protesta

Reagime të shumta në Kosovë pas kërkesës për 45 vjet burgim ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Në Kosovë ka pasur reagime të shumta pas lajmit se Prokuroria në Dhomat e Specializuara në Hagë ka kërkuar dënimin me 45 vjet burgim për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi.

Reagimi i Presidentes Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një reagim publik theksoi se përpjekjet për të barazuar luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me krimet e agresorit serb dëmtojnë besimin në drejtësi dhe kërcënojnë paqen afatgjatë.

“Gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës janë krime që Serbia i kreu ndaj popullit të Kosovës ndër shekuj. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Serbia kishte për qëllim shfarosjen e popullit shqiptar, çka u shpreh përmes vrasjeve, masakrimeve, dhunimeve dhe dëbimeve masive”, tha Osmani.

Ajo theksoi se Kosova dhe qytetarët e saj kërkojnë drejtësi dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër. “Kjo e vërtetë nuk ndryshohet me tentativa për ta rishkruar historinë dhe për ta njollosur betejën e popullit të Kosovës për liri”, shtoi ajo.

Reagimi i ish-ministrës së Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ish-ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, e konsideroi kërkesën për 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së si një akt padrejtësie dhe një fyerje ndaj viktimave shqiptare të luftës.

“Ky akt nuk ka të bëjë me drejtësi, por është një përpjekje për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë çlirimtare. Kërkimi i dënimeve të tilla synon të zhvesh Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe të barazojë viktimën me xhelatin”, shkruan Haxhiu.

Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje

Partia Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve të fundit dhe parti që pritet të formojë qeverinë, e konsideroi kërkesën e Prokurorisë një ndërhyrje politike në histori dhe kujtesë.

“Ky proces nuk po gjykon individë të shkëputur nga konteksti, por tenton të gjykojë vetë aktin e çlirimit. Ai zhvendos vëmendjen nga agresori te viktima dhe paraqet rezistencën ndaj okupimit si krim, ndërsa okupimin si sfond të heshtur”, tha LVV.

Reagimi i Partisë Demokratike të Kosovës

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, vuri në pah se faza përmbyllëse e procesit gjyqësor në Hagë është jo vetëm një akt juridik, por edhe një test për ndërgjegjen ndërkombëtare ndaj së vërtetës.

“Për më shumë se pesë vjet, çlirimtarët tanë dhe ekipet mbrojtëse rrëzuan akuzat një nga një. Tashmë presim që drejtësia ndërkombëtare të vendosë në mënyrë të paanshme dhe të pandikuar. Ne besojmë në pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, sepse besojmë në të vërtetën historike dhe në luftën e drejtë për liri dhe pavarësi”, shkroi Hamza.

Protesta më 17 shkurt

Më 17 shkurt, në 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, organizata “Liria ka Emër” ka paralajmëruar një protestë në Prishtinë me moton “Drejtësi jo politikë”, ku do të kërkohet drejtësi dhe do të denoncohen, sipas tyre, shkeljet gjatë procesit gjyqësor në Hagë.

DW

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top