groelanda

Rritja e temperaturave në Groenlandë sjell pasiguri për ekonominë e ishullit

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Groenlanda, ishulli arktik, ka përjetuar janarin më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë këtë vit. Ritmi i ngrohjes, katër herë më i shpejtë se mesatarja globale, po ndryshon ndjeshëm perspektivën për sektorët kyç të ekonomisë, nga peshkimi deri te industria minerare.

Sipas matjeve paraprake të Institutit Meteorologjik Danez, temperatura mesatare në kryeqytetin grenlandez, Nuuk, ishte +0.2 gradë Celsius gjatë janarit ,niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë dhe shumë mbi mesataren historike prej -7.7 gradësh për periudhën 1991–2020.

“Ndryshimet klimatike janë tashmë qartësisht të dukshme në Groenlandë,” tha Jacob Hoyer, drejtues i Qendrës Kombëtare për Kërkime Klimatike pranë Institutit Meteorologjik Danez.
“Nga të dhënat rezulton se Groenlanda po ngrohet katër herë më shpejt se rritja mesatare e temperaturës globale.”

Temperaturat më të larta bëjnë që akulli i detit të shtrihet më pak drejt jugut përgjatë bregdetit çdo dimër dhe të jetë më i hollë edhe aty ku ekziston, duke e vështirësuar përdorimin e tij për transport, sipas Hoyer.

Kjo situatë mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në shtyllën kryesore të ekonomisë së Groenlandës, peshkimin. Kapjet, kryesisht të karkalecit, shkarpës (halibut) dhe merlucit, janë eksporti më i madh i vendit dhe përbënin 23% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2023, sipas Statistikave të Groenlandës, ndërsa sektori punëson rreth 15% të fuqisë punëtore.

“Ujërat përreth Greonlandës po ngrohen gjithashtu, dhe kjo mund të ndryshojë ekosistemin dhe industrinë e peshkimit. Me shumë gjasë do të ketë ndikim,” tha Hoyer, duke shtuar se është ende herët për të përcaktuar saktësisht pasojat.

Groenlanda zotëron gjithashtu burime minerare strategjike. Një studim danez i publikuar në vitin 2023 tregoi se 25 nga 34 mineralet e cilësuara si “lëndë të para kritike” nga Komisioni Europian gjenden në Groenlandë.

Megjithatë, procedurat burokratike për dhënien e lejeve minerare, kushtet e vështira klimatike dhe kundërshtimet nga komunitetet indigjene e kanë bërë historikisht industrinë minerare shumë të kushtueshme. Nga ana tjetër, ngrohja e klimës mund t’i bëjë këto projekte më të leverdishme, pasi nxjerrja dhe transporti do të jenë më pak të kushtueshme, vlerëson Hoyer.

Sidoqoftë, bizneset në sektorët tradicionalë përballen me pasiguri të menjëhershme. Casper Moller, pronar i një kompanie që ofron ture turistike, thotë se mungesa e borës dhe akullit i bën të vështira aktivitetet me motorë bore ose ski.

“Për momentin, e vetmja gjë që po bëjmë është të kryqëzojmë gishtat dhe të shpresojmë që së shpejti të ketë më shumë borë,” tha ai.

reuters.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top