lidership

5 hapa për ta transformuar lidershipin tuaj

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Të mbash një titull drejtues nuk do të thotë automatikisht të jesh lider i mirë.

Statistikat janë domethënëse: rreth 90% e njerëzve nuk i zotërojnë natyrshëm aftësitë e lidershipit, ndërsa 60% e punonjësve mendojnë të largohen nga puna për shkak të menaxherit të tyre. Në shumicën e rasteve, njerëzit nuk largohen nga kompania, largohen nga shefi.

Megjithatë, lidershipi nuk është një talent i lindur që e kanë vetëm disa. Ai është një aftësi që zhvillohet me vetëdije dhe praktikë.

Sipas Shane Metcalf, bashkëthemelues dhe Chief Culture Officer i 15Five, thelbi i lidershipit modern qëndron te zhvillimi i brendshëm i liderit dhe ndërtimi i një kulture organizative që fuqizon njerëzit.

Ja pesë parime që e çojnë lidershipin nga i mirë në të shkëlqyer.

1. Gjithçka nis me vetëreflektim dhe punë me veten

Nuk ekziston një ndarje e prerë mes jetës personale dhe asaj profesionale. Përvojat, bindjet dhe sfidat e pashqyrtuara ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si komunikojmë, reagojmë dhe marrim vendime.

Një lider i pjekur investon në vetëreflektim. Praktika si meditimi, coaching-u apo, kur është e nevojshme, terapia, ndihmojnë në përpunimin e përvojave të së kaluarës dhe në rritjen e vetëdijes emocionale. Një drejtues që është i balancuar dhe i qartë me veten krijon një mjedis më të shëndetshëm për ekipin.

Kultura organizative fillon nga gjendja e brendshme e liderit.

2. Ndërtoni siguri psikologjike

Koncepti i sigurisë psikologjike, i përkufizuar nga studiuesja Amy Edmondson, i referohet bindjes së përbashkët se ekipi është i sigurt për të marrë rreziqe ndërpersonale, për të folur hapur, për të propozuar ide dhe për të pranuar gabimet.

Reagimi i menaxherit ndaj gabimeve është vendimtar. Në vend të kritikës apo presionit, një qasje konstruktive përfshin pyetje si:

  • Çfarë mësuam nga kjo situatë?

  • Si mund të përmirësohemi herën tjetër?

Në një mjedis ku njerëzit ndihen të sigurt për të eksperimentuar, rritet kreativiteti, inovacioni dhe performanca.

3. Kërkoni mendimin e ekipit dhe dëgjoni me vëmendje

Të dëgjosh në mënyrë aktive do të thotë të jesh plotësisht i pranishëm në bisedë, pa përgatitur përgjigjen ndërkohë që tjetri flet.

Kur punonjësit ndihen të dëgjuar dhe të vlerësuar dhe kur shohin se sugjerimet e tyre merren seriozisht dhe shoqërohen me veprime konkrete ndërtohet besim dhe besimi është themeli i çdo ekipi të suksesshëm.

Feedback-u nuk duhet të jetë një proces formal dhe i rrallë, por një dialog i vazhdueshëm dhe i hapur.

4. Përqendrohuni te pikat e forta

Shumë menaxherë fokusohen kryesisht te dobësitë, duke u përpjekur t’i korrigjojnë ato. Liderët efektivë, përkundrazi, investojnë në zhvillimin e talenteve natyrore të secilit individ.

Përdorimi i instrumenteve të vlerësimit të talenteve ndihmon punonjësit të kuptojnë aftësitë e tyre kryesore. Kur njerëzit punojnë në fushat ku janë më të aftë dhe më të motivuar, rritet jo vetëm performanca, por edhe ndjenja e përmbushjes profesionale.

Një ekip i ndërtuar mbi pikat e forta është më i qëndrueshëm dhe më produktiv.

5. Kultivoni një mentalitet rritjeje

Mentaliteti i rritjes bazohet në bindjen se aftësitë dhe kompetencat mund të zhvillohen përmes përpjekjes, mësimit dhe përkushtimit.

Një lider që e sheh veten si një proces në zhvillim të vazhdueshëm krijon një kulturë ku gabimet shihen si mundësi për të mësuar dhe jo si dështime për t’u ndëshkuar. Kjo qasje inkurajon përmirësimin e vazhdueshëm, si në nivel individual ashtu edhe organizativ.

Organizatat që mësojnë vazhdimisht janë ato që arrijnë të përshtaten dhe të mbeten konkurruese.

Të jesh shef nuk mjafton. Tregu i sotëm kërkon liderë që ndërtojnë kultura besimi, zhvillimi dhe bashkëpunimi.

Punonjësit nuk largohen vetëm për arsye financiare, ata largohen kur mungon lidershipi i mirë. Ndërsa liderët që investojnë në veten dhe në njerëzit e tyre krijojnë ekipe më të angazhuara, më produktive dhe më besnike.

Lidershipi i shkëlqyer nuk është çështje pozicioni, por ndikimi dhe ndikimi fillon nga vetëdija.

inc

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top