Bashkëpunimi rajonal ka një rëndësi të madhe për të gjitha shtetet, pasi ai ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, politik dhe shoqëror. Megjithatë, pyetja kryesore që shtrohet është: sa i rëndësishëm është ky bashkëpunim për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në cilat fusha ka rezultuar më efikas? Duke qenë se rajoni ka një histori të ndërlikuar politike dhe ekonomike, bashkëpunimi mes shteteve përbën një faktor kyç për stabilitetin, integrimin evropian dhe zhvillimin afatgjatë.
Sipas të dhënave të nxjerra nga anketa e Ballkan Barometër 2025, është analizuar bashkëpunimi aktual në mbështetjen e disa sektorëve kryesorë. Rezultatet e përgjithshme tregojnë se shumica e bashkëpunimit të deritanishëm ka dhënë, veçanërisht rezultate në drejtim të komunikimit më të lirë dhe lehtësimit të udhëtimeve dhe lëvizjes midis vendeve të rajonit.
Por si paraqiten të dhënat e anketës konkretisht për Shqipërinë? Sipas perceptimit të qytetarëve shqiptarë, komunikimi midis ekonomive të rajonit lidhet kryesisht me kostot e komunikimit, ku rreth 7% e të anketuarve e konsiderojnë këtë aspekt si një lehtësi në kuadër të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Gjithashtu, sipas qytetarëve shqiptarë, lehtësimi më i madh vjen nga mënyra e udhëtimit midis ekonomive të rajonit, me një përqindje prej 7.5%, duke e renditur këtë faktor si më të rëndësishmin në perceptimin e bashkëpunimit rajonal.
Nga ana tjetër, synimet për të bërë biznes në ekonomitë fqinje paraqiten me një përqindje më të ulët. Vetëm 6.9% e qytetarëve mendojnë se ekzistojnë lehtësira të mjaftueshme për të bërë biznes në vendet e Ballkanit Perëndimor, çka tregon se bashkëpunimi ekonomik dhe klimës së biznesit i nevojitet ende përmirësim.
Lidhjet kulturore, tradicionale dhe shoqërore me njerëzit në ekonomitë fqinje përbëjnë 7.1% të bashkëpunimit, duke përfaqësuar mesataren më të lartë në rajon. Ndërkohë, bashkëpunimi institucional midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor mban një përqindje prej 6.8%, duke qenë mbi mesataren e rajonit. Kjo tregon një nivel relativisht të mirë të koordinimit institucional, edhe pse ende ka nevojë për forcim të mëtejshëm të mekanizmave bashkëpunues. Sa i përket stabilitetit politik, ai renditet në 6.7%, ndërsa siguria mes ekonomive të Ballkanit Perëndimor mban një përqindje prej 6.9%, duke reflektuar një perceptim të moderuar, por ende jo plotësisht të kënaqshëm nga qytetarët.
