Lindja e Mesme

Kriza në Lindjen e Mesme, pa ndikim në trafikun ajror në Shqipëri

Përmbledhje audio
Dëgjo një përmbledhje të shkurtër të këtij artikulli, gjeneruar nga AI.

Kjo përmbledhje audio është gjeneruar automatikisht.

Përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme po prek drejtpërdrejt transportin ajror, rrugët detare dhe tregtinë globale të energjisë, me kompani të mëdha të transportit dhe linja ajrore që po ndryshojnë itineraret dhe po rrisin kostot, sipas raportimeve të Reuters.

Transporti detar

Në transportin detar, fokusi mbetet Deti i Kuq dhe ngushtica Bab el-Mandeb, një nga korridoret më strategjike të botës. Përmes kësaj rruge kalon rreth 12% e tregtisë globale dhe afro 8–10% e naftës së transportuar me rrugë detare.

Pas rritjes së rreziqeve të sigurisë, kompani të mëdha të transportit si Maersk, Hapag-Lloyd dhe MSC kanë devijuar një pjesë të konsiderueshme të flotës përreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikë. Ky devijim zgjat udhëtimin me 10–15 ditë dhe rrit ndjeshëm kostot e karburantit dhe sigurimit, duke shtuar presion mbi çmimet e mallrave dhe tarifat e transportit.

Reuters raporton se trafiku në Kanalin e Suezit ka rënë ndjeshëm, me ulje të konsiderueshme të kalimeve të anijeve në krahasim me periudhën para përshkallëzimit të tensioneve. Devijimi i flotave ka rritur gjithashtu kërkesën për anije cisternë, duke shtuar kostot e transportit të naftës dhe gazit të lëngshëm (LNG).

Kufizime në fluturime

Sektori i aviacionit po përballet me kufizime të ngjashme. Linja ajrore si Lufthansa, Air France-KLM, British Airways dhe disa kompani amerikane kanë pezulluar ose kufizuar fluturimet mbi zona të Lindjes së Mesme dhe kanë ndryshuar itineraret drejt Azisë. Fluturimet midis Europës dhe Azisë po zgjasin deri në 90 minuta më shumë në disa raste, duke rritur konsumin e karburantit dhe kostot operative.

Agjencia Europiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) ka lëshuar disa paralajmërime për kompanitë ajrore lidhur me rreziqet e fluturimeve mbi zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme. Megjithëse hapësira ajrore e vendeve të BE-së mbetet e hapur, kufizimet indirekte po ndihen në të gjithë rrjetin europian të fluturimeve, pasi itineraret më të gjata po reduktojnë disponueshmërinë e avionëve dhe po rrisin kostot e operimit. Kjo ka sjellë shtyrje fluturimesh, rritje çmimesh dhe presion mbi kapacitetet e aeroportit në disa qendra të mëdha europiane.

Energjia

Në tregjet e energjisë, shqetësimi kryesor lidhet me ngushticën e Hormuzit, nga e cila kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë. Çdo rrezik për këtë korridor konsiderohet kritik për tregjet globale, pasi një ndërprerje e pjesshme mund të ndikojë menjëherë në çmimet ndërkombëtare. Sipas Reuters, analistët paralajmërojnë se rreziku i ndërprerjeve të furnizimit ka rritur primet e sigurimit për anijet cisternë dhe ka shtuar paqëndrueshmërinë në tregjet e energjisë.

Më 1 mars 2026, rreth 48 fluturime u anuluan në Qipro për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë dhe kufizimeve në hapësirën ajrore të Lindjes së Mesme. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Larnakës u anuluan 36 fluturime, ndërsa në atë të Pafos 12, sipas raportimeve. Fluturimet drejt dhe nga destinacione në Lindje të Mesme u ndërprenë plotësisht në përgjigje të rreziqeve të mundshme në zonën e konfliktit.

Këto anulime nënvizojnë vulnerabilitetin e Qipros si një nyje strategjike ajrore midis Europës dhe rajoneve me konflikte të ndezur, duke ndikuar në lidhjet e udhëtimeve drejt Izraelit dhe vendeve përreth.

Pavarësisht këtyre ndërprerjeve, fluturimet drejt destinacioneve europiane vazhdojnë kryesisht sipas orarit, gjë që ka ndihmuar në zbutjen e pasojave më të rënda për aeroportet e Qipros, megjithëse trafiku drejt lindjes mbetet i kufizuar

Shqipëria e nis të hënën pa probleme në trafikun ajror

Fluturimet nga Aeroporti i Rinasit kanë qenë normale këtë të hënë. Të gjitha fluturimet e planifikuara për në mëngjes janë nisur, sipas të dhënave nga Tirana Internationa Airport, ndërkohë që po vazhdon normalisht imbarkimi për udhëtimet e tjera të planifikuara.

Edhe mbërritjet janë ulur sipas planifikimit.

Nga Rinasi fluturohet drejt destinacioneve europiane, që nuk janë prekur nga konflikti ajrro me përjashtim të Qipros, drejt të cilit fluturimet nga Shqipëria janë sezonale dhe do të rinisin në prill, sipas planifikimit të Wizz Air.

monitor.al

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top