Europa

BE: Europa duhet të marrë në dorë sigurinë dhe mbrojtjen e saj

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Europa duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për të forcuar kapacitetet e saj të mbrojtjes dhe për ta bërë NATO-n “më europiane”, nëse dëshiron të ruajë forcën dhe besueshmërinë e saj, ka paralajmëruar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.

Duke folur në një konferencë mbi mbrojtjen, Kallas theksoi se Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner dhe aleat i Europës, por paralajmëroi se “asnjë fuqi e madhe nuk e ka deleguar mbijetesën e saj dhe ka mbijetuar”.

Deklaratat e saj vijnë në një moment tensionesh të shtuara transatlantike, pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Groenlandën, territor gjysmë-autonom që i përket Danimarkës.

Komentet e Kallas pasuan reagimet e forta ndaj deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, i cili tha se ligjvënësit europianë duhet “të vazhdojnë të ëndërrojnë” nëse besojnë se Europa mund të mbrohet pa SHBA-në. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, reagoi ashpër duke deklaruar:
“Jo, i dashur Mark Rutte. Europianët mund dhe duhet të marrin kontrollin e sigurisë së tyre. Edhe Shtetet e Bashkuara e pranojnë këtë. Kjo është shtylla europiane e NATO-s.”

Sipas Kallas, nën administratën Trump, Europa “nuk është më qendra kryesore e gravitetit për Uashingtonin”, duke e bërë të domosdoshëm një ndryshim kulture politike: nga mendimi si shtete të veçanta, drejt veprimit të përbashkët si europianë.

Ajo nënvizoi se largimi gradual i SHBA-së nga fokusi europian “ka nisur prej kohësh” dhe se ky proces është strukturor, jo i përkohshëm.

Nga 27 vendet anëtare të BE-së, 23 janë njëkohësisht edhe pjesë e NATO-s, çka, sipas Kallas, u jep atyre një përgjegjësi të veçantë për të sinkronizuar politikat dhe kapacitetet e mbrojtjes me Aleancën. Ashtu si Barrot, ajo theksoi se një “shtyllë europiane e dallueshme” do ta forconte, jo dobësonte, NATO-n.

Përplasja e fundit mes SHBA-së dhe Europës për Groenlandën ka nxjerrë në pah atë që Kallas e përshkroi si një “zhvendosje tektonike” në marrëdhëniet transatlantike. Trump kërcënoi gjithashtu me vendosjen e tarifave ndaj disa prej aleatëve më të afërt europianë, pasi ata kundërshtuan planet e tij për ishullin strategjik në Arktik.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u vlerësua javën e kaluar për uljen e tensioneve mes Trump dhe liderëve europianë, pasi presidenti amerikan tërhoqi kërcënimin gjatë bisedimeve në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos. Trump deklaroi se po shqyrton mundësinë e një marrëveshjeje për Groenlandën, megjithëse detaje konkrete ende nuk janë bërë publike.

BBC

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top