Një stuhi e fuqishme dimërore ka godit Shtetet e Bashkuara, duke sjellë reshje të dendura bore, shi të ngrirë dhe breshër akulli për miliona amerikanë. Sistemi i motit ekstrem shtrihet mbi 2,000 milje, nga New Mexico deri në Maine, dhe pasi goditi rajonin jug-qendror të vendit të premten në mbrëmje, tashmë po përfshin me intensitet të lartë verilindjen e SHBA-së.
Me shtimin e reshjeve të borës në Nju Jork, kryetari i bashkisë, Zohran Mamdani, njoftoi se shkollat do të zhvillojnë mësimin online të hënën, për shkak të kushteve atmosferike.
Ndërkohë, Guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, kishte autorizuar më herët që të gjithë punonjësit shtetërorë të punojnë në distancë në fillim të javës.
“U bëj thirrje edhe punëdhënësve të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë, për të mbajtur njerëzit larg rrugëve dhe për të garantuar sigurinë,” u shpreh ajo.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), stuhia do të sjellë reshje të dendura bore në verilindje, si dhe shi të ngrirë në disa zona të Mes-Atlantikut. Bora pritet gjithashtu të zhvillohet përgjatë vargmaleve Appalachian gjatë ditës së hënë.
Rajoni i Liqeneve të Mëdha do të përballet me një valë të re reshjesh bore që po zbret nga Kanadaja.
Autoritetet paralajmërojnë për ndërprerje të energjisë elektrike, dëmtime të pemëve dhe kushte shumë të rrezikshme për qarkullimin rrugor, veçanërisht në juglindje dhe në rajonin e Mes-Atlantikut, për shkak të akullit dhe reshjeve të ngrira.
Qytete të mëdha si Atlanta, Charlotte, Richmond, Washington DC, Baltimore, Cincinnati, Pittsburgh, Philadelphia, New York dhe Boston ndodhen në trajektoren e stuhisë.
Më shumë se 820,000 konsumatorë, nga New Mexico deri në Virginia, kanë mbetur pa energji elektrike deri të hënën në mëngjes, sipas të dhënave nga PowerOutage.us.
Transporti ajror është goditur rëndë, mijëra fluturime u anuluan gjatë fundjavës dhe anulimet vazhduan edhe të hënën. Deri në orën 7:00 të mëngjesit (ET), mbi 3,700 fluturime ishin anuluar. Të tre aeroportet e Nju Jorkut anuluan mbi 40% të fluturimeve, ndërsa aeroporti Boston Logan ishte më i godituri, me 60% të fluturimeve të anuluara.
E diela shënoi ditën më të keqe të anulimeve të fluturimeve që nga pandemia COVID-19, me mbi 11,500 fluturime të anuluara në SHBA, sipas FlightAware. Aeroportet më të prekura ishin Dallas Fort Worth në Teksas dhe Hartsfield-Jackson në Atlanta.
Në Uashington, aeroporti Ronald Reagan anuloi të gjitha fluturimet të dielën, por njoftoi se operimet pritet të rifillojnë gradualisht të hënën, pas përfundimit të reshjeve.
Shumë kompani ajrore kanë hequr tarifat e rirezervimit për fluturimet drejt dhe nga zonat e prekura.
