Falë iniciativës së Diasporës Hasjane, në Has janë dorëzuar 25 pajisje për personat me aftësi të kufizuar, duke përfshirë 19 karroca elektrike, 2 krevate dhe 4 motorë elektrikë. Pajisjet janë blerë me fondet e mbledhura nga komuniteti gjatë një eventi në Londër më 30 Nëntor.
Nga donacionet totale prej 16,835 paund, 14,100 paund janë përdorur për pajisjet për personat në nevojë, ndërsa 4,500 euro janë dedikuar për uniforma dhe mjete sportive për ekipet U11 dhe U13 të Klubit “Pashtriku”. Një pjesë e fondeve, 2,735 paund, mbetet rezervë për projekte të ardhshme.
Dorëzimi i pajisjeve u bë tek autoritetet e Bashkisë Has, të cilët do të sigurojnë shpërndarjen e tyre në përputhje me rregullat dhe nën mbikëqyrjen e Drejtorisë së Shërbimit për Personat me Aftësi të Kufizuar. Përzgjedhja e përfituesve u bazua në listën e përgatitur nga KMCAP.
Kjo iniciativë tregon lidhjen e ngushtë midis diasporës dhe komunitetit lokal, duke kthyer kontributin financiar në ndihmë konkrete për ata që kanë më shumë nevojë. Drejtues të diasporës dhe autoritete lokale nënvizuan rëndësinë e transparencës, solidaritetit dhe bashkëpunimit për projekte të ardhshme që përmirësojnë jetën e shtresave më të ndjeshme në Has.
