Arben Malaj

Mes legjitimitetit të votës dhe “mbështetjeve telefonike”

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

PROF. DR. ARBEN MALAJ

Debati për rizgjedhjen e Presidentes Osmani, të cilën e respektoj për diplomacinë e saj aktive po konturohet si “udhë kryqi”, ku do të dallojmë Presidenten Osmani si shtetarja atdhedashëse nga politikania e zakonshme. Winston Churchill, një nga arkitektët e lirisë botërore, na lajmëronte se “Çmimi i madhështisë është përgjegjësia”, ndërsa Abraham Lincoln, na la një mësim të pavdekshëm: “Pothuajse çdo njeri mund t’i përballojë fatkeqësitë, por nëse dëshiron të testosh vërtet karakterin e një njeriu, jepi atij pushtet”. Në këtë dritë, nëse Presidentja Osmani zgjedh të kërkojë avantazhe te mbështetja e jashtme, ajo jo vetëm dëmton legjitimitetin e saj të brendshëm, por rrezikon të shpërbëjë fuqinë e integritetit që ka ndërtuar deri më sot. Mesazhi Presidentit Trump në Bordin e Paqes se, “Nëse i ke punët keq për mandatin e dytë, më telefono mua”, ishte sa joshës në dukje, aq edhe i rrezikshëm në esencë. Media prestigjioze ndërkombëtare i konsiderojnë këto ndërhyrje si një armë gjeostrategjike e mirëfilltë që përdoret kundër arkitekturës demokratike evropiane. Kjo mospërputhje gjeopolitike mes qasjes izolacioniste dhe asaj të bashkëpunimit SHBABE për imponim lidershipi, nuk duhet në asnjë mënyrë të materializohet si një ndërhyrje kirurgjikale në Kosovë. Shihen me shqetësim reagimet e unifikuar të vendeve evropiane, të cilat, pavarësisht nëse u përkasin të majtëve apo të djathtëve, janë shprehur publikisht dhe prerë kundër Bannon, Musk, Grenell, zv.Presidentit dhe vetë Presidentit amerikan, të cilët kanë lobuar hapur për të rrëzuar liderë legjitimë evropianë dhe për të instaluar figura që u binden agjendave të tyre personale.

Kur një lider si Vjosa Osmani pranon apo flirton me këtë lloj “garancie” të jashtme, ajo po mbjell farën e një deficiti demokratik të rrezikshëm, ku kostoja ekonomike ashtu siç paralajmëron FMN-ja kur thotë se krizat politike dhe mungesa e qëndrueshmërisë institucionale kanë dëmtuar rëndë cilësinë dhe ritmet e rritjes sonë ekonomike, duke e kthyer Kosovën në një vend që prodhon më shumë politikë në vend që të prodhojë me shume mirëqenie reale dhe të qëndrueshme.

Analiza e kostove dhe përfitimeve nga modeli i liderëve të sponsorizuar nga jashtë tregon një bilanc shqetësues dhe kërcënues për demokracinë funksionale.

Përfitimi është individual/personal dhe afatshkurtër. Ndërsa disavantazhet janë kolektive dhe afatgjata, duke filluar nga cenimi i rëndë i integritetit moral të liderit, deri te rreziku real i rrëshqitjes drejt një autoritarizmi të ri, ku pushteti nuk buron nga vota e lirë e votuesve, por nga telefonatat ndërhyrëse dhe imponuesve ndaj votuesve, që duhet të jetë vetëm i lirë.

Ky model rrit varësinë ndaj lobimit të jashtëm, ku paratë e taksapaguesve apo resurset kombëtare shpesh përdoren për të blerë mbështetje në qendrat e fuqisë globale.

Vjosa Osmani duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme lidhur me trashëgiminë që po ndërton, sepse historia nuk i mban mend liderët për numrin e telefonatave që kanë marrë, por për gjurmën që kanë lënë në forcimin e institucioneve të pavarura, dhe nëse ajo lejon që mandati i saj të kthehet në një “dhuratë” gjeopolitike, ajo do të mbahet mend si liderja që shkëmbeu sovranitetin e popullit të saj me një mbijetesë personale.

Legjitimiteti i vërtetë, jo thjesht për postin e Presidentit, por për çdo ambicie të saj të ardhshme, duhet të vijë vetëm nga qytetarët e Kosovës dhe nga ajo harmoni apo kompromis antikrizë mes partive politike që tregon pjekuri shtetërore, sepse çdo politikë që nënvlerëson apo anashkalon votën e brendshme, në fakt po ushqen “përbindëshat e brendshëm” që fshihen në psikën e çdo udhëheqësi: egon e shfrenuar që të thotë se je i pazëvendësueshëm, etjen për pushtet që nuk njeh limite morale dhe frikën paralizuese nga humbja e mandatit që të shtyn drejt kompromiseve të turpshme.

Kur një udhëheqës fillon t’i ushqejë këta përbindësha, ai e humb aftësinë për të parë interesin kombëtar dhe i errësohet gjykimi, duke u bërë pre e premtimeve të liderëve globalë që sot të japin dorën e nesër të kthejnë shpinën sipas interesave të tyre pragmatike.

Këtu vjen në ndihmë figura mitologjike e Anteut, gjigantit që ishte i pamposhtur për sa kohë prekte Tokën, nënën e tij Gea, nga e cila merrte forcën e pashtershme. Por kur ai u shkëput nga toka mëmë, u mund menjëherë.

Për çdo udhëheqës në Kosovë, “Toka” është populli, është vota e lirë, është realiteti i dhimbshëm i qytetarit në Prishtinë, Mitrovicë apo Prizren dhe sa herë që një lider e mbështet fitoren pas lobingjeve dhe premtimeve të liderëve globalë, ai shkëputet nga kjo tokë, humbet forcën e tij natyrale dhe bëhet i prekshëm, i brishtë dhe i manipulueshëm. Forca e vërtetë e Osmanit, e Kurtit, apo e cilitdo lider tjetër shqiptar nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë te telefonat e liderëve globalë, por tek aftësia për të vënë dorën mbi tokën e shenjtë të Kosovës dhe për të dëgjuar rrahjet e zemrës së popullit të tyre, sepse Kosova meriton çdo sakrificë për qëndrueshmëri politike që nuk vjen si dhuratë, por si meritë e proceseve demokratike.

Në këtë betejë mes dritës së sovranitetit dhe hijeve të autokracisë së sponsorizuar, duhet të jemi të qartë se demokracia është një proces që kërkon integritet çdo ditë dhe se kur liderët zgjedhin rrugën e shkurtër të lobimit, ata në fakt zgjedhin rrugën e gjatë të rrënimit të shtetit.

panorama.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top