ndalë një trend të zbritjes që ka vazhduar pothuajse pa ndërprerje për më shumë se një dekadë.
Qyteti ka më shumë se 800 dyqane të mbushura me fustane prej tafete, mëndafshi dhe dantelle, që presin çiftet e reja. Një ndryshim politik kombëtar në maj 2025, që lejonte çiftet të martoheshin kudo në Kinë dhe jo vetëm në vendbanimin e tyre, gjithashtu kontribuoi në ringritje, sipas Chen dhe shitësve të tjerë.
Si pasojë, qeveritë lokale u përpoqën të tërhiqnin një valë të re turistësh martese, duke vendosur zyra regjistrimi në pikat turistike, festivale muzikore dhe madje në stacionet e metrosë, qendrat tregtare dhe parqe. Chen pret që rritja të vazhdojë, falë vitit të favorshëm të horoskopit kinez, Vitit të Kalit, i cili konsiderohet një periudhë suksesi.
Megjithatë, ajo theksoi nevojën për më shumë stimuj nga qeveria për të bërë një ndryshim të prekshëm. “Nëse qeveria mund të nisë disa politika stimuluese, kjo do të ishte shumë e mirë, sepse qëndrimet e të rinjve ndaj martesës kanë ndryshuar,” tha ajo.
Interesi në rënie për martesë dhe familje tek të rinjtë kinezë lidhet kryesisht me kostot e larta të kujdesit për fëmijët dhe arsimit. Disa qytete kanë nisur masa si kupona monetar për të rinjtë që martohen, për të stimuluar qytetarët të lidhen me martesë.
Zhu Jiaomei, 31 vjeçe, e cila merret me shitjen e fustaneve të dasmës të punuara me porosi, thotë se gjendja e ekonomisë është faktori kryesor që ndikon si në vendimin për t’u martuar, ashtu edhe në shumën që çiftet janë të gatshme të shpenzojnë për fustanin e nusërisë. “Ajo që ka më shumë rëndësi është përmirësimi i ekonomisë dhe rikthimi i besimit te e ardhmja. Aktualisht, tregu i punës është më i paqëndrueshëm dhe për pasojë njerëzit shpenzojnë më pak,” shprehet ajo, duke theksuar se buxhetet janë përgjysmuar krahasuar me periudhën para pandemisë COVID-19.
Në Kinë, është zakon që prindërit e dhëndrit të ndihmojnë djalin me blerjen e një apartamenti dhe një makine, si dhe ndonjëherë edhe një lloj dhurate martesore, para se të zhvillohet ceremonia. Cheng vlerëson se kjo do t’u kushtojë të paktën një milion yuan për secilin djalë. “Presioni për ne është i madh, por po bëjmë më të mirën tonë,” tha ajo. “Shpresoj që sa më shumë njerëz të martohen, që biznesi ynë të rritet dhe fëmijët tanë të jetojnë më të lumtur.”
