depozita

Depozitat e biznesit e përmirësuan rritjen gjatë vitit 2025

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Depozitat e biznesit në banka shënuan një rritje të qëndrueshme gjatë vitit 2025, duke reflektuar përmirësimin e gjendjes financiare të kompanive dhe menaxhimin më aktiv të likuiditetit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të nëntorit 2025, vlera e depozitave të biznesit arriti 383.9 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 6.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Megjithatë, pjesa më e madhe e depozitave bankare mbetet e individëve, të cilët gjatë të njëjtës periudhë regjistruan një rritje vjetore prej 9.5%, duke përbërë 78.7% të totalit të depozitave.

Në pesë vitet e fundit, depozitat e biznesit janë rritur mbi 82%, një tregues i përmirësimit të likuiditetit dhe stabilitetit financiar të kompanive pas periudhës pandemike. Banka e Shqipërisë thekson se kjo rritje lidhet me rikuperimin e aktivitetit ekonomik, menaxhimin më të mirë të likuiditetit nga bizneset dhe mbështetjen me kredi nga bankat.

Rritja e depozitave të biznesit reflekton gjithashtu formalizimin e ekonomisë dhe dixhitalizimin e shërbimeve bankare. Struktura e depozitave tregon një preferencë për likuiditet: rreth 80% e depozitave të bizneseve janë të llogaritura në llogari rrjedhëse dhe depozita pa afat.

Një trend tjetër i dukshëm është rritja e depozitave në valutë, e ndikuar nga ecuria pozitive e turizmit dhe stabiliteti ekonomik. Sidoqoftë, dinamika e depozitave të biznesit ndikohet edhe nga realizimi i shpenzimeve publike dhe deficiti buxhetor. Gjatë tre viteve të fundit, deficitet në ulje dhe suficiti i buxhetit gjatë pjesës më të madhe të vitit kanë ngadalësuar ritmet e rritjes së depozitave.

Rritja e depozitave të biznesit tregon përmirësim të menaxhimit financiar dhe stabilitet të kompanive, por individët mbeten fuqia kryesore e depozitave bankare në Shqipëri. Analistët presin që ky trend të vazhdojë, sidomos në një ambient ekonomik më të qëndrueshëm dhe me produkte bankare të përshtatura për nevojat e biznesit.

monitor

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top