Platforma qeveritare e-Albania, e konceptuar si shtylla kryesore e dixhitalizimit të shërbimeve publike, prej muajsh po përballet me problematika të përsëritura teknike, të cilat kanë kulmuar së fundmi me bllokimin e sistemit të fiskalizimit SelfCare. Pavarësisht deklaratave zyrtare për rikthimin e funksionimit normal, bizneset dhe ekonomistët raportojnë se vështirësitë vijojnë, duke cenuar drejtpërdrejt aktivitetin ekonomik, veçanërisht të të vetëpunësuarve të vetëm.
Sot shënohet dita e 15-të e bllokimit të sistemit të fiskalizimit SelfCare, i cili, sipas raportimeve të bizneseve dhe ekspertëve, që prej datës 20 janar nuk ka funksionuar siç duhet. Edhe pas njoftimeve të AKSH-it dhe Administratës Tatimore se sistemi ishte rikthyer në normalitet, situata në terren rezulton ndryshe.
Ekonomistët dhe bizneset raportojnë se nga platforma SelfCare, e cila funksionon përmes portalit e-Albania, nuk kryhen veprime hyrje-dalje. Ndërkohë që procesi i fiskalizimit realizohet, faturat nuk mund të printohen nga sistemi dhe po menaxhohen manualisht nga zyrat e financës së subjekteve.
“Që nga data 20 janar sistemi është i bllokuar dhe nuk funksionon fare. Nuk kryhen dot veprime hyrje-dalje (as jep as merr). Fiskalizimi kryhet, por nuk është e mundur printimi nga portali; faturat po printohen manualisht nga financa. Problemi vazhdon edhe sot, pa asnjë përmirësim”, pohon Suela, ekonomiste pranë një kompanie biznesi.
Më të prekurit nga kjo situatë janë të vetëpunësuarit e vetëm, për të cilët SelfCare përfaqëson mjetin kryesor dhe shpesh të vetëm për fiskalizimin e faturave. Ky portal, i vendosur në dispozicion nga Administrata Tatimore, mundëson lëshimin e faturave të shitjes, deklaratave doganore, ngarkimin dhe ndryshimin e certifikatave të fiskalizimit, si dhe shërbime të tjera thelbësore për ushtrimin e aktivitetit.
Në mënyrë jozyrtare, burime pranë bizneseve bëjnë me dije se të vetëpunësuarve u është sugjeruar të blejnë shërbime me pagesë nga kompani private, si alternativë për të vijuar aktivitetin. Një zgjidhje e tillë pritet të sjellë kosto shtesë për një kategori që zakonisht operon me marzhe të ulëta fitimi.
Sipas të dhënave të INSTAT, në Shqipëri ka rreth 40 mijë biznese të vetëpunësuara, ose rreth 30% e totalit të bizneseve. Megjithëse nuk ka statistika të detajuara për numrin e të vetëpunësuarve të vetëm, aktiviteti i kësaj kategorie raportohet se është pothuajse i paralizuar prej gati tre javësh, si pasojë e mosfunksionimit të SelfCare.
Më 29 janar, Administrata Tatimore deklaroi se problematika e konstatuar në aksesimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara ishte zgjidhur dhe se sistemi funksiononte normalisht që prej pasdites së 28 janarit. Megjithatë, edhe pas këtij njoftimi, shumë subjekte vazhdojnë të raportojnë probleme të pandërprera.
“Nxitimi për të përgënjeshtruar problemet e pazgjidhura thjesht sa e thellon mosbesimin në infrastrukturën kritike dhe në aftësinë e shtetit për të justifikuar shpenzimet e larta buxhetore për shërbime që lënë për të dëshiruar”, shkruante më herët një lexues.
Përtej fiskalizimit, bizneset shprehin shqetësim edhe për çështjen e inventarëve. Administrata Tatimore u ka kërkuar subjekteve që të dorëzojnë inventarët deri në fund të muajit, ndërkohë që sistemet dixhitale vijojnë të kenë probleme funksionimi. Kjo situatë rrit rrezikun e penaliteteve administrative për bizneset, për shkaqe që nuk varen prej tyre.
Problemet e fundit me SelfCare nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një serie vështirësish që e-Albania ka shfaqur herë pas here në vitet e fundit. Ndërprerjet e shërbimeve, ngarkesa e sistemit dhe mungesa e transparencës mbi zgjidhjen e problemeve po vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e një platforme që konsiderohet infrastrukturë kritike për funksionimin e administratës dhe ekonomisë.
Në kushtet kur gjithnjë e më shumë procese po zhvendosen drejt shërbimeve online, besueshmëria dhe stabiliteti i e-Albania dhe sistemeve të lidhura me të, si SelfCare, mbeten thelbësore. Për bizneset, çdo ditë mosfunksionimi përkthehet në kosto shtesë, pasiguri dhe pengesa reale për vijimin normal të aktivitetit ekonomik. Nëse problematikat nuk adresohen në mënyrë të qëndrueshme, rreziku është që dixhitalizimi të perceptohet jo si lehtësim, por si barrë shtesë për sipërmarrjen.
