Një nga programuesit më të njohur në botën e kodimit konkurrues, Neal Wu, ka filluar të punojë në mënyrë të heshtur për Thinking Machines Lab, startup-in e inteligjencës artificiale të themeluar nga ish-Drejtoresha e Teknologjisë në OpenAI, Mira Murati.
Informacioni është konfirmuar për Business Insider përmes korrespondencës së brendshme të kompanisë, edhe pse as Wu dhe as kompania nuk e kanë bërë publike rolin e tij.
Wu është një figurë e njohur në skenën globale të programimit: fitues trefish i medaljes së artë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Programimit dhe bashkëthemelues i Cognition, një startup i AI me vlerë 10 miliardë dollarë. Ai është gjithashtu vëllai i Scott Wu, CEO dhe bashkëthemelues i Cognition.
Sipas burimeve, Wu ka nisur të punojë në Thinking Machines Lab që nga janari i vitit 2025, rreth kohës kur kompania doli nga faza “stealth”, një periudhë ku startup-i funksionon në fshehtësi para prezantimit publik të produkteve dhe shërbimeve. Përkundër natyrës sekrete të angazhimit, nuk ka indikacione se roli i tij ka qenë në dëm të kompanisë.
Thinking Machines Lab, e vlerësuar mbi 10 miliardë dollarë, ka tërhequr staf me eksperiencë nga laboratorë si OpenAI dhe Meta. Megjithatë, kompanitë rivale kanë nisur fushata agresive për të rekrutuar talentë kryesorë. Meta, për shembull, ka ofruar paketa kompensimi deri në 1.5 miliardë dollarë për të tërhequr bashkëthemeluesin Andrew Tulloch. Ndërkohë, disa figura kyçe të Thinking Machines Lab, përfshirë CTO-në Barret Zoph, kanë zgjedhur të kthehen në OpenAI.
Startup-i ka mbledhur 2 miliardë dollarë në raundin e parë të investimeve dhe po synon të arrijë një vlerësim prej 50 miliardë dollarësh, sipas raportimeve të Bloomberg. Thinking Machines Lab ofron shërbime për zhvillues që duan të trajnojnë dhe personalizojnë modelet e AI, duke synuar të bëhet një nga lojtarët kryesorë në sektorin e inteligjencës artificiale.
Hyrja e Neal Wu tregon se kompania vazhdon të tërheqë talentë elitë, pavarësisht sfidave të forta konkurruese në tregun e IA. Roli i tij mbetet i paqartë për publikun, por ekspertët e industrisë e shohin si një tregues të seriozitetit dhe ambicies së Thinking Machines Lab në këtë fazë të zhvillimit.
