Kompiuter

Mashtrimet në rrjetet sociale në nivele rekord

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Materialet audio dhe video të falsifikuara përmes inteligjencës artificiale që imitojnë në mënyrë realiste persona të vërtetë po bëhen gjithnjë e më të sofistikuar, humbjet financiare nga mashtrimet online kanë shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025.

Interneti është i mbushur me premtime: skema që pretendojnë se “të bëjnë të pasur shpejt”, aplikacione takimesh që garantojnë partnerin ideal me pak klikime, apo oferta tërheqëse për pushime perfekte. Por krahas këtyre mundësive, rreziku i mashtrimit është rritur ndjeshëm.

Sipas një studimi të ri nga kompania e sigurisë kibernetike SurfShark, mashtrimet dhe skemat e lidhura me deepfake u kanë shkaktuar qytetarëve në mbarë botën humbje prej rreth 1.1 miliardë dollarësh (930 milionë euro) gjatë vitit 2025, trefish më shumë krahasuar me rreth 304 milionë euro të regjistruara në vitin 2024.

Mbi 80% e këtyre humbjeve kanë ndodhur përmes rrjeteve sociale, ku platformat më të shënjestruara rezultojnë Facebook, WhatsApp dhe Telegram.

Investime të rreme me fytyra të njohura

Mashtrimet më fitimprurëse me deepfake kanë përdorur video dhe audio të manipuluara për të imituar figura të njohura publike, nga personazhe të famshëm deri te drejtues biznesi dhe liderë financiarë, me qëllim promovimin e platformave të rreme të investimit.

Gjatë vitit 2025, as politikanët europianë nuk i shpëtuan këtij fenomeni. Një video e manipuluar ndryshoi një fjalim të Presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki, duke e paraqitur sikur ai mbështeste një platformë mashtruese investimi.

Në një tjetër rast, që u përhap gjatë verës, një video deepfake paraqiste Kancelarin gjerman Friedrich Merz duke u bërë thirrje qytetarëve të regjistroheshin në një platformë investimi. Organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve reaguan menjëherë, duke paralajmëruar publikun për falsifikimin.

Rritje e mashtrimeve romantike

Në rritje janë edhe mashtrimet romantike, ku kriminelët përdorin deepfake, video dhe audio tepër realiste të krijuara me inteligjencë artificiale – për të ndërtuar marrëdhënie të rreme emocionale me viktimat. Pasi fitojnë besimin e tyre, mashtruesit kërkojnë para, zakonisht me justifikimin e një urgjence mjekësore. Shpesh, viktimat orientohen edhe drejt skemave të rreme të investimit.

Në Francë, historia e një gruaje u bë virale në fillim të vitit 2025, pasi ajo tregoi se ishte mashtruar duke besuar se ishte në një lidhje me aktorin Brad Pitt. Në realitet, ajo ishte viktimë e një rrjeti të organizuar mashtruesish, të cilët e bindën se “ylli i Hollywood-it” ishte rëndë i sëmurë dhe kishte nevojë për para për trajtim mjekësor. Si pasojë, ajo humbi mbi 800 mijë euro.

Edhe pse mashtrimet romantike zhvillohen në shkallë globale, disa zona konsiderohen qendra të njohura të këtyre aktiviteteve, përfshirë vende në Afrikën Perëndimore (si Nigeria dhe Gana), si dhe në Azinë Juglindore, përfshirë Kamboxhian, Mianmarin dhe Filipinet.

Megjithëse humbjet nga mashtrimet romantike zakonisht janë më të vogla krahasuar me ato nga investimet e rreme, rastet e targetuara mund të shkaktojnë pasoja të rënda psikologjike për viktimat.

Euronews

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top