Viti 2026 shënon një moment të veçantë, 10 vjet të Qendrës Social-Kulturore “Edhe Unë Mundem”, një hapësirë ku çdo aktivitet, çdo ide dhe çdo përpjekje është bërë për tu dhënë mundësi të barabarta personave me aftësi të kufizuara. Ky rrugëtim nuk është vetëm histori suksesi, por tregim i përkushtimit, durimit dhe dashurisë që ndryshon jetën e njerëzve çdo ditë.
Një histori që pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të Violet Gjonit në fuqizimin, përfshirjen dhe mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve, duke dëshmuar se ndryshimi i vërtetë vjen hap pas hapi, por nuk ndalet kurrë.
Sipas Violetës grupi i punës kryesisht nëna me të njëjtin hall, janë gjithmonë në kërkim të shërbimeve për fëmijët e tyre dhe të kësaj kauze ku çdo arritje është rezultat i durimit dhe i punës së palodhur, veçanërisht kur synimi është përfshirja dhe barazia e mundësive për të gjithë. Ky është fillimi dhe vazhdimi i përpjekjeve të tyre kur meqenëse organet përgjegjëse nuk i ofrojnë këto mundësi.
Historia fillon në 2016, ku një ide e vogël u bë realitet, një qendër për fëmijët dhe të rinjtë me AK të ndihen të dëgjuar, të vlerësuar dhe të përfshirë. Aktivitetet e para ishin të thjeshta: lojëra, punë manuale, stërvitje fizike dhe momente sociale, por secila prej tyre kishte një ndikim të madh në vetëbesimin dhe aftësitë e pjesëmarrësve. Përkushtimi i vullnetarëve dhe mbështetja e familjeve u bënë themeli i çdo arritjeje.
2017, me këmbëngulje u krijuan kurset e para të koreografisë dhe të artit e zejeve për të rinjtë me aftësi të kufizuara, njëkohësisht me formalizimin ligjor dhe pajisjen me NIPT të Qendrës Social-Kulturore “Edhe Unë Mundem”, nismë që në atë periudhë u mbështet edhe nga artizania Antoneta Tafa.
Viti 2021 ishte viti i konsolidimit dhe sfidave të para serioze. Pa ndonjë projekt buxhetor dhe me mjete minimale, çdo aktivitet kërkonte këshillim, imagjinatë dhe zemër, por ishin të pandalshëm në endrrat e tyre.
“Kam hasur vështirësi në atë periudhë. Pas shumë takimesh me nënat, ku ua prezantoja nismën si një mundësi të mirë për fëmijët e tyre, përballesha shpesh me mosbesim. Megjithatë, këmbëngulja ime bëri që numri i përfituesve të rritej shumë shpejt. Telefoni nuk pushonte çdo ditë nga prindër që kërkonin informacion dhe shumë shpejt fëmijë e të rinj që deri atëherë qëndronin në shtëpi pa asnjë shërbim, nisën të kërkonin të na bashkoheshin.
Filluam menjëherë përpjekjet për të siguruar një mjedis në shkolla që të funksiononim si Qendër Komunitare. Më në fund, kërkesa jonë u miratua nga Drejtoria e Sporteve në Bashkinë Tiranë. Gjithçka u organizua me kujdes dhe bashkëpunimi me mësuesen e edukimit fizik, Luftare Bajraktari, një nënë po aq e përkushtuar sa edhe unë e cila erdhi në kohën dhe vendin e duhur.
Kështu formuam Klubin Stërvitor “Edhe Unë Mundem” dhe nisëm menjëherë stërvitjet në ambientet e shkollës “Dhora Leka”, ku patëm një mbështetje të madhe nga drejtoresha e saj, znj. Klodiana Koxhaj,” tregon Violeta.
Ky klub nuk ishte vetëm një hapësirë për stërvitje fizike, por një mjedis ku të rinjtë me aftësi të kufizuara mësonin disiplinën, bashkëpunimin dhe besimin në vetvete. Sfidat ishin të shumta: mungesa e hapësirave, mjeteve, buxhetit dhe mbështetjes institucionale. Megjithatë, këmbëngulja vazhdoi. Një lidere që nuk hoqi dorë, një mësuese që ishte si nënë për çdo fëmijë dhe një rrjet familjarësh që besuan në këtë nismë, bënë të mundur një fillim të rëndësishëm për klubin.
Në vitin 2022, Violeta, së bashku me Xhoana Nokaj, themeluan një tjetër klub stërvitor në bashkëpunim me Progetto Filippide, pranë Universitetit të Sporteve. Në këtë iniciativë u përfshinë edhe 10 të rinj me aftësi të kufizuara, duke zgjeruar më tej mundësitë për përfshirje sportive dhe sociale.
Në këtë vit që u krijua Progetto Filippide Albania ishte një hap drejt ndërkombëtarizimit, ku aktiviteti fizik dhe pjesëmarrja ndërkombëtare hapën dyert për mundësi të reja për të rinjtë me AK. Çdo vit, këta të rinj kanë mundësinë të marrin pjesë në Run for Autism në Romë. Ku edhe pse pa mbështetje të konsiderueshme institucionale, ata stërviten intensivisht dhe garojnë përtej kufijve, duke përfaqësuar vendin e tyre me përkushtim. Megjithatë, përpjekjet dhe arritjet e tyre shpesh kalojnë pa u vlerësuar në mënyrë të dukshme, ndryshe nga praktika për sportistët e tjerë që nderohen pas kthimit nga aktivitetet ndërkombëtare. Fokusimi i mbështetjes dhe promovimeve shpesh shkon tek projektet më të mëdha ose ato me interes specifik, duke i lënë aktivitetet për përfshirje dhe zhvillim të vazhdueshëm të komunitetit më pak të dukshme.
