Lamtumirë Valentino Garavani, perandori i modës

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Valentino Garavani është ndarë nga jeta në moshën 93-vjeçare, në Romë – qytetin që e zgjodhi si atdhe shpirtëror dhe profesional. Me largimin e tij, moda humbet jo vetëm një nga stilistët më të mëdhenj të shekullit XX, por një figurë që tejkaloi kufijtë e industrisë për t’u kthyer në simbol kulture, elegance dhe vizioni estetik.
Nuk është e nevojshme të jesh njohës i modës për të kuptuar peshën e kësaj humbjeje. Emri Valentino është i njohur përtej trendeve, brezave dhe shijeve. Krijimet e tij nuk kanë ndjekur thjesht modën; ato kanë ndikuar mënyrën se si gratë e kanë parë veten. “Çfarë duan gratë? Të jenë të bukura”, thoshte ai. Një fjali e thjeshtë, por që përmbledh filozofinë që e udhëhoqi nga themelimi i shtëpisë së tij të modës në Romë, në vitin 1959, deri në tërheqjen nga pasarelat në vitin 2007.

Valentino Garavani lindi në Voghera më 11 maj 1932. Që fëmijë, sipas rrëfimeve të tij, ishte i magjepsur nga e bukura. Një nga momentet që u kthye në legjendë ishte vizita në Operën e Barcelonës, ku, i rrethuar nga gra elegante të veshura me të kuqe, kuptoi fuqinë universale të këtij ngjyri. Aty u shënua fillimi i asaj që më pas do të njihej si “e kuqja Valentino” – një shenjë dalluese, por jo e vetmja e trashëgimisë së tij.
Pas studimeve në Milano, në vitin 1949 ai u zhvendos në Paris, ku ndoqi École des Beaux-Arts dhe Chambre Syndicale de la Couture Parisienne. Vetëm 17 vjeç, në një kohë kur dizajnerët italianë nuk gëzonin reputacion të lartë në Francë, Valentino u imponua me talentin e tij. Fitoi Woolmark Prize, punoi fillimisht me Jean Dessès dhe më pas me Guy Laroche, përpara se të vendoste të kthehej në Itali dhe të niste rrugën e tij të pavarur.

Roma e viteve ’60 ishte qendra e modës italiane dhe Valentino e kuptoi këtë më mirë se kushdo. Takimi me Giancarlo Giammetti në vitin 1960 – një student i ri arkitekture – do të rezultonte vendimtar. Nga ky bashkëpunim lindi një nga partneritetet më të forta në historinë e modës: Valentino si krijues absolut, Giammetti si mendje strategjike dhe menaxheriale. Së bashku ndërtuan një perandori.
Debutimi ndërkombëtar erdhi në vitin 1962 në Sala Bianca të Pitti-t në Firence, por momenti që e shndërroi Valentino-n në ikonë globale ishte viti 1967, me koleksionin e famshëm “Bianca”, një sfilatë e tëra në të bardhë, në kundërshtim të plotë me frymën psikadelike të kohës. Një rrezik i madh, por edhe një sukses i jashtëzakonshëm, që e konsolidoi atë si një vizionar.

Nga Jackie Kennedy – që veshi Valentino-n si në funeralin e John F. Kennedy-t, ashtu edhe në martesën me Aristotele Onassis – deri te Sophia Loren, Elizabeth Taylor, Julia Roberts, Cate Blanchett dhe shumë të tjera, gratë më të fuqishme dhe më të famshme të botës u kthyen në ambasadore të stilit të tij. Valentino kishte një aftësi të rrallë: të krijonte veshje që i shërbenin gruas, jo anasjelltas.
Edhe pas përfundimit të marrëdhënies sentimentale, Valentino dhe Giammetti mbetën të pandarë. Ata ndërtuan një familje të zgjeruar, një “klan” elegant që përfshinte miq, bashkëpunëtorë dhe figura të artit e kulturës. Parisi u bë baza e haute couture-it të tij, ndërsa Roma mbeti zemra emocionale e markës.

Në vitin 1998, Valentino shiti markën për 300 milionë dollarë, shumë përpara se ky të bëhej një trend në industri. Në vitin 2007, ai i dha fund karrierës me një lamtumirë madhështore në Romë: sfilata, ekspozita dhe një festë përballë Koloseut – një mbyllje simbolike për një epokë.

Dokumentari Valentino – The Last Emperor (2009) e tregoi për herë të parë publikisht edhe anën e brishtë të këtij largimi, por gjithashtu konfirmoi dashurinë dhe respektin që publiku kishte për të. Një standing ovation pas tjetrës, në çdo qytet ku u shfaq filmi.
Trashëgimia e tij vazhdoi përmes dizajnerëve që ai vetë i kishte zgjedhur: Pierpaolo Piccioli dhe Maria Grazia Chiuri, dy nga emrat më të rëndësishëm të modës bashkëkohore. Edhe pas tërheqjes, Valentino mbeti i pranishëm, kritik dhe i vëmendshëm ndaj zhvillimeve të industrisë, shpesh skeptik ndaj kulturës së influencer-ëve dhe estetikës së shpejtë.

Një nga imazhet më prekëse mbetet ai i vitit 2019, në Paris, kur pas një sfilate haute couture, rrobaqepëset historike të shtëpisë Valentino vrapuan ta përqafonin. Një moment i heshtur, por që tha gjithçka: për respektin, dashurinë dhe ndikimin njerëzor përtej modës.

Larepubblica

Citimi i Ditës
Albanian Edition

“Një mendje pozitive krijon një jetë pozitive.”

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top