Ministrat e financave të Eurozonës do të mblidhen më 16 shkurt për diskutime mbi mënyrat për të rritur ndikimin global të euros dhe për të forcuar sigurinë ekonomike të Evropës. Temat kryesore: emetimi i stablecoin-eve në euro, borxh i përbashkët i BE-së dhe pavarësia në sistemet e pagesave.
Sipas një dokumenti të Komisionit Evropian, euroja, monedha e dytë më e përdorur në botë pas dollarit, mund të luajë një rol vendimtar në stabilitetin financiar global dhe në politikën ekonomike të BE-së. Një euro më e fortë do të ulë koston e financimit dhe rrezikun valutore për bizneset evropiane, duke zvogëluar varësinë nga dollarët amerikanë.
Komisioni sugjeron shqyrtimin e stablecoin-eve, depozitave të tokenizuara dhe monedhave digjitale të bankës qendrore të denominuara në euro. Aktualisht, euroja përbën më pak se 1% të tregut global të stablecoin-eve, që dominohet nga dollarët. Kjo rrit rrezikun që kapitali evropian të largohet drejt SHBA-së.
Dokumenti thekson nevojën për të zgjeruar tregun e borxhit në euro, përmes emetimit të përbashkët të BE-së për projekte strategjike dhe inkurajimit të kompanive dhe qeverive jashtë eurozonës që të lëshojnë borxh në euro. Aktualisht, borxhi i përbashkët i BE-së është rreth 1 trilion euro, krahasuar me 27 trilion dollarë borxh amerikan, duke e bërë atë më pak likuid dhe tërheqës për investitorët e mëdhenj.
Evropa po synon të krijojë një sistem të saj të pagesave elektronike, për t’u pavarësuar nga Visa dhe Mastercard, që dominojnë tregun e pagesave në BE.
Dokumenti sugjeron gjithashtu që Mekanizmi Evropian i Stabilitetit të transformohet në një institucion të BE-së, i cili të menaxhojë të gjithë borxhin e përbashkët, duke funksionuar si një agjenci e centralizuar e borxhit.
BE-ja po kërkon të forcojë pavarësinë ekonomike dhe rolin global të euros, duke kombinuar inovacionin digjital, instrumente financiare të përbashkëta dhe reforma strukturore që të tërheqin investimet dhe kapitalin evropian.
