Pak më shumë se dhjetë vjet më parë, gjatë një udhëtimi në Nairobi, një histori e thjeshtë, por thellësisht njerëzore, u kthye në një nga shembujt më domethënës të asaj që e bën një prezantim të fuqishëm. Richard Turere, një djalë 12-vjeçar masai, kishte gjetur një mënyrë për të mbrojtur bagëtitë e familjes së tij nga sulmet e luanëve gjatë natës. Jo me teknologji të shtrenjtë, por me vëzhgim, intuitë dhe krijimtari. Ai kuptoi se luanët nuk trembeshin nga drita, por nga lëvizja. Kështu ndërtoi një sistem dritash që ndizeshin dhe fikeshin në mënyrë të alternuar, duke krijuar iluzionin e pranisë njerëzore. Zgjidhja funksionoi. Luanët u larguan. Fshatra të tëra në Kenia nisën të përdorin shpikjen e tij. Historia ishte e jashtëzakonshme. Vetë Richardi, jo. I turpshëm, i pasigurt në anglisht, larg çdo profili tipik folësi skene. Megjithatë, TED e ftoi të fliste. Jo për mënyrën si fliste, por për atë që kishte për të thënë.
Pse një prezantim i mirë nuk ka të bëjë me perfeksionin?
Kur Richard doli në skenë, nervozizmi i tij ishte i dukshëm, por kjo nuk e dobësoi fjalimin. Përkundrazi, e bëri më të vërtetë. Publiku u lidh me të, jo sepse ishte i përkryer, por sepse ishte autentik. Kur përfundoi, salla u ngrit në këmbë.
Ky moment përmbledh një nga mësimet kryesore të TED, një prezantim i mirë nuk është performancë, por komunikim i sinqertë i një ideje që ka peshë. Që nga viti 2006, TED Talks janë parë mbi një miliard herë. Folësit vijnë nga fusha të ndryshme dhe jo të gjithë ndihen rehat përballë publikut. Por përvoja ka treguar se të folurit mirë në publik është një aftësi që mund të mësohet dhe përmirësohet.
Çdo prezantim i suksesshëm nis nga një ide e qartë. Jo nga një listë arritjesh, jo nga biografia personale, por nga një mendim që ia vlen të ndahet. Njerëzit janë të ndërtuar për të dëgjuar histori. Një prezantim i mirë është një udhëtim: nis nga ajo që audienca di dhe e çon drejt një këndvështrimi të ri. Gabimi më i zakonshëm është përpjekja për të thënë gjithçka brenda pak minutash. Kjo e mbush fjalimin me abstraksione dhe e largon publikun. Shumë nga prezantimet më të suksesshme ndjekin strukturën e një historie zbulim, paraqitet problemi, përshkruhet kërkimi për zgjidhje dhe, në fund, ndodh momenti kur perspektiva e audiencës ndryshon. Një nga arsyet pse shumë prezantime dështojnë është fokusi i tepruar te vetja, kompania apo institucioni. Listat me projekte dhe suksese rrallë krijojnë lidhje emocionale.
Audienca lidhet me ide, jo me struktura. Me kuptim, jo me statistika. Një ide e fortë, e treguar përmes përvojës personale, është gjithmonë më tërheqëse sesa një raport arritjesh. Në fund, pyetja që publiku i bën vetes nuk është “sa i suksesshëm është ky njeri?”, por “pse kjo ka rëndësi për mua?”.
Si të flasësh në publik pa humbur lidhjen me audiencën
TED ka një parim të qartë, mos lexo. Leximi nga letra ose teleprompteri krijon distancë dhe e bën prezantimin formal. Lidhja me publikun dobësohet menjëherë. Memorizimi i plotë funksionon vetëm kur ka kohë për praktikë të mjaftueshme. Përndryshe, një strukturë me pika orientuese është më se e mjaftueshme. E rëndësishme është kalimi i qartë nga një ide te tjetra. Toni duhet të jetë bisedor, jo teatral. Publiku nuk kërkon oratori, por qartësi dhe sinqeritet. Shumë folës mendojnë se duhet të lëvizin vazhdimisht për të dukur energjikë. Në fakt, lëvizjet e tepërta shpërqendrojnë. Qëndrimi i qetë, gjestet e kontrolluara dhe kontakti me sy janë shumë më efektive. Nervozizmi nuk është problem. Audienca e pret dhe shpesh lidhet më fort me një folës që tregon vulnerabilitet. Autenticiteti krijon empati dhe empatia krijon ndikim.
Prezantimi vizual, kur ndihmon dhe kur dëmton.
Jo çdo prezantim ka nevojë për slide. Pamjet janë të vlefshme vetëm kur shtojnë kuptim: fotografi, ilustrime, video të shkurtra që e bëjnë idenë më të prekshme. Slide-t e ngarkuara, videot e gjata apo materialet vetëlavdëruese e lodhin publikun dhe e largojnë vëmendjen nga thelbi. Prezantimet bien ose ngrihen mbi tri shtylla, idenë, historinë dhe pasionin. Stili, teknologjia dhe forma janë të rëndësishme, por dytësore. Një fjalim i mirë nuk imitohet dhe nuk ndërtohet sipas një formule fikse. Ai lind nga përvoja reale dhe nga dëshira për të ndarë diçka që ka kuptim. Nuk ka një mënyrë të vetme për të dhënë një prezantim të mirë. Fjalimet më të paharrueshme janë ato që duken të vërteta. Pikërisht për këtë arsye, janë edhe ato që mbeten.
