Në mjediset e Europe House u prezantuan 15 idetë fituese të granteve të projektit “Heritage is Our Brand”, një nismë që zbatohet nga DMO Albania dhe EU Policy Hub, me financim nga Bashkimi Europian.
Në aktivitet morën pjesë artistët fitues, përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, organizatat zbatuese si dhe të ftuar nga fusha e artit dhe kulturës.
Drejtuesja e DMO Albania, Eva Kushova, prezantoi objektivat e projektit, duke theksuar rëndësinë e përdorimit të artit si mjet për të rritur ndërgjegjësimin mbi trashëgiminë kulturore dhe për ta sjellë atë më pranë publikut.
Në fjalën e saj, Nadezda Dramicanin, menaxhere dhe koordinatore komunikimi në Delegacionin e BE në Shqipëri, u shpreh se përmes mbështetjes së këtij projekti, Bashkimi Europian synon të ruajë dhe rinterpretojë trashëgiminë jomateriale në mënyrë bashkëkohore.
Projektet fituese përfshijnë forma të ndryshme artistike si filma me metrazh të shkurtër, dokumentarë, instalacione, video-projeksione, shfaqje teatrore, sfilata mode dhe koncerte, të frymëzuara nga histori, legjenda dhe tradita shqiptare.
Realizimi i veprave do të vijojë deri në muajin qershor, ndërsa shumica e aktiviteteve publike do të zhvillohen gjatë periudhës prill–maj, me evente dhe shfaqje të hapura për publikun.
Projekti “Heritage is Our Brand” ka në fokus promovimin e trashëgimisë kulturore përmes artit bashkëkohor dhe edukimit, duke përfshirë në fazën e dytë edhe fëmijët dhe shkollat.
