Një qendër e të dhënave e Amazon në Bahrein është goditur gjatë një sulmi me dron, për të cilin mediat shtetërore iraniane pretendojnë se ishte pjesë e një operacioni të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, për shkak të dyshimeve se këto infrastruktura teknologjike mbështesnin aktivitetet ushtarake dhe të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.
Sipas njësisë së cloud-it të kompanisë, Amazon Web Services, një nga objektet e saj në Bahrein pësoi dëmtime të dielën pas një sulmi me dron që ndodhi pranë kompleksit. Ndërkohë, edhe dy qendra të tjera të AWS në Emiratet e Bashkuara Arabe u dëmtuan pasi u goditën drejtpërdrejt nga dronë.
Sipas panelit zyrtar të monitorimit të shërbimeve të AWS, të gjitha këto qendra të të dhënave aktualisht janë jashtë funksionit.
Agjencia iraniane e lajmeve Fars, në një publikim në Telegram, deklaroi se sulmi në Bahrein kishte për qëllim të verifikonte rolin e këtyre qendrave në “mbështetjen e aktiviteteve ushtarake dhe të inteligjencës së armikut”.
Ngjarja ndodh në një moment tensioni të lartë në rajon, pas sulmeve të përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit gjatë fundjavës. Si kundërpërgjigje, Irani ka ndërmarrë sulme ndaj bazave amerikane dhe izraelite në zonën e Gjirit.
Amazon nuk ka bërë koment zyrtar mbi pretendimet iraniane. Megjithatë, kompania konfirmoi se përveç dëmtimeve strukturore, qendrat e të dhënave u përballën edhe me ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtime nga uji, pasi ekipet e zjarrfikësve ndërhynë për të shuar zjarret e shkaktuara nga shpërthimet.
Si pasojë, disa aplikacione të njohura që funksionojnë mbi platformën AWS përjetuan rritje të gabimeve teknike dhe ulje të përkohshme të disponueshmërisë së shërbimeve.
AWS u ka rekomanduar klientëve të saj që të bëjnë kopje rezervë të të dhënave, të konsiderojnë zhvendosjen e sistemeve në rajone të tjera të cloud-it dhe të ridrejtojnë trafikun larg qendrave të prekura në Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Amazon hapi rajonin e saj të cloud-it në Bahrein në vitin 2019, i cili përdoret gjerësisht edhe nga institucionet qeveritare të vendit. Kompania gjithashtu ka një zyrë korporative në Bahrein që shërben kryesisht për stafin e AWS.
Ndërkohë, për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në rajon, Amazon u ka kërkuar punonjësve të saj korporativë në Lindjen e Mesme të punojnë nga distanca dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
