Shqipëria ka nisur zyrtarisht zbatimin e nismës WiFi4WB, e cila do të ofrojë internet Wi-Fi falas në 61 bashki në të gjithë vendin. Ceremonia e lançimit u mbajt në Krujë, në një nga pikat e para të instaluara, pranë Kalasë së Krujës.
Nisma është pjesë e projektit EU4Digital, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, dhe zbatuar nga GIZ. Ajo është frymëzuar nga programi evropian WiFi4EU, i cili ka lidhur mbi 7,000 komunitete në Evropë.
Pas përfundimit të zbatimit, qytetarët dhe vizitorët do të kenë akses falas në internet në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, shkolla dhe site kulturore.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se ky projekt synon jo vetëm lidhjen me internetin, por fuqizimin e komuniteteve dhe afrimin e vendit me Tregun Unik Digjital të BE-së.
Ndërsa Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, e cilësoi nismën si një hap të rëndësishëm drejt aksesit të barabartë digjital për qytetarët shqiptarë.
Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, u shpreh se WiFi4WB do të ndihmojë turistët me më shumë informacion dhe orientim, duke përmirësuar përvojën në site kulturore si Muzeu në Kalanë e Krujës, i cili vetëm vitin e kaluar u vizitua nga rreth 200 mijë turistë.
Gjatë aktivitetit u nënshkrua edhe Memorandumi i Mirëkuptimit mes GIZ dhe Bashkisë për instalimin dhe mirëmbajtjen afatgjatë të rrjetit. Drejtoresha e GIZ në Shqipëri, Sonja Kurz, theksoi se projekti do të ndihmojë në reduktimin e hendekut digjital dhe rritjen e aksesit në shërbime online.
Për zbatimin teknik të rrjetit u përzgjodh përmes tenderi publik operatori Vodafone, i cili do të shtrijë dhe mirëmbajë infrastrukturën Wi-Fi në vendndodhjet e përcaktuara.
Me këtë nismë, Shqipëria synon të përmirësojë aksesin në shërbime digjitale, arsim dhe informacion publik, duke mbështetur njëkohësisht bizneset lokale dhe zhvillimin e turizmit.
