Vetëbesimi ndaj vetes shpesh shihet si një tipar i qëndrueshëm personaliteti, më shumë sesa si një zakon që mund të ndërtohet. Shumë njerëz mendojnë se ose e “ke”, ose nuk e ke. Për disa, kjo përshkrim përputhet plotësisht me realitetin e tyre: janë vendimmarrës, të qëndrueshëm dhe të sigurt në busullën e tyre të brendshme. Për të tjerët, dyshimi ndaj vetes është i përditshëm — rishikojnë biseda, rikthehen te vendimet dhe ua delegojnë zgjedhjet njerëzve përreth.
Kjo është arsyeja pse vetëbesimi funksionon më shumë si një marrëdhënie sesa si një tipar i fiksuar. Dhe, si çdo marrëdhënie, ai formësohet nga modelet e sjelljes.
T’i besosh vetes ka shumë pak të bëjë me të qenit gjithmonë i saktë. Ka shumë më tepër lidhje me faktin nëse e përjeton veten si të besueshëm. Ndal pak dhe pyet veten:
-
A i përmbahesh asaj që thua se ka rëndësi për ty?
-
A dëgjon sinjalet e brendshme kur diçka të shkakton parehati?
-
A përputhen veprimet e tua me vlerat që shpall?
Kur njerëzit thonë se kanë vështirësi me vetëbesimin, në thelb ata po reagojnë ndaj një historie të vogël, por të vazhdueshme, “çarjesh” me veten — pikërisht si ato të përmendura më sipër.
Më poshtë janë dy zakone që ndihmojnë në riparimin e kësaj çarje. Ato janë jashtëzakonisht të fuqishme për t’ju kthyer në një person tek i cili mund të mbështeteni.
- Besnikëria ndaj premtimeve të vogla personale
Truri ynë ka nevojë për prova për të ndërtuar besim. Ai duhet të “shohë” se për çfarë jemi të aftë. Çdo herë që i bëni një premtim vetes, sistemi nervor e regjistron në heshtje se çfarë ndodh më pas. Kur premtimet shpesh anashkalohen si p.sh. “Sonte do të pushoj patjetër” ose “Do ta festoj këtë arritje, edhe pse është e vogël” truri mëson se sinjalet e brendshme janë të negociueshme. Dhe pikërisht këtu lind dyshimi ndaj vetes.
Studimet mbi vetë-efikasitetin tregojnë se besimi nuk zhvillohet nga një sukses i vetëm, por nga përmbushja e vazhdueshme e angazhimeve. Njerëzit fillojnë t’i besojnë vetes kur arrijnë të jetojnë në përputhje me standardet që i kanë vendosur vetë, jo kur arrijnë një fitore të jashtëzakonshme.
Shumë individë ambiciozë bien në grackën e premtimeve aspiruese, por jo të zbatueshme, si: “Do të jem më i disiplinuar”, “Do të ndaloj së shtyri gjërat” ose “Do të kujdesem më në fund për veten”. Këto nuk janë premtime reale, por versione të ardhshme të vetes, identitete që ende nuk mbështeten nga sjellja konkrete.
Për të ndërtuar vetëbesimin, premtimet duhet të jenë:
-
mjaftueshëm të vogla për t’u mbajtur në një ditë mesatare;
-
mjaftueshëm specifike për t’u matur;
-
të lidhura me veten, jo me vlerësimin e të tjerëve.
Shembuj praktikë:
-
“Do ta ndal punën kur alarmi të bjerë në 21:30.”
-
“Do të ndalem 10 sekonda para se të përgjigjem kur ndihem në mbrojtje.”
-
“Këtë javë do të bëj një shëtitje pa telefon.”
Kur këto premtime mbahen, konflikti i brendshëm zvogëlohet. Shpenzoni më pak energji duke negociuar me veten, më pak kohë duke dyshuar në vendime dhe më pak ngarkesë emocionale nga faji.
E rëndësishme: kur një premtim nuk mbahet, mos përdorni vetëkritikën për të “riparuar” vetëbesimin. Zgjidhja më e shëndetshme është llogaritja e saktë. Në vend të “Unë gjithmonë dështoj”, një riformulim më i pjekur psikologjikisht do të ishte: “Ky premtim ishte më i madh se kapaciteti im aktual. Duhet ta rikalibroj.”
