Vendimi për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës ka nxitur revoltë të menjëhershme tek banorët, të cilët e shohin këtë hap si një kërcënim të drejtpërdrejtë për pronat e tyre. Pas vitesh zvarritjeje dhe burokracie të pafundme, qytetarët paralajmërojnë se zhvendosja do të shndërrohet në “varr” për çështjet e pronës në Vlorë.
Një prej banorëve të revoltuar tha: “Ky është varr për neve, për Vlorën. Kemi 10 apo 15 vite me dokumente dhe nuk na shërbejnë. Jemi kundër largimit të Kadastrës, edhe pse këtu nuk marrim informacion, tani do jetë më keq, më zi, më skëterrë fare. Ne duam pronat tona, ku do i lëmë?”
Një tjetër banore shtoi: “Nuk marr informacionin e duhur, edhe pse kam ndërtim me leje. Tani si do bëjmë, do zhvendoset në Tiranë. Do shkretohet në çdo krah. Nuk e dimë se si do bëjmë.”
Përveç pakënaqësisë së qytetarëve, shqetësim të madh paraqet edhe vetë puna e kadastrës. Arben Malaj ka publikuar në Facebook disa pika që shpjegojnë pse Vlonjatët kanë të drejtë të reagojnë:
-
Përqendrimi i shërbimeve publike në Tiranë krijon abuzim dhe largon qytetarin nga qeverisja.
-
Funksionet e kadastrës janë jetike për të drejtat e pronës, dhe çdo ndryshim i shpeshtë tregon për influenca dhe interesa korruptive.
-
Drejtuesit lokalë kanë treguar integritet, aq sa disa kanë dhënë dorëheqjen për të ruajtur profesionalizmin e institucionit.
-
Vendimet e centralizuara, si ai i vitit 2005 për korrigjimin e gabimeve pa proces gjyqësor, kanë krijuar pasoja negative për pronarët.
-
Lënia pa punë e specialistëve lokalë shkel të drejtat e punonjësve dhe dëmton shërbimin ndaj qytetarëve.
Malaj thekson se zhvendosja e Kadastrës nuk është thjesht një çështje administrative, por një problem që prek të drejtat e pronës, integritetin e qytetarëve dhe besimin në shtetin ligjor. “Sa më shumë funksione dhe shërbime të përqendrohen në Tiranë, aq më shumë largohet qeverisja nga qytetarët,” shkruan ai.
Banorët e Vlorës nuk e fshehin shqetësimin: çështjet e tyre do të zvarriten, shpenzimet do të rriten dhe mundimi për të realizuar pronësinë do të jetë më i madh se kurrë. Ata shprehen se nuk do të heshtin, duke kërkuar që qyteti i tyre të ruajë institucionet vitale dhe të mos bëhet viktimë e centralizimit.
Zhvendosja e Kadastrës është shenja e fundit e një tendence më të gjerë: Tirana nuk është gjithë Shqipëria, por vetëm kryeqyteti. Vlonjatët, si dhe qytetarët e çdo bashkie, paralajmërojnë se do të mbrojnë të drejtat e tyre dhe nuk do të lejojnë që qeverisja të shndërrohet në centralizim dhe varfërim të shërbimeve.
