Nga Majlinda Bregu
Në një moment historik për Bashkimin Europian, Komisioni për Punë të Jashtme (AFET) i Parlamentit Europian ka nxjerrë një përfundim të qartë, kostoja e mos-zgjerimit të BE-së do të jetë më e lartë se ajo e anëtarësimit. Ky qëndrim i miratuar së fundmi e kornizon zgjerimin e Unionit jo si një proces vetëm formal, por si një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë gjeopolitike të Europës.
Vonesa në procesin e zgjerimit rrezikon të krijojë “zona gri” gjeopolitike, të cenueshme ndaj ndikimeve keqdashëse. Ndërkohë, disa vende kandidate kanë vendosur objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave, duke treguar se aspiratat e tyre janë reale dhe të matshme, pavarësisht se Bashkimi Europian që do të marrin nuk do të jetë i njëjti me atë të sotëm.
Ky debat lidhet ngushtë me kuadrin e ardhshëm financiar të BE-së, MFF 2028–2034, ku paratë janë të lidhura direkt me aftësinë për të integruar anëtarë të rinj. Drafti i ri buxhetor i Unionit, me një vlerë afërsisht 2 trilionë euro, e vendos zgjerimin brenda kapitullit “Global Europe”, që arrin rreth 190–200 miliardë euro. Brenda tij, Instrumenti për Zgjerim dhe Fqinjësi (ENI) parashikon vetëm 42.6 miliardë euro, pra vetëm 2.2% të buxhetit total.
Të gjitha vendet në proces zgjerimi, përfshirë Ukrainën dhe Moldavinë, si dhe 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Politikat e fqinjësisë dhe prioritetet globale, përfshirë sigurinë, migracionin dhe krizën klimatike.
Ky ekuilibër ngre një pyetje themelore, a parashikon Plani i Ri Financiar të BE-së mundësinë reale të zgjerimit me anëtarë të rinj, apo supozon që status quo-ja mund të mbetet e mjaftueshme?
Aktualisht, vendet e Ballkanit Perëndimor marrin mesatarisht 40 euro për frymë në vit nga instrumentet e zgjerimit. Por nëse Shqipëria dhe Mali i Zi bëhen shtete anëtare brenda ciklit të ardhshëm buxhetor, kjo shumë duhet të rritet ndjeshëm, duke shkuar nga 500 deri në 1000 euro për frymë në vit, për të garantuar pjesëmarrjen e plotë në Politikën e Kohezionit, Bujqësinë dhe programet e brendshme të BE-së.
Nëse nuk krijohet një mekanizëm i qartë tranzicioni për anëtarësimin, ekziston rreziku që Bashkimi Europian të mbetet strukturalisht i papërgatitur për një rezultat që vetë e konsideron prioritet strategjik. Pa një plan të qartë, procesi i integrimit mund të shndërrohet në një “luftë buxhetesh” mes vendeve anëtare, duke e kthyer anëtarësimin nga një proces reformues dhe i menaxhuar mirë, në një debat thjesht financiar.
Zgjidhja është e qartë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kërkojnë
Një portofol të dedikuar për zgjerimin, brenda ose paralel me “Global Europe”.
Një periudhë buxhetore tranzitore, për të kaluar nga para-anëtarësimi në anëtarësim të plotë.
Një buxhet Europian që përputhet me ambicien politike, planet afatmesme financiare dhe realitetin gjeopolitik.
Në fund, zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një proces burokratik: është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e Europës. Shtyrja ose nënfinancimi nuk është opsion; kostoja do të jetë më e lartë sesa ajo e angazhimit.
