Demokracitë funksionojnë më mirë dhe mbijetojnë më gjatë aty ku Kushtetuta dhe ligji përforcohen nga norma demokratike të pashkruara. Normat themelore të pashkruara ruajnë kontrollin dhe balancat në jetën politike dhe institucionale: 1funksionimi demokratik i partive politike është i lidhur me cilësinë e qeverisjes dhe të institucioneve të vendit; II. toleranca e ndërsjellë, ose mirëkuptimi që partitë konkurruese e pranojnë njëra-tjetrën si rivalë legjitimë; III. ushtrimi i përmbajtur i funksioneve ekzekutive për të mos lejuar njehësimin e shtetit me pushtetin.
Intervistë me gazetarin Mentor Kikia, nga Forumi i Mendimit të Lirë, në kuadër të projektit për partitë politike mbështetur nga Fondacioni Westminster për Demokraci
Ish Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, gjatë një interviste me gazetarin Mentor Kikia ka folur edhe për ecurinë e partive politike në vend dhe financimin e tyre. Sipas tij, sot të rinjtë nuk zgjedhin një parti politike mbi idealizmin që kanë, por e bëjnë për interesa personale të çastit. Sipas tij, Shqipëria do të përballet me dy reformat kryesore të BE lidhur me politikën e median.
“Ne vuajmë nga mungesa e aktivizmit politik, që është si puna e qarkullimit të gjakut në vena për një parti politike dhe për një shoqëri. Për fat të keq, një pjesë e mirë e njerëzve priren për t’iu bashkuar një partie politike për qëllime të ngushta personale dhe jo për jetësimin e ideve të caktuara. Në vende me demokraci të konsoliduara, është shumë e kollajshme për të bërë diferencën mes një socialdemokrati, liberaldemokrati, apo kristiandemokrati, apo konservatori. Një anëtar i ndonjërës nga familjeve e identifikon veten për shkak të vlerave, në te cilat beson dhe për shkak të ceshtjeve që janë në interes për të.
Ne jemi një demokraci e brishtë, kemi luhatjet tona. Ka pasur momente kur partitë tona politike në Shqipëri, kanë pasur një jetë relativisht të shëndetshme, sikurse kanë pasur edhe momente të errëta. Por, kjo duhet të shihet në gjithë ekosistemin institucional. Partitë politike nuk mund të shihen të veçuara nga pjesa tjetër e institucioneve dhe pjesa tjetër e shoqërisë. Për fat të keq ne kemi një SUNDIM në pozicione të caktuara, jo thjesht në partitë politike, por edhe tek institucionet e shtetit, institucionet akademike, të botës së sportit e kështu me radhë.
Sa herë kemi bërë arnime për partitë politike dhe sistemit zgjedhor, thekson ai- kemi pasur në vëmendje pushtetin e udheheqësit dhe jo gjithë trupën. Dhe këtu është zanafilla për ndryshimin e kulturës politike në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet se pse ne sot për fat të keq jemi katandisur në një politikë pa politikanë. Sot është e vështirë te partitë tona kryesore për të identifikuar grupe, se fraksione është fjalë e madhe që kanë mendim të caktuar.
Linku i Videos: https://www.facebook.com/reel/947423067712666
