raporti i tranzicionit

Raporti i Tranzicionit: Ekonomia shqiptare e rrezikuar nga emigracioni, plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Sot u prezantua Raporti i Tranzicionit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me pjesëmarrjen e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Raporti thekson se ndryshimet demografike po luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe sjellin sfida të rëndësishme për vendet në zhvillim, përfshirë Shqipërinë.

Në fjalën e tij, Sejko vuri në dukje se ekonomia shqiptare po përballet me sfida serioze për shkak të emigracionit të lartë, plakjes së popullsisë dhe mungesës së fuqisë punëtore. “Demografia mund të duket një koncept abstrakt, por ajo është një forcë themelore për zhvillimin dhe prosperitetin e një shoqërie. Ndërsa gjithnjë e më pak njerëz hyjnë në tregun e punës, më shumë të tjerë varen nga sistemet e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor. Këto ndryshime ushqejnë presion mbi produktivitetin, financat publike dhe perspektivat afatgjata të rritjes,” theksoi ai.

Banka e Shqipërisë ka ndjekur zhvillimet demografike për pothuajse një dekadë dhe ka identifikuar që herët emigracionin dhe plakjen e popullsisë si sfida kyçe për të ardhmen ekonomike. Popullsia shqiptare ka rënë ndjeshëm, duke arritur rreth 2.4 milionë banorë në vitin 2023, pothuajse një e treta më pak krahasuar me vitin 1990, ndërsa mosha mesatare ka arritur 43 vjeç. Emigracioni i të rinjve dhe tkurrja e fuqisë punëtore po ndikojnë ndjeshëm në tregun e punës dhe në sektorë kyç të ekonomisë.

Sejko theksoi se transformimi demografik po riformëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. “Plakja e popullsisë ndikon si në kërkesën ashtu edhe në ofertën agregate: ndryshon modelet e konsumit, dobëson inovacionin dhe produktivitetin, rrit kostot e prodhimit dhe ndikojnë çmimet, investimet dhe kapacitetin prodhues,” tha ai.

Megjithatë, ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri vitet e fundit, e mbështetur nga inflacioni i ulët, rritja e qëndrueshme ekonomike, përmirësimi i punësimit dhe i pagave, si dhe rritja e produktivitetit. Tregu i punës ka kompensuar presionet demografike duke rritur pjesëmarrjen në tregun e punës, megjithëse kjo ka sjellë kosto më të larta të punës dhe presione inflacioniste. Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse përmes politikës monetare të kujdesshme dhe proaktive.

Qëndrimi lehtësues i politikës monetare që nga mesi i vitit 2024 ka ndihmuar në uljen e pasigurisë, përmirësimin e kushteve financiare, uljen e kostove të huamarrjes dhe rritjen e kredisë. Sektori bankar ka vijuar të forcohet, duke përmirësuar treguesit e likuiditetit, kapitalizimit dhe cilësisë së aktiveve, ndërsa rreziqet sistemike mbeten të kontrolluara.

Sejko paralajmëroi se prirjet negative demografike do të jenë të qëndrueshme dhe mund të ushtrojnë presion mbi normat reale të interesit, duke kufizuar efektivitetin e politikës monetare konvencionale. Ndryshimet demografike ndikojnë gjithashtu në dinamikat e inflacionit, pasi rritja e pjesëmarrjes në tregun e punës shoqërohet me pagat më të larta.

Për Shqipërinë, këto gjetje janë në përputhje me raportet e BERZH-it për të gjitha vendet në zhvillim të Evropës, ku popullsia në plakje dhe tkurrja e fuqisë punëtore ndikojnë negativisht mbi rritjen ekonomike. Sejko nënvizoi se përgjigjja e politikave kërkon veprim të koordinuar dhe vullnet politik. Reforma të tilla përfshijnë modernizimin e tregut të punës, reformimin e sistemit të pensioneve, politika realiste migracioni dhe investime për plakjen e shëndetshme të popullsisë, duke përfshirë përdorimin përgjegjës të teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale.

Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë, Ekaterina Solovova, u shpreh se gjatë vitit 2025 BERZH ka mbështetur projekte të rëndësishme në Shqipëri, përfshirë infrastrukturën, hekurudhën, energjinë dhe përfshirjen e grave në biznes.

Guvernatori Sejko përfundoi me mesazhin kryesor të raportit: “Demografia nuk duhet të shihet si fat i paracaktuar. Ky raport ofron një panoramë të qartë për të kuptuar ndryshimet demografike dhe ndikimet e tyre ekonomike, dhe shpresoj që të shërbejë si katalizator për debat dhe veprim të informuar.”

Citimi i Ditës
Albanian Edition

“Mos prit që jeta të jetë e drejtë. Bëje vetë.”

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top