Kur një grup studiuesish vendosi të verifikonte nëse “mendimi pozitiv” përmirësonte saktësinë e chatbot-eve me inteligjencë artificiale, rezultatet rezultuan befasuese. Ata i quajtën sistemet “të zgjuara” dhe i inkurajuan të mendonin me kujdes. Megjithatë, asnjë nga këto strategji nuk solli përmirësim të qëndrueshëm.
“Nuk ka një formulë magjike fjalësh që i bën modelet të zgjidhin problemin,” thotë Jules White, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin Vanderbilt. “Nuk ka të bëjë me zgjedhjen e fjalëve, por me mënyrën se si e shpreh thelbin e asaj që kërkon.”
Në vitin 2025, një përdorues në rrjetin X pyeti sa para mund të ketë humbur OpenAI në energji elektrike nga njerëzit që thonë “të lutem” dhe “faleminderit” kur flasin me ChatGPT. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Sam Altman, u përgjigj me humor: “Dhjetëra miliona dollarë të shpenzuara mirë. Kurrë nuk i dihet.”
Një studim i vitit 2024 sugjeroi se përgjigjet ishin më të sakta kur kërkesat bëheshin me mirësjellje. Një test tjetër i vogël tregoi se një version i mëparshëm i ChatGPT ishte më i saktë kur përdoruesi e fyente.
Ekspertët bien dakord se modelet e sotme, si ChatGPT, Gemini apo Claude, janë shumë më të avancuara se disa vite më parë dhe nuk ndikohen në mënyrë të qëndrueshme nga lajkat, kërcënimet apo tonet e sjellshme. Ato janë ndërtuar për të imituar sjelljen njerëzore, por nuk kanë emocione apo personalitet real. Janë mjete, jo qenie të gjalla.
Si të komunikoni më mirë me chatbot-in
Nëse vendosni ta përdorni inteligjencën artificiale, ja disa strategji që sipas ekspertëve funksionojnë realisht:
1. Kërkoni disa alternativa
Mos kërkoni një përgjigje të vetme. Kërkoni tre apo pesë variante të ndryshme. Kjo ju ndihmon të krahasoni dhe të përfshiheni më aktivisht në proces.
2. Jepni shembuj konkretë
Në vend që të listoni udhëzime si “bëje kështu” apo “mos e bëj ashtu”, ofroni mostra. Për shembull, nëse kërkoni të shkruhet një email në stilin tuaj, jepni disa emaile të mëparshme si referencë.
3. Kërkoni një intervistë me pyetje një e nga një
Nëse doni të hartoni një përshkrim pune apo një projekt, udhëzoni chatbot-in t’ju bëjë pyetje me radhë derisa të ketë informacion të mjaftueshëm. Kjo e bën procesin më të personalizuar dhe më të saktë.
4. Kujdes me lojën e roleve
T’i kërkosh IA-le të sillet si “profesor matematike” nuk e bën domosdoshmërisht më të saktë në matematikë. Përkundrazi, mund ta bëjë më të prirur për të dhënë përgjigje të pasakta me vetëbesim të tepruar. Loja e roleve funksionon më mirë në detyra krijuese, apo simulime intervistash.
5. Qëndroni neutral
Mos e orientoni përgjigjen me preferencat tuaja. Nëse jeni duke krahasuar dy produkte dhe thoni se po anoni nga njëri, ka gjasa që IA ta pasqyrojë atë prirje në përgjigje.
Sipas sondazheve, shumica e njerëzve vazhdojnë të përdorin “të lutem” dhe “faleminderit” kur flasin me IA. Jo sepse presin përmirësim performance, por sepse e ndiejnë si gjë të duhur.
Mirësjellja nuk do të ndikojë ndjeshëm në saktësinë e modelit, por mund të ndikojë te ju. Siç argumentonte filozofi Immanuel Kant, mënyra si sillemi, edhe ndaj qenieve që nuk ndiejnë, formëson karakterin tonë.
Inteligjenca artificiale nuk ka ndjenja për t’u lënduar. Megjithatë, ruajtja e mirësjelljes mund të jetë një zakon i mirë që reflektohet në marrëdhëniet tona reale.
Në fund, mesazhi është i qartë, mos kërkoni magji në fjalë të bukura apo formula sekrete. Trajtojeni IA-le si mjet dhe mësoni ta përdorni me zgjuarsi.
