Bordi i Paqes tashmë ka zyrtarisht faqen e tij të webit, duke shënuar një hap të ri në përpjekjet për krijimin e një arkitekture më efektive të paqes në nivel ndërkombëtar.
Të 28 shtetet themeluese të këtij organizmi të ri shfaqen aty së bashku me flamujt përkatës, përfshirë edhe Shqipërinë e Kosovën. Qasja që përcillet në deklaratën e themelimit të Bordit është ajo e pragmatizmit, me theksin tek fakti që paqja e qëndrueshme kërkon gjykim racional, por edhe veprime që sjellin rezultate konkrete, ndryshe nga sa ka ndodhur shpesh me qëndrimet e institucioneve.
Sipas dokumentit, paqja afatgjatë ndërtohet duke fuqizuar qytetarët për të marrë përgjegjësi për të ardhmen e tyre, si dhe përmes partneriteteve të qëndrueshme, të orientuara drejt rezultateve dhe të bazuara në ndarjen e barrës dhe përgjegjësive. Gjithashtu, theksohet nevoja për një trupë ndërkombëtare më fleksibile dhe më efektive në fushën e paqebërjes, duke kritikuar qasjet që krijojnë varësi të vazhdueshme dhe institucionalizojnë krizën në vend që ta zgjidhin atë.
Sipas njoftimit, palët themeluese janë zotuar të krijojnë një koalicion shtetesh të gatshme për bashkëpunim praktik dhe veprim efektiv, përmes miratimit të Kartës së Bordit të Paqes. Kjo e fundit duket se në fakt synon një fushëveprim të gjerë. Gaza aty nuk përmendet, duke i lënë vend ambicies globale të këtij organizmi për të zgjidhur konfliktet. Ekspertë të ndryshëm thonë se i mbështesin ambiciet e Bordit përtej Gazës, me kusht që ato të çojnë në një reduktim të konflikteve.
Në mesin e 28 shteteve themeluese të paraqitura në webfaqe janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Kosova, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani, Izraeli, Egjipti, Jordania, Kazakistani, Uzbekistani, Paraguai, Maroku, si dhe vende të tjera nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine.
