Të gjithë besimtarët myslimanë në mbarë botën e nisin sot muajin e shenjtë të Ramazanit me agjërimin, një nga shtyllat kryesore dhe detyrimet më të rëndësishme të fesë islame.
Agjërimi, në thelb, është një urdhër hyjnor dhe pjesë e pesë bazave themelore të Islamit. Krahas dimensionit fetar, ai përmban edhe shumë urtësi dhe përfitime që ndikojnë në jetën shpirtërore, fizike, psikologjike dhe shoqërore të njeriut, si dhe në mirëqenien e komunitetit.
Fillimi i Ramazanit përcaktohet sipas ciklit hënor, duke krijuar një unitet dhe harmoni mes myslimanëve në të gjithë botën për ta përjetuar së bashku këtë periudhë të bekuar.
Gjatë këtij muaji, besimtarët ndalojnë ushqimin, pijet dhe veprime të tjera nga agimi deri në perëndim të diellit (nga syfyri në iftar). Ramazani konsiderohet një kohë e përkushtimit të thellë shpirtëror, e rritjes së vlerave morale e njerëzore, e solidaritetit dhe bashkëpunimit. Ai është gjithashtu muaj i adhurimit më intensiv, i leximit të Kuranit, i bamirësisë dhe i veprave të mira, duke theksuar mëshirën, virtytin dhe dhembshurinë.
Përveç dimensionit shpirtëror, agjërimi ka edhe një rëndësi të madhe shoqërore, pasi nxit afrimin mes njerëzve dhe ndihmën ndaj atyre që janë në nevojë.
Dita e fundit e Ramazanit bie më 19 mars, ndërsa më 20 mars festohet Fitër Bajrami.