Promovimi i sportistëve të elitës është i natyrshëm dhe i dëshirueshëm, por sfida lind kur promovimi bëhet pa ofruar shërbime ose stërvitje të vazhdueshme për atletët. Shpesh, projektet që miratohen kanë fokus kryesisht promovues, ndërkohë që mungojnë iniciativat konkrete për zhvillimin e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara.
Në disa raste, organizata që prezantohen si “gjithëpërfshirëse” ftojnë në aktivitete atletë që janë stërvitur vazhdimisht në Klubin Stërvitor “Edhe Unë Mundem” ose në Progetto Filippide. Pjesëmarrja e tyre nuk identifikohet gjithmonë si bashkëpunim dhe arritjet shpesh promovohen si iniciativa e organizatorit edhe pse nuk është dhënë mbështetje direkte në stërvitje. Kjo evidenton një nevojë për rritjen e transparencës dhe vlerësimin e kontributeve të të gjithë aktorëve në zhvillimin e komunitetit.
Mes këtyre vështirësive, vite më vonë këmbëngulja dhe dëshira bënë të mundur konsolidimin e Klubit i cili u kthye në një hapësirë aktive për stërvitje dhe pjesëmarrje sportive, duke shtrirë aktivitetet në palestra shkollash dhe duke përfshirë nënat në organizim dhe koordinim. Kjo e përkthyer me shumë tituj kampionësh si fitues të disa kampionateve në Sportin Gjithëpërfshirës .
Mbështetja e pakushtëzuar nga Etleva Rrapa mikeshë e qendrës ka qenë shumë i shpeshtë, duke i dhënë zë mediatik kauzës sonë ishte gjithashtu shumë pozitiv në çdo arritje dhe sigurisht mbeshtetja dhe besimi nga vetë familjet e këtyre të rinjve ka qenë çelësi i të gjithë sukseseve në këto vite duke bërë të mundur që çdo aktivitet të organizohej më së miri dhe çdo fëmijë të ndihej i vlerësuar.
Viti 2023 u shënua nga kontributi i Fatma Methasani, e cila u përfshi aktivisht në forcimin e aktiviteteve dhe në mbështetjen e vazhdueshme të të rinjve me AK. Prania dhe angazhimi i saj ndihmuan në ruajtjen e stabilitetit të programeve dhe në rritjen e cilësisë së përfshirjes sociale dhe kulturore.
Në vitin 2024, kontributi i Arisa Lekgjonaj solli një energji të re në rrugëtimin e qendrës. Angazhimi i saj u reflektua në organizimin e aktiviteteve, në mbështetjen e të rinjve dhe në forcimin e frymës bashkëpunuese, duke ndihmuar që “Edhe Unë Mundem” të vijonte misionin e saj me vizion dhe besim.
Viti 2025 shënoi sërish kontributin e Fatma Methasani, këtë herë në një fazë më të pjekur të qendrës. Angazhimi i saj ndihmoi në vijimësinë dhe përforcimin e aktiviteteve ekzistuese, si dhe në mbështetjen e një modeli që tashmë ishte kthyer në referencë për përfshirjen dhe fuqizimin e personave me AK. Me mikëpritjen e drejtoreshës Jamdiella Çipa të shkollës Ahmet Gashi u zgjerua edhe pjesmarrja e grupeve stërvitore.
Tashmë 2026 është nisur nga mbështetja e një grupi sportdashës të një aktiviteti në Dibër “Futboll Buzë Drinit” Fushë-Ali e iniciuar nga gazetari Dëfrim Methasani dhe Robert Bitri ( prind i nje fëmije me AK) ku deri në muajin maj do të realizojmë stërvitjen intensivisht, falë këtyre njerëzve human .
“Mirënjohja jonë për këta njerëz humanë, që kanë luajtur një rol kyç në këtë vazhdimësi kaq të përzemërt, shprehet jo vetëm përmes dashamirësisë dhe respektit ndaj tyre, por edhe përmes transparencës që na karakterizon si një grupim prindëror nismëtar dhe këmbëngulës për fëmijët tanë. Misioni ynë do të vazhdojë edhe pas muajit maj.” ,” tregon Leta Gjoni, bashkëthemeluese e Qendrës Social-Kulturore “Edhe Unë Mundem”.
Ajo bën një thirrje të hapur për të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen kësaj nisme: çdo kontribut, sa i vogël qoftë, është i mirëpritur dhe do të pranohet me mirënjohje dhe dashamirësi.
Për shumë persona me aftësi të kufizuara, suksesi nuk matet me medalje apo tituj, por me përditshmërinë dhe sfidat që përballojnë çdo ditë. Qendra “Edhe Unë Mundem” ka ofruar hapësira ku fëmijët dhe të rinjtë mund të marrin pjesë në aktivitete sociale, kulturore dhe sportive, megjithëse shpesh mungojnë burimet, hapësirat dhe mbështetja institucionale.
Pjesëmarrësit përballen me vështirësi reale: kufizime fizike, mungesë shërbimesh të specializuara dhe pak mundësi për zhvillim të qëndrueshëm. Megjithatë edhe përballë këtyre sfidave, qendra ofron një hapësirë ku ata mund të praktikojnë aftësitë e tyre, të bashkëpunojnë me të tjerët dhe të ndihen pjesë e komunitetit.
Elda, vajza e Violetës, nuk është dorëzuar kurrë përballë sfidave të saj shëndetësore. Historia e saj na tregon se kur nuk dorëzohesh dhe beson tek njerëzit, çdo ëndërr mund të bëhet realitet.
