tregu financiar

AMF bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Thesarit për forcimin e tregjeve financiare jo-bankare në Shqipëri

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) po thellon bashkëpunimin me Departamentin Amerikan të Thesarit, përmes Zyrës së Asistencës Teknike (Office of Technical Assistance – OTA), me synim forcimin dhe modernizimin e tregjeve financiare jo-bankare në Shqipëri.

Ky bashkëpunim përfshin disa fusha kyçe me rëndësi strategjike, si teknologjia e informacionit, tregu i sigurimeve, mbrojtja e konsumatorit, edukimi financiar, si dhe veçanërisht zhvillimi i tregut të kapitaleve, një element thelbësor për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

Në kuadër të këtij angazhimi, u zhvillua një takim mes Drejtoreshës së Përgjithshme Ekzekutive të AMF-së, znj. Adela Xhemali, dhe ekipit të saj me përfaqësuesit e OTA-s, z. Arthur Simonson dhe z. Ralph Scholtz. Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e deritanishme të asistencës teknike, si dhe mbi hapat konkretë që do të ndërmerren për krijimin e një tregu kapitalesh funksional, transparent dhe të qëndrueshëm në Shqipëri.

Projekti i përbashkët synon zgjerimin e gamës së instrumenteve financiare në treg, duke nxitur veçanërisht emetimin e obligacioneve. Ky zhvillim pritet të krijojë alternativa të reja financimi për ekonominë shqiptare, duke reduktuar varësinë nga kreditimi bankar dhe duke mbështetur më tej sektorin publik dhe privat.

Drejtoresha Ekzekutive e AMF-së, znj. Xhemali, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të ekspertëve të Departamentit Amerikan të Thesarit, duke theksuar se ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së besimit të investitorëve, forcimit të stabilitetit financiar dhe zgjerimit të mundësive të financimit në Shqipëri.

AMF mbetet e angazhuar për të avancuar reformat rregullatore dhe institucionale, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare, duke kontribuar kështu në ndërtimin e një tregu financiar modern dhe gjithëpërfshirës.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top